top of page

Fatmir Terziu: Balta


ADOLESHENTI IM

Nga Fatmir Terziu

 

Po planifikoj të udhëtoj në pakohë

për një pakohë që nuk ha e nuk pi,

jo si një iluzion,

jo thjesht si një njeri,

si një adoleshent që ëndërron një orë,

ndoshta pa e ditur se si 

në pakohë mbetesh duarbosh.

 

Por unë shkoj më tutje në një shpikje,

zbres diellin në një oborr,

dhe me sy i bashkoj dy brigje,

bëj një orë me një shkop.

 

Ndërsa pi pak birë

e kuptoj që mendimi im ka mbetur adoleshent,

ashtu i pirë duke pirë,

do të vdes, më pëshpërit ai, do të vdes,

nuk ka gjë më të mirë!

 

Të bindësh vetveten krejt serbes,

njerëzit kanë vetëm mish të ngrirë,

e adoleshentëve u është bërë ves,

të shohin ëndrra deri në të gdhirë.

 

Padashje pastaj me ndjenjën e tufës,

harroj që kam udhëtuar në pakohë,

dëgjoj britmat e mëdha të turmës,

dhe zgjohem…, por pa orë në dorë.

 

Mendoj se si adoleshent kam fshehur,

atë që kam parë në pakohë,

me pompozitet të madh udhëtoj i dehur

mendoj se për mua gjithkush ka nevojë.

 

E kështu diku në një cep të ëndrrës

takoj Petrit Rukën me bukovile

më pëshpërit sikur ia merr këngës

për shiun që bie brenda poezive.

 

Po binte atje, si një shtrëngatë,

habitesha si ndodhte në pakohë,

ndërsa sytë më mbetën atje lart,

të gjithë nxitonin të bënin art.

 

Në një hapësirë ​​tjetër s'kishte më tokësor

adoleshenti im ende në pakohë kërkonte orë.

 

BALTA

Nga Fatmir Terziu

 

Një gjithë-gjendje-larëse do të ngrihet në Kryeqytet

të palarët do të grumbullohen forcërisht në shesh

vendim-marrja e fundit do të kalojë nëpër bulevard

ku mëkatarët do të ulen me bindje për të marrë vesh

gjithë-gjendje-larja sa kohë do të zgjas.

 

Nëse është pisllëk nga Natyra, me kënaqësi

gjithçka do të mbulohet nga buxheti i baltës,

ndryshe do të veprohet në hierarki,

mëkatet do të verifikohen gjatë natës,

dita do ti mbaj të mbyllur në shtëpi.

 

Në qendër do të dominojë në mënyrë aksiale

paralarja e urdhëruar nga godinat brenda

mbi mendimet tona të pathëna, natyrale,

do të duket çmenduri gjithë-gjendje-larja,

si një nga kushtet drejt një Parajse! 

 

Çmenduri e përjetshme, jo ajo kalimtare

njohuria delikate e kushteve do të jetë qendra

gjithë-gjendje-larja si një detyrë Europiane,

do të hyjë thellë nëpër vena deri te zemra,

t'u shpëlaj të gjithëve mëkate dhe halle.

 

Disa do të shtyhen të zënë nga halli

herë pas here do të vijë një engjëll me ujë,

do të pyes nga buron marrëzia si një lumë zjarri?

E dikush ndoshta do të përkulet pa bujë

me gjasa se do të pastrohet i pari …(!)

 

Të tjerrët si gjithnjë do të presin shiun

me birrë dhe patate të skuqura mustardë

do të harrojnë se ky projekt është për njeriun

të dehur do të rikthehen dehanak në darkë,

duke imituar sipas rastit miun dhe ariun.

 

E  në fund do të luten para gjithë-gjendje-larëses

fundja këtë mirësi Europa po ua bën nder,

të thahen si leckat e lagura përpara tharrëses

çdo gjë që vjen nga Europa është një mister

i koduar në medalionin dhuratë të varëses.

 

Edhe mërzia, madje edhe seksi i pambrojtur

në fushën e gjithë-gjendje-larjes, zhvishen lehtë,

Europa nuk është për njerëz të ndrojtur,

ndaj kambanat nuk janë vetëm për retë,

të paralajmërojnë se durimi s'duhet sosur…

 

Hej, ti, ai që nuk di me çfarë t’i lavdërosh këto

ji i lumtur, pastrimi yt u pagëzua shumëngjyrësh

arriti fluturimthi në Europë dhe gëzoi këdo,

me një kaproll zyrtar lajmëtar shumëbrirësh

ndaj, pastrim më të madh nga balta mos kërko!

1 Comment


Pjeter Cara
9 hours ago

Një nga poezitë e fundit më të bukurat. Ndërtuar me grimca të materies filozofike për problemet e mëdha të rinisë e të krejt njerëzisë. Veshur bukur me një narracion poetik në një kostum stilistik mjaft të këndshëm realist plot ndjesi estetike që të shkaktojnë kënaqësinë e një pëlqimi të merituar dhe admirimin për rritjen e perfeksionimin e talentit të autorit, tani më të afirmuar si poet e shkrimtar me një krijimtari dinjotoze në pasurimin e zhvillimin e letërsisë shqipe. Të lumtë Fatmir Terziu dhe suksese të tjera në lëvrimin e poezisë shqipe! Të përshëndes me respekt.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page