top of page

Fatmir Terziu: BUNKERI 4X

  • 38 minutes ago
  • 5 min read

Fatmir Terziu: BUNKERI 4X

 TREGIM

Në Krastë frynte një erë e ftohtë. Nuk ishte nga ato erëra që të kujtojnë dimrin. Ishte një erë që vinte nga toka. Sikur toka, pas kaq vitesh, ende merrte frymë me vështirësi dhe kërkonte të nxirrte prej vetes diçka që nuk kishte mundur ta harronte. Kristo Mema qëndronte pak më tej, pranë një grumbulli dheu të përmbysur. Në dorë mbante një copë letre të palosur disa herë. Nuk e lexonte. E dinte përmendësh. Në anën tjetër të hapësirës ishin Uran Kostreci dhe Emin Haxhiademi. Dy burra që e njihnin mirë atë lloj heshtjeje. Kishin kaluar vetë nëpër ditët kur një derë që trokiste natën mund të merrte një njeri dhe ta kthente vetëm si emër në një listë.

Ishte viti 1994. Shqipëria kishte ndërruar flamurin me yll të kuq, fjalët dhe tabelat. Por toka nuk kishte ndërruar. Toka i mbante ende njerëzit poshtë saj. Dhe tani po përpiqeshin t'i nxirrnin.

Në Krastë, dikur, njerëzit vinin për Ditën e Verës. Fëmijët vraponin mbi bar. Gratë sillnin ushqime. Burrat flisnin për motin, për vitin, për të ardhmen. Dikush luante muzikë. Dikush qeshte. Fëmijët nuk dinin se toka mbi të cilën hidhnin hapat e tyre kishte dëgjuar britma. Nuk dinin se disa metra më poshtë mund të kishte një njeri që kishte pasur duar, sy, shtëpi, një grua, një nënë, një djalë. Një emër. Një jetë.

Historia kishte bërë një shaka të keqe me Krastën. Aty ku një brez kishte ardhur për të festuar pranverën, një brez tjetër kishte ardhur për të kërkuar të vdekurit. Dhe ndërmjet tyre ishte vetëm toka.

- Ku është? - pyeti Kristo.

Nuk iu përgjigj askush. Një nga burrat e komisionit tregoi me dorë nga një pjesë e sheshtë e terrenit.

- Këtu mendojmë.

Kristo e pa.

- Mendoni?

Burri uli kokën.

- Nuk kemi më shumë se kaq.

Ishte përgjigjja më e tmerrshme që mund të merrte një njeri. Jo, nuk është këtu. Por, mund të jetë këtu. Pak më larg, një grua rrinte e veshur me të zeza. Nuk qante. Kishte qarë aq shumë gjatë jetës, sa lotët dukej se i ishin bërë një gjë e panevojshme. Ajo u afrua. Hapat e saj ishin të ngadaltë. Nuk shihte as Kriston, as Uranin, as Eminin. Shihte vetëm tokën. Pastaj u ndal para Kristos.

- Kristo Mema?

- Po.

Gruaja ia nguli sytë.

- Ju lutem... Zëri iu këput. Kristo bëri një hap drejt saj. Ajo e kapi për krahu.

- Më largoni lotët...

Kristo nuk foli.

- Më largoni lotët, - përsëriti ajo. - Të gjej djalin.

Kjo ishte gjithçka. Vetëm… Të gjej djalin. Dhe papritur të gjithë burrat përreth u bënë të panevojshëm. Përballë një nëne që kërkon eshtrat e djalit të saj, historia është e pafuqishme. Uran Kostreci u afrua. E njihte atë dhimbje. Ndoshta sepse kishte parë shumë njerëz të tillë. Ndoshta sepse një regjim që të merr lirinë, fillimisht të merr emrin, pastaj shtëpinë, pastaj frikën dhe në fund të lë pa varr. Ai vështroi gruan.

- Do ta kërkojmë, - tha.

Gruaja nuk e falënderoi. Nuk kishte më fjalë falënderimi. Ajo vetëm pyeti:

- Edhe nëse është shumë poshtë?

- Edhe nëse është shumë poshtë.

- Edhe nëse nuk gjendet…?

Uran Kostreci heshti për një çast. Pastaj tha: - Do të vazhdojmë. Gruaja u kthye nga toka. Në ato vite, gjetja e një njeriu nuk ishte një çështje shkence. Nuk kishte ADN. Nuk kishte laboratorë modernë. Kishte kujtesë. Kishte dëshmitarë. Kishte një copë rrobe. Një këpucë. Një dhëmb. Një kopsë. Një njeri që, pas dyzet vitesh, thoshte: - Më duket se e varrosëm këtu.

Dhe pastaj pyetja më e vështirë: - Po ku?

Sepse ekzekutori kishte harruar. Familjari jo. Një nga burrat që po gërmonte thirri: - Ndaloni!

Të gjithë ngritën kokën. Ai ishte përkulur mbi tokë. Në dorë mbante diçka të vogël. Një copë metali. Kristo u afrua.

- Çfarë është?

Burri e pastroi me gisht.

- Një kopsë.

