top of page

Fatmir Terziu: Ajo e Kornizës dhe Email i një Zonje

  • 3 days ago
  • 8 min read

Fatmir Terziu: Ajo e Kornizës

 

 

1.     Ajo e Kornizës

 

Njëfarë Gjoleka, tregtar i pasur materialesh ndërtimi, zotëronte një vilë të madhe në periferi të qytetit. Ishte njeri praktik, me mendje të kthjellët dhe me zakone të pandryshueshme. Për të, bota ndahej në dy pjesë, gjërat që shërbenin për diçka dhe gjërat që nuk shërbenin për asgjë. Për pasojë, arti, poezia dhe muzika i konsideronte humbje kohe. Megjithatë, e shoqja, një grua e dhënë pas estetikës, kishte vite që ankohej se muret e vilës ngjanin si muret e një magazine. Më në fund, për t’i bërë qejfin, Gjoleka pranoi të blinte disa objekte dekorative. Një të diel, duke u kthyer nga një ankand antikash, bleu një kornizë të madhe prej druri arre. Korniza ishte jashtëzakonisht e bukur. Ishte antike. Ishte… e pagjendhsme. Në të ishin gdhendur hardhi, zogj, lule dhe fytyra engjëjsh të vegjël.

“Po tabloja ku është?” pyeti gruaja.

“Tablo nuk ka,” u përgjigj Gjoleka. “Por korniza është aq e bukur sa vlen më shumë se çdo pikturë.”

Gruaja qeshi.

“Atëherë paske blerë një dritare.”

Ai urdhëroi ustallarët që punonin për të dhe kaq. Korniza u var në murin kryesor të sallonit. Për disa javë nuk ndodhi asgjë. Pastaj, një mbrëmje, ndërsa Gjoleka po pinte kafenë pas darke, drejtoi rastësisht sytë. Brenda kornizës ishte ulur një vajzë. Ai u ngrit menjëherë në këmbë. Për pak sa nuk i ra filxhani. Vajza dukej rreth njëzet vjeçe. Kishte flokë të errët dhe një fustan të bardhë të thjeshtë. Ishte ulur në një stol guri, pranë një lumi që rridhte qetësisht. Gjoleka thirri gruan.

“Eja të lutem shpejt këtu!”

Gruaja erdhi. Pa. Pastaj tha fare qetësisht: “Po, e shoh.”

“Ti e shikon?”

“Sigurisht që e shoh.”

“Po si është e mundur?”

Gruaja ngriti supet.

“Nuk e di. Por me sa duket është aty.”

Ajo natë kaloi duke soditur vajzën. Kjo e fundit nuk dukej se e vinte re praninë e tyre. Herë shikonte lumin, herë qiellin dhe herë një libër që mbante në prehër. Të nesërmen ishte sërish aty. Edhe të pasnesërmen. Edhe javën tjetër. Dalëngadalë, vajza u bë pjesë e familjes. Kur Gjoleka kthehej nga puna, shikonte menjëherë kornizën. Kur gruaja zgjohej në mëngjes, hidhte sytë drejt saj. Madje filluan të shqetësoheshin kur vajza mungonte për disa orë.

Një ditë korniza mbeti bosh, që nga mëngjesi deri në mbrëmje. Gjoleka u zemërua.

“Nuk më pëlqen kjo sjellje.”

“E kujt?” pyeti gruaja.

“E saj.”

Po e le bosh, dikush tjetër do tunded në të... (F. T.)
Po e le bosh, dikush tjetër do tunded në të... (F. T.)

Gruaja shpërtheu në të qeshur.

“Po flet sikur të jetë qiramarrëse.”

“Jo, por në fund të fundit kjo është shtëpia jonë.”

Në mbrëmje vajza u kthye.bAjo dukej e lodhur. Madje, për herë të parë, u kthye nga salloni dhe i pa drejt e në sy. Gjoleka ndjeu një shqetësim të çuditshëm. Ishte sikur ajo e njihte.

Ditët kalonin. Vajza filloi të ndryshonte. Herë qeshte. Herë qante. Herë rrinte me orë të tëra duke parë larg. Një natë, befas, nuk ishte më vetëm. Pranë saj u shfaq një djalë. I gjatë, me flokë të verdhë dhe me pamje të zymtë. Ata bisedonin. Megjithëse nuk dëgjohej asnjë tingull.

“Ja ku filluan telashet,” tha Gjoleka.

Gruaja e pyeti pse.

“Sepse kur janë dy veta, gjithmonë lindin problemet.”

