top of page

Baxhul Merkaj: Gumenica, vendi i traditave ku jehon kënga labërishte...

  • 32 minutes ago
  • 7 min read

Gumenica, vendi i traditave ku jehon kënga labërishte, tek Muzeu Nur Dudaj, ku shpaloset historia e në themel është kultura dhe arti.

-Shënime udhëtimi në trevën e Labërisë, në rrjedhën e Lumit të Vlorës.

 

Shkruan Baxhul Merkaj, kritik arti, shkrimtar, publicist dhe “Personalitet i shquar i Qarkut të Vlorës”, Tiranë- Vlorë, gusht 2026

 

 

Si bir i Lapardhas së Vlorës  dhe i Labërisë, që në rininë time të hershme, por dhe tashmë, që sapo i kalova 80 vite të jetës sime, këto vende i shkela më shumë me këmbë se sa me makinë. Duke filluar nga Vlora e duke ecur lart mbi Vlorë, në Kaninë, në vendin e  Donika  Kastriotit,  Ismail Qemalit,  ky vend që i rri Vlorës si një kurorë e artç  e historisë dhe e natyrës së bukur. Marr të përpjetën, aty në Qafë të  Koçiut, ku ngrihet madhërishëm një monument i Luftës së Vlorës, të vitit 1920, ku Selam Musai iu hodh topit nga gryka, një akt i paharrueshëm në historinë e luftës së popullit shqiptar kundër pushtuesit. Në Drashovicë, dhe këtu ku ngrihet monumenti i kësaj lufte, punuar mjeshtërisht me gjithë madhështinë e duhur nga “Skulptori i Popullit” Muntaz Dhrami, kushdo që kalon këtej ndalohet pak dhe mediton për historinë e saj. Këtu, në çdo 16 shtator këndohet:”Drashovicë bëhet festimi,/ vjen i vrarë Hito Selimi”, ashtu siç këndohet epopeja e njohur:”Te rrepet në Drashovicë,/ ku shpalosen historitë...”, ndërsa mblidhen bura, gra dhe njerëz të shumtë e kuvendojnë dhe këndojnë, ashtu siç e kanë zakon dhe traditë njerëzit e këtyre anëve.

Nga këtu Mavrova dhe Lapardhaja përballë njëra- tjetrës. Kalaja e Mavrovës flet për atë legjendën e lashtë, ndërsa këtu lindi dhe legjenda e njohur e Tanës, ku këndohet ende:”Tanë, moj e zeza Tanë,/zgjoi nënën dhe babanë,/ se mua lidhë më kanë,/ korbeci në shtrungë e vranë...”, njofton çobani, që i bie fyllit, ndërsa ajo i përgjigjet:”Mirë e mora xhevapnë...” dhe kuajt i nisën për nga udha e kuajve, ku potkonjtë iu nxirnin xixa dhe e shpëtuan çobanin nga hajdutët. Kjo këngë këndohet kaq bukur nga Grupi i Lapardhasë.

 Duke ecur më lart, aty në Kotë, mu kujtuan vargjet e këngës:”Kur ranë komitat në Kotë,/ në Kotë, komitat kur ranë:/ burra, gra mavronjotë,/ o burra, halla- halla,/ ç’u vra Ziguri në portë,/ u vra Zigur Leloja...”, këngë që të duket si një refren sa herë kalon në këto anë.

Si karakoll vjen fshati i Vajzës, buzë malit të Tartarit, fshati i poetit të shquar Ali Asllani, vargjet e tij brilante për Hanko Hallën:”Hanko, mos shko nëpër varre,/ se të vdekurit i ngjalle,...”, që ende mbartin një fuqi mahnitëse dhe në kohën e poezisë bashkëkohore moderne shqipe.

Eci në rrjedhën e Lumit të Vlorës, ku rruga  e asfaltuar na çon në fshatrat e kësaj treve, si Lepenica, Gjormi,  Brataj, ndërsa këtu më kujtohet kënga popullore e Bratajt e kënduar në vitin 1966 në festivalin folkloristik të Vlorës. Në këtë festival, unë drejtoja Grupin e Mavrovës, i cili mori flamurin e festivalit në Vlorë, në maj 1966.


Mbi Bratin, rrëzë malit është Tërbaçi, ku jehon kënga për Miro Tërbacin, një këngë e njohur dhe me jehonë të madhe në këto anë. Në këto anë janë miqtë e mi tërbaçiotë, si mësuesit Luan Beqiri, Ali Barjami (Aliu i bejteve dhe romuzeve), doktor- profesor Bardhosh Gaçe; këtej është dhe këngëtarja e njohur Aurela Gace, ku jehojnë këngët e vallet tërbaçiote (sidomos kënga dhe vallja e vajzave) të  drejtuara nga shkrimtari, poeti dhe mësuesi Albert Abazi; po ashtu dhe miqtë tjerë të mijë Novrus Abilekaj dhe  Remzi Nervaj.

Mbi Tërbaç është fshati i Vranishtit, Vranishti më kujton valljen e bukur, hequr nga burrat e Vranishtit, një valle për Ismail Qemalin, po ashtu valle për kapedanin Sali Vranishti, e përgatitur nga miku im Muhamet Tartari, punonjës i kulturës. Aty në Vranisht para ca kohësh ligjërova në promovimin e librit të poetit Avni Varfi, po nga andej është Shqiponja Pazaj (Veshaj) infermiere dhe një spikere e talentuar në evente dhe konferenca.

Rruga ecën për në Kallarat. Velça e mrekullueshme, ku grupi polifonik ja thotë  këngës së krojeve të Velces, me tekstet e bukura që i shkruan Adrian Hoxha. Më lart është Bolena, Smokthina, ku i madhërishëm ngrihet Mali i Çipinit, me grupin folkloristik me emër, që drejtohet nga “Mjeshtëri i Madh” Tomorr Lelo, ku këndojnë dhe këngëtarë të talentuar, si Fatbardha Brahimaj dhe rapsodi Nertesi Asllani.

Më lart është Vërmiku, fshati i Eduard Mezuraj, i cili në Tiranë, me talentin, investimin dhe pasionin e tij ka krijuar një muze me vlera të çmuara me karakter kombëtar.

Eci nëpër rrjedhën e Lumit të Vlorës, aty tek buronjat, uji i ftohtë akull dhe kristal. Këtu në behar, në çdo vit, bëhet festa i fshatit të Kuçit. Nga Kuçi kam kujtime të paharruara. Kam punuar në Kuç për katër muaj, pasi kisha mbaruar universitetin e arteve, por partia e pa të arsyeshme të më sillte këtu, duke më larguar nga Tirana, ku isha student dhe pedaog. Erdha këtu në Kuç, për të drejtuar kulturën dhe artin. Në Kuç, punova me burra dhe njerëz të shquar, si “Heroin e Popullit” Abdul Hakiu dhe “Heroin e Punës Socialiste” Mehmet Sulaj. Në Kuç kisha ardhur bashkë me familjen. Më kujtohet një rast: Kur në Kuç erdhi Sekretari i Parë i Partisë së rrethit të Vlorës, Petro Dode, e pyeti “Heroin e Popullit” Abdul Hakiun, se “Si po punon ky djalë? ”Heroi i Popullit” Abdul Hakiu iu përgjigj: ”Ky dhe gruaja e tij janë mrekullia e fshatit, ndaj merri dhe çoi në Vlorë, ndërsa ky djali të drejtojë artin dhe kulturën atje!”

Po a u morë në konsideratë fjala e tij? Jo. Shkopinjtë në rrota ishin një praktikë e njohur e kohës, ndërsa aso kohe, që nga viti 1972, kulturën dhe artin atje e drejtonte një mësuese rusishtje. Mua më çuan drejtues dhe regjisor në pallatin e kulturës në Selenicë, ku punova për 25 vite me radhë. Tashmë, që nga viti 1995, unë punoj në Tiranë si shkrimtar, publicist dhe kritik arti.


Kuçi mua më dha dritë në ato katër muaj, që për mua ishin si katër universitete; Kuçi i Zenel Gjolekës, i Maro Kondit, i Jaho Gjolikut, i nënë Shahos, ku thura vargjet:”Djemtë t’u rritën nënë Shaho,/ për luftë t’u bënë,/ ç’i puthe në ballë,/ ç’i nise me këngë...”, apo “Ç’shushurin shuri i Kuçit,/ grur e misër i flladit,/ aty poshtë tek buronjat,/ kuçiotet dredhin shamitë...”

Po le të kthehemi tek qëllimi i të shkuarit nëpër Lumin e Vlorës dhe tek objekti i këtyre shënimeve, se çfarë më shtyu për të marrë këtë udhëtim për në fshatin e ndritur të Gumenicës, fshatin e traditave, ku burojnë këngët, ku shpaloset historia, ku janë rrënjët e kulturës dhe artit. Mua më erdhi një ftesë nga miqtë e mi Katriot Shehaj dhe dhe Myfti Shehaj për të parë muzeun Nur Duda të Gumenicës.

Katriot Shehaj, aktivisti i shquar është inicuesi i këtij muzeu, ndërsa Myfti Shehaj ish punonjës kulture, tashmë kryetar i shoqatës kulturore atdhetare të Gumenicës,  më pritën në Vlorë, ashtu siç pritet miku dhe shoku.

Me Myftiun morëm rrugën nga Vlora për në Gumenicë me makinën e tij. Përsëri ec rrugës së Qafës së Kociut, e më tej janë fshatrat si Kanina, Qishbardha, Drashovica,  Mavrova, Lapardhaja, Maxhari,  Kota. Mu kujtua, këtu në Kotë (7,8,9 korrik 2026) ku u zhvillua festivali folkloristik i organizuar nga Bashkia Selenicë, ku mora pjesë si kritik arti, por dhe si “Personalitet i Shquar i Qarkut të Vlorës”. Aty pashë, që këngët e vallet shprehnin dashurinë, mirësinë dhe vëllazërimin e njerëzve.

Morëm rrugën aty mbi Kotë, kaluam fshatin Gjormë dhe u kthyem drejt fshatit Gumenicës, një fshat që ngrihet në rrëzë të malit mbi një kodër.

Mbritëm në një shtëpi dy katëshe:” Është ndërtuar qysh në kohën e Ali Pash Tepelenës kjo shtëpi, ku tashmë është muzeu Nur Duda!”, më tha bashkrrëfyesi im Myfti Shehu. Hyjmë në këtë ambient të shtruar me qilima të qëndisura, me shilte dhe jastëk dekorativ, ndërsa në mure janë vendosur foto të shumta të heronjëve të luftës, ku bijtë dhe bijat e Gumenicës sakrifikuan gjithçka për lirinë.

Pikërisht këtu në Gumenice është formuar Brigada e V, por dhe qendra e këshillit nacional- çlirimtar, në shtëpinë e Luan Derrajt. Këtu flasin fotot, flet historia dhe kultura tradicionale e jetesës. Një mjedis i kulturuar, ku është ende e gjallë tradita e Labërisë gumeniciote e Nur Dudajt dhe bijëve të saj, si Gafur Dudaj, i cili në Tiranë, tashmë ka një nga entet botuese të njohura (Shtëpia Botuese “Dudaj”), ku janë  botuar nga letërsia shqipe dhe e huaj qindra e qindra libra të shkrimtarëve tanë dhe botëror.

Në këtë muze janë pasqyruar historia e shkollës shqipe, mësuesit/et që kanë dhënë mësim ndër vite, puna e devotshme e bujqëve dhe blegtove gumeniciotë. Në një foto me kostum popullor është grupi folkloristik i Gumenicës, i cili fitoi çmimin para pak kohësh në festivalin e Kotës. Në fotot e fiksuara në këtë muze është dhe Myfti Shehaj dhe Selaudini, i cili punoj disa vite si kryeplak dhe tashmë kujdesej për muzeun.

Bijtë e Gumenicës janë shpërndarë në çdo skaj të botës, por disa prej tyre i takon dhe këtu në Vlorë. Katër djemtë e Gëzimes dhe Katriotit: Ermali dhe bashkëshortja e tij Gardiola, të cilët kanë krijuar një biznes me interes dhe TV Eden 3. Punojnë të gjithë: Edisoni, Era, Nalja, por dhe djemtë e tjerë.

Djali tjetër Dritan Shehaj, punon në Greqi, ku ka ngritur biznesin e tij; Lorenci ka mbaruar universitetin e arteve dhe është një kitarist i mirë; Liburn Shehaj jeton dhe punon në Angli, ku ka krijuar një biznes të qëndrueshëm të tijin. Këto ditë erdhi në Vlorë.

Bijtë e Gumenicës i takoj në Tiranë, ata që kanë kontribuar dhe kontrobojnë për Gumenicën, si Bektash Meçe, Piro Begëvarfaj, Luan Derraj, Besnik Dudaj (pronari i shtëpisë muze në Gumenicë), Prof. Dr. Hajri Ismaili etj.

Hodha këto pak shënime për këtë trevë të Labërisë, ku flet historia, tradita, kënga që buron në buzë nga bijtë e bijat e Vlorës, ku rrezëllon tek këto njerëz bujaria, mikpritja dhe dashuria.

 

Tiranë- Vlorë, gusht 2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page