Gruaja me të zeza u afrua. Dikush tentoi ta ndalonte. Ajo e shtyu dorën.

- Lermë.

U ul. Mori kopsën. E mbajti në pëllëmbë. Për disa sekonda nuk ndodhi asgjë. Pastaj ajo e shtërngoi fort.

- Kjo ishte e tij.

Kristo ndjeu një therje në gjoks.

- Jeni e sigurt?

Gruaja fshiu sytë.

- Nënë jam.

Dhe nuk tha më asgjë. Në atë çast, Krasta u duk sikur heshti edhe më shumë. Në largësi dëgjohej një zog. Pastaj era. Dhe poshtë tyre toka. Toka që kishte mbajtur sekretin e saj për dekada. Kristo mendoi për ata që ishin vrarë aty. Mahmut Maçi. Fadil Gurmani. Kamer Kazazi.

Xhafë Miraku. Emra që dikur kishin qenë njerëz. Mësues. Intelektualë. Qytetarë. Burra që kishin parë botën përtej kufirit dhe ishin kthyer me dije. Dhe për këtë ishin dënuar. Ndoshta diktaturat kanë frikë pikërisht nga njerëzit që kanë parë një botë tjetër, sepse njeriu që ka parë lirinë një herë, nuk mund të bindet lehtë se burgu është shtëpi.

Emin Haxhiademi qëndronte pak më tutje. Nuk foli. Ai e dinte se kishte ardhur një kohë kur qyteti duhej të përballej me veten. Me kujtesën e vet. Me njerëzit që kishte humbur. Me frikën që kishte ushqyer. Me heshtjen që kishte mbajtur.

Pasdite, dielli ra mbi Krastë. Gruaja ende qëndronte aty. Në dorë mbante kopsën. Kristo iu afrua.

- Do të vijmë përsëri nesër.

Ajo tundi kokën.

- Unë do të jem këtu.

- Është ftohtë.

- Kam pritur më gjatë.

Kristo nuk gjeti çfarë t'i thoshte. Më vonë, kur të gjithë u larguan, ai mbeti vetëm. Shfletoi letrën e fundit. Shkoi deri aty ku ishte ndërtuar bunkeri. Ishte i ulët, i rëndë, i nxirë nga koha. Në atë moment nuk mendoi për virgjëritë që kishte shkatërruar ndër vite, por për virgjërinë e jetës. Kështu i kishte treguar çifti dëshmitar i asaj dite të mallkuar. E ai ishte thjesht enigmë. Bunkeri 4X. Një numër pa fytyrë. Një shenjë e një kohe që kishte dashur të dukej e përjetshme. Kristo vuri dorën mbi beton. Ishte i ftohtë. Për një çast iu duk se bunkeri kishte temperaturën e varrit. Por pastaj mendoi: Varri është vendi ku një njeri pushon. Kjo tokë nuk kishte qenë varr. Kishte qenë zhdukje. Dhe ka një ndryshim të madh mes të dyjave. Një varr e pranon të vdekurin. Një gropë sekrete e fsheh atë. Në mëngjes, ata u kthyen. Gërmuan përsëri. Dhe përsëri. Deri sa toka dha një tjetër shenjë. Pastaj një tjetër. Dhe një tjetër. Nuk kishte më nevojë për fjalë. Gruaja me të zeza u ul pranë gropës. Ajo nuk qante. Vetëm përsëriste në heshtje:

- Djali im... Sikur pas kaq vitesh po e thërriste për herë të parë. Nuk e di nëse drejtësia mund ta kthejë një djalë te nëna. Nuk e di nëse mund t'i kthejë vitet. Nuk mundet. Asnjë shtet nuk mund ta bëjë. Asnjë komision. Asnjë dokument. Asnjë ligj. Por mund t'i japë një njeriu diçka tjetër. Një emër. Një varr. Një gur. Një vend ku të shkojë dhe të thotë: - Këtu je. Dhe ndoshta kjo është ajo që kërkonte gruaja. Jo vetëm djalin. Por vendin ku më në fund mund t'i fliste.

Kur u larguan, Krasta ishte mbuluar nga drita e pasdites. Diku poshtë tokës kishte mbetur një histori. Diku sipër saj, një nënë mbante në dorë një kopsë. Dhe pranë bunkerit, njerëzit vazhdonin të kërkonin, sepse disa të vdekur nuk vdesin kurrë plotësisht. Ata presin. Presin që dikush t'i thërrasë me emër. Presin që dikush të thotë: - Na falni që ju lamë kaq gjatë në errësirë.

Dhe mbi Krastë, aty ku dikur fëmijët hidhnin valle për Ditën e Verës, era kalonte ngadalë mbi tokë. Sikur edhe ajo kërkonte dikë. Sikur edhe ajo kishte humbur një djalë. Sikur edhe ajo, pas kaq vitesh, ende nuk kishte mbaruar së qari. Bunkeri 4X mbeti pas tyre. I heshtur. I ftohtë. Por për herë të parë, nuk dukej më si një strehë për frikën. Dukej si një dëshmitar. Dhe dëshmitarët, sado të vjetër të jenë, një ditë duhet të flasin.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page