Dhe vërtet. Pak ditë më vonë ata filluan të grindeshin. Gjoleka dhe gruaja i ndiqnin me vëmendje. Nuk dëgjonin asnjë fjalë, por gjestet flisnin qartë. Djali akuzonte. Vajza mbrohej. Pastaj ndërronin rolet. Një mbrëmje ai u largua. Vajza mbeti vetëm. Qau, qau për një kohë të gjatë. Gruaja e Gjolekës qau bashkë me të. Madje për disa ditë refuzoi të dilte nga shtëpia.

“Po e tepron,” i tha Gjoleka.

“Po vuan.”

“Është vetëm një figurë.”

“Jo.”

“Po çfarë është?”

Gruaja nuk dinte të përgjigjej. As vetë Gjoleka nuk e dinte. Kjo, sepse me kalimin e kohës, edhe ai kishte filluar të mendonte se vajza nuk ishte figurë. Një natë, ndërsa shtëpia ishte në heshtje, nga salloni erdhi një zhurmë. Një zë. Pastaj një tjetër. Gjoleka u ngrit. Hapi derën me kujdes. Brenda kornizës, vajza dhe djali po bisedonin. Për herë të parë dëgjoheshin. Flisnin një gjuhë të panjohur. Tingëllonte si erë që kalon mes rrënojave. Gjoleka qëndroi gjatë duke dëgjuar. Nuk kuptoi asnjë fjalë. Megjithatë kishte ndjesinë e çuditshme se po flitej për gjëra shumë të rëndësishme. Ndoshta për dashurinë. Ndoshta për kohën. Ndoshta për vdekjen.

Që nga ajo natë, jeta në vilë ndryshoi. Figurat flisnin. Lëviznin. Zhdukeshin. Ktheheshin. Riktheheshin. Madje një mëngjes, Gjoleka vuri re se në sfond ishte shfaqur një qytet i tërë, të cilin nuk e kishte parë kurrë më parë.

Rrugë. Ura. Kulla. Kopshte. Një botë e tërë. Atëherë ai kuptoi se vajza nuk banonte në kornizë. Përkundrazi. Korniza ishte vetëm një dritare. Dhe ai, pa e ditur, kishte kaluar muaj të tërë duke përgjuar jetën e dikujt tjetër. Kjo ide e shqetësoi. Për herë të parë ndjeu turp. Në fund të fundit, çfarë të drejte kishte të sodiste fshehurazi lumturinë, trishtimin, dashuritë dhe vetminë e një krijese që ndodhej në një botë tjetër?

Një mbrëmje, ndërsa vajza po rrinte pranë lumit, ajo ngriti kokën. Vështroi drejt sallonit. Drejt Gjolekës. Dhe buzëqeshi. Një buzëqeshje e lodhur. Mirënjohëse. Pothuajse lamtumirëse. Të nesërmen, korniza ishte bosh. Dhe mbeti bosh përgjithmonë. Gjoleka priti me javë. Me muaj. Madje me vite. Por askush nuk u kthye më. Vetëm atëherë e kuptoi se njeriu mund të mësohet aq shumë me praninë e dikujt, sa edhe mungesa e tij të vazhdojë të jetojë në të njëjtën dhomë. Dhe kur miqtë e pyesnin pse mbante ende në mur atë kornizë të zbrazët, ai përgjigjej, “Sepse nuk është bosh. Vetëm se ne nuk arrijmë më të shohim.”

 

2. Email i një Zonje

I dashur mik,

Më keni kërkuar të shkruaj për ngjarjen që ndryshoi jetën time. Kam menduar gjatë para se të ulesha për t’ju përgjigjur. Në moshën time, njeriu bëhet i kujdesshëm me fjalët. Tetëdhjetë e shtatë vjet nuk janë pak. Janë një pyll i tërë stinësh, ku degët e kujtesës ndërthuren me mjegullën e harresës. Disa ngjarje që dikur më dukeshin të mëdha, sot mezi i dalloj. Ndërsa disa çaste fare të vogla, që atëherë kaluan si një frymëmarrje e zakonshme, kanë mbetur të gdhendura në shpirt me një qartësi të habitshme. Nuk e di nëse kjo është historia më e rëndësishme e jetës sime. Kam qenë grua, bashkëshorte, nënë dhe gjyshe. Kam njohur gëzime të mëdha dhe humbje të dhimbshme. Kam parë lindje, martesa dhe varrime. Por nëse më pyesni se cili kujtim më ka ndjekur si një hije e heshtur për dekada, atëherë përgjigjja është kjo histori.

Një histori që filloi me një email. Ishte janari i vitit 2007. Jetoj në një qytet pranë detit. Në atë kohë kisha shtatë vjet që isha vejushe. Burri im kishte qenë një njeri i mirë, i qetë dhe i ndershëm. Kishim kaluar bashkë një jetë të tërë. Kur ai iku, shtëpia mbeti e njëjtë, mobiliet mbetën po aty, fotografitë në mure nuk lëvizën, por gjithçka kishte humbur zërin e vet. Djali jetonte në Skoci. Vajza në Islandë. Të dy më donin shumë, por jeta i kishte çuar larg. Më telefononin rregullisht. Më dërgonin fotografi të nipërve. Kaq mund të kërkonte një nënë. Megjithatë, kur mbyllej telefoni, shtëpia kthehej sërish në heshtjen e saj.

Njerëzit mendojnë se vetmia është armike. Nuk është gjithmonë. Pas një kohe bëhet si një mace e qetë që fle pranë këmbëve të tua. Mësohesh me të. Mësohesh të pish kafen vetëm. Të darkosh vetëm. Të bisedosh me kujtimet. Një mbrëmje dimri, ndërsa shiu përplasej në xhamat e dritares dhe era e detit ulërinte mes pishave, hapa kompjuterin tim të vjetër. Ishte një makinë e ngadaltë dhe e zhurmshme, të cilën e përdorja rrallë. Kisha vetëm një adresë elektronike. Fëmijët më shkruanin aty. Mesazhi kishte mbërritur në orën 23:41. Subjekti më bëri të ndalem. “Mos e fshini këtë email.” Mendova se ishte reklamë, ose ndonjë gabim. Gati sa nuk shtypa menjëherë butonin e fshirjes. Por diçka më ndaloi. Ndoshta kureshtja. Ndoshta fati.

E hapa. Brenda kishte vetëm një fjali. “A ju kujtohet stacioni i autobusëve në Fier, më 14 tetor 1979?” Ndjeva gjakun të më tërhiqej nga fytyra. Për disa minuta qëndrova e ngrirë para ekranit.

Po. Më kujtohej. Jo vetëm dita. Jo vetëm stacioni. Më kujtohej edhe shikimi. Isha tridhjetë e nëntë vjeçe atëherë. E martuar. Kisha dy fëmijë të vegjël. Burri im ishte mësues dhe kishim udhëtuar për një punë të shkurtër në Fier. Në kthim, ndërsa prisnim autobusin për Tiranë, turma e njerëzve që dilte nga stadiumi na ndau për pak çaste. Kur u ktheva drejt vendit ku më priste burri, pashë një burrë të panjohur.

Nuk ishte i ri. Nuk ishte veçanërisht i bukur. Por kishte diçka në fytyrën e tij që më ndaloi. Më shumë se fytyra, ishin sytë. Një trishtim i thellë, i qetë, sikur mbante brenda vetes një histori të gjatë. Ai më shikoi. Unë e shikova. Asnjëri nuk foli. Nuk kishte buzëqeshje. Nuk kishte përshëndetje. Vetëm një heshtje e çuditshme, e mbushur me diçka që nuk di ta shpjegoj as sot.

Ndoshta zgjati pesë sekonda. Ndoshta një minutë. Kujtesa i zgjat disa çaste derisa bëhen të përjetshme. Pastaj turma kaloi mes nesh. Kur autobusi u nis, e pashë edhe një herë nga dritarja.

Ai qëndronte ende aty. Dhe më shikonte. Kaq. Asgjë tjetër. Një takim më i shkurtër se një frymëmarrje. Por për arsye që nuk i kuptova kurrë, ai njeri më rikthehej herë pas here në mendime. Në ëndrra. Në ato çaste kur njeriu pyet veten se si do të kishte qenë jeta po të kishte zgjedhur një rrugë tjetër.

Pas gati tridhjetë vitesh, ai më kishte gjetur. U ula dhe shkrova vetëm dy fjalë. “Po. Më kujtohet.” Përgjigjja erdhi pas pak minutash. “Edhe mua.” Kështu filloi gjithçka. Për tre vjet me radhë shkëmbyem qindra emaile. Ai jetonte në Novoselë. Ishte mësues historie. I ve. Asnjëherë nuk më kërkoi fotografi. Asnjëherë nuk më pyeti sa vjeçe isha. Asnjëherë nuk përdori fjalën dashuri. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye fillova ta prisja çdo mbrëmje. Ai më tregonte për detin. Për mjegullat që ngriheshin mbi lagunë. Për pelikanët që kalonin në qiell. Për librat që lexonte. Për kujtimet e rinisë.

Unë i shkruaja për ullinjtë. Për aromