top of page

Fatmir Terziu: BARBARËT

  • Mar 6
  • 6 min read

BARBARËT

(tregim)

 

Qyteti ishte i mbushur me monumente. Në çdo shesh, në çdo kthesë rruge, në çdo hapësirë ku dikur kishte pasur një pemë, tani ngrihej një statujë. Disa prej bronzi, disa prej guri, disa prej një materiali që dukej sikur ishte derdhur nga një heshtje e rëndë. Askush nuk e dinte saktësisht kujt i përkisnin. Por të gjithë thoshin se ishin ngritur për mua. Në fillim mendova se ishte një keqkuptim. Unë isha një njeri i zakonshëm, me disa këngë të mbetura në kujtesë dhe me një qetësi të vogël që e mbaja si një gur në xhep. Por barbarët më thanë se qetësia ime ishte e rëndësishme për popullin.

“Ne vetëm po të ndihmojmë ta kuptosh,” më thanë me një mirësjellje të ftohtë.

Ata flisnin vetëm fjalët që unë vetë i kisha në majë të gjuhës. Ishte e frikshme. Para se t’i thosha, ata i thoshin për mua. Dhe njerëzit rreth nesh tundnin kokën me bindje, sikur gjithçka ishte në rregull, sikur gjithmonë kishte qenë kështu. Pastaj filluan këngët. Në sheshe, në salla, në radio të vjetra që gumëzhinin nëpër dritare të hapura, këndoheshin këngë popullore. Të gjitha. Njëra pas tjetrës. Ata thoshin se i këndonin për shpirtin tim. Unë nuk e mbaja mend t’i kisha kërkuar. Por kur u përpoqa të flisja, dikush më tha me butësi:

- Mos e prish harmoninë. Po të nderojmë.

Në një moment kuptova se ata dinin gjithçka për mua. Jo vetëm mendimet që kisha thënë dikur, por edhe ato që nuk kisha guxuar t’i mendoja deri në fund. Ata hapën arkivat e intimitetit tim sikur të ishin dollapë publikë.

- Duhet ta provojmë pastërtinë tënde, - tha një burrë me sy të qetë.

E mbrojtën edhe mënyrën time të të menduarit. E vendosën në dokumente. Në fjalime. Në pllaka përkujtimore. E mbrojtën aq shumë, saqë unë nuk munda më të mendoja asgjë tjetër. Madje edhe dashurinë time të vërtetë e shpallën para meje. Në një ceremoni solemne. Me flamuj dhe mikrofonë.

- Populli e di më mirë, - thanë.

Dhe pastaj erdhi dita e sheshit. Sheshi quhej “Sheshi i Viktimave të Barbarizmit”. Ishte i madh dhe i sheshtë, si një tavolinë ku historia bënte autopsinë e vet. Aty ata zhvirgjëruan publikisht gjithçka që ishte private në emrin tim, kujtimet, frikërat, fjalët e pathëna. Turma duartrokiti me një ritëm të qetë. Unë nuk mbaj mend nëse bërtita. Pas kësaj, gjithçka u bë shumë e sjellshme.

Më dhanë dokumente. Më përqafuan. Më thanë se tani isha i lirë.

- Shko në Evropën pa kufij, - më thanë. - Sovraniteti yt është i garantuar.

Unë u nisa. Por kur u ktheva edhe një herë nga qyteti, pashë se ata tashmë po ngrinin një tjetër monument. Ishte një statujë e madhe e një kali. Punonin me përkushtim të madh. Vetëm kur u afrova pak më shumë kuptova se kali nuk ishte më kalë. E kishin shndërruar në mish.


________


FANTAZMË

 (Tregim)


Në fillim mendova se ishte thjesht një rrugë si gjithë të tjerat. Një rrugë e gjatë, e shtruar me gurë të zbehtë, që dukej sikur kishte harruar emrin e vet. Por kur hodha hapin e parë, ndjeva se diçka nuk ishte në rregull, nuk ndjeja peshën e kokës mbi supe. Megjithatë vazhdova të ecja. Njerëzit u shfaqën papritur, sikur rruga t’i kishte nxjerrë nga vetë gurët e saj. Ishin shumë. Ndoshta treqind. Nuk flisnin menjëherë. Vetëm shikonin. Treqind palë sy që rrinin pezull mbi trupin tim, si dritare të hapura në një mur të padukshëm. Atëherë kuptova se isha lakuriq.

Por çuditërisht kjo nuk ishte gjëja më e frikshme. Më e frikshme ishte heshtja e tyre, ajo mënyrë e vështrimit sikur po përpiqeshin të kuptonin diçka që unë vetë nuk e dija. Një grua ngriti dorën, pastaj një burrë, pastaj të tjerë. Treqind duar filluan të tundeshin në ajër, jo për përshëndetje, por si për të larguar një mizë të padukshme që vetëm ata e shihnin. Pastaj u hapën gojët. Treqind gojë të hapura njëherësh krijuan një boshllëk të thellë në ajër, një vrimë të zezë që gëlltiste çdo tingull. Askush nuk foli, por dukej sikur të gjithë po bërtisnin brenda vetes.

Unë vazhdova të ecja. Në atë moment ndjeva diçka të lagësht të lëvizte përgjatë krahut tim. Një gjuhë, e gjatë dhe e rëndë, kishte dalë nga kyçi i dorës dhe rrëshqiste deri në bërryl. Ajo lëpinte ajrin, gurët, madje edhe hijet e kalimtarëve. Nuk u habita. Në atë rrugë, habi nuk kishte më. Njëri nga turmat nxori një thikë. Pastaj një tjetër. Dhe një tjetër. Armët shkëlqyen në ajrin e ftohtë si copëza akulli. Nuk më rrethuan. Nuk bërtitën. Vetëm u afruan pak nga pak, sikur po ndiqnin një rregull të shkruar diku që askush nuk e kishte lexuar. Kur goditën, nuk ndjeva dhimbje. Treqind maja të ftohta hynë në mish sikur të kërkonin një derë të fshehtë. Plumbat që erdhën pas tyre u ngulën në gjuhën time të gjatë, e cila u drodh si një gjarpër i plagosur.

Unë përsëri vazhdova të ecja. Në pëllëmbën time ndodhi diçka edhe më e çuditshme. Aty u shfaqën sytë e tyre. Një nga një. Lente pas lente. Lotët pikonin si pika vaji mbi një kuti çeliku të padukshme që e mbaja pa e kuptuar. Ata më shikonin nga dora ime. Treqind sy. Dhe papritur e kuptova, ata nuk më shikonin mua. Ata shikonin veten e tyre brenda meje. Rruga filloi të zgjatej, të shtrembërohej, të bëhej një rrjetë e pafundme korridoreve gri. Turma mbeti pas, por shikimet e tyre mbetën në pëllëmbën time si një barrë e zakonshme, e rëndë dhe e hidhur.

Unë e mbajta atë barrë me nxitim, sikur të ishte një sekret që nuk duhej të binte në tokë. Sepse përpara meje u hap një rrugë tjetër. Dhe në skaj të saj prisnin më shumë. Jo treqind. Por tre mijë sy që shikonin.


____



NJERIU DHE KOHA

(Tregim)

 

Në fillim ishte vetëm zëri. Jo një zë njeriu, por një zë i vogël, i rregullt, i pamëshirshëm, që vinte nga muri përballë shtratit tim.

… Tik-tak.

Pastaj përsëri.

tik-tak tik-tak

U zgjova një mëngjes dhe kuptova se nuk ishte ora që e bënte atë zë. Ora ishte ndalur prej kohësh. Akrepat qëndronin të mpirë si dy gishta të akuzuar. Por zëri vazhdonte. Në fillim mendova se ishte një kriket i fshehur në mur.

çirçir … çirçir…

U afrova dhe godita murin me grusht.

Klik… klik…

Asgjë nuk lëvizi. Por zëri ndryshoi ritmin, sikur të qeshte me mua. Nga rruga dëgjohej një njeri që këndonte pa arsye.

Tra la la

Tra lala la

Trala la laaa

E çuditshme, mendova. Njerëzit këndojnë kur nuk duan të dëgjojnë diçka tjetër. Dhe ndërsa po mendoja këtë, nga trotuari kaloi një kalë i padukshëm. E dëgjova, por nuk e pashë.

Klip-klop klip-klop

Pastaj heshtje.

Një erë e vogël përplasi perden.

shshh tapp

shshhh shshhh

Dhe në atë moment kuptova se koha nuk ishte në orë. Ajo ishte në çdo gjë që lëvizte, në çdo gjë që merrte frymë, madje edhe në gjërat që nuk ekzistonin më. Dikush kaloi poshtë dritares me një kapelë të vjetër. Era i tërhoqi litarin e kapeles. Kapelë… litar kapeleje… Ai ngriti kokën dhe bërtiti:

Uau!

Në fund të rrugës qentë filluan të lehonin.

av av av

grrr grrov grrr grapp

Dikush bërtiti:

- i joooo!

Dhe qentë u ndalën papritur, sikur dikush t’u kishte hequr kohën nga këmbët. Njëri prej tyre nisi të nuhaste tokën me një seriozitet të frikshëm.

nuhat… nuhatje… nuhatje… nuhatje

Sikur të kërkonte diçka të humbur. Ose dikë. Në atë çast muri përballë meje krisi. Jo shumë. Vetëm sa për të më treguar se isha gjallë.

grrrits krrrrats krrraaak

Dëgjova zhurma që vinin nga brenda murit, si njerëz që hanin kujtime të vjetra.

mlof … mlas… mlof… tressssss….

Hapat e dikujt në korridor.

tres …tras traas tres….

Frymëra të rënda pas dere.

hrrr rhhh

hrr rx

hrr

Pastaj vetëm një tingull i hollë, pothuaj i pandjeshëm.

r

E hapa derën. Nuk shihja askënd. Vetëm korridori i gjatë i ndërtesës dhe një ndjenjë e çuditshme sikur të gjithë banorët kishin dalë jashtë për të kërkuar kohën e humbur. U ktheva në dhomë. Ora ende qëndronte e ngrirë në mur. Por zëri vazhdonte.

… Tik-tak

U afrova më shumë këtë herë. Aq sa vendosa veshin mbi mur. Dhe atëherë e kuptova. Zëri nuk vinte nga muri. Vinte nga brenda meje.

tik-tak

tik-tak tik-tak

Dhe për herë të parë në jetën time kuptova diçka të thjeshtë dhe të tmerrshme, ora mund të ndalet, kuajt mund të zhduken, qentë mund të heshtin, por koha nuk jeton në botë. Ajo jeton tek njeriu. Dhe kur njeriu hesht, ajo fillon të flasë.

… Tik-tak

tik-tak tik-tak…

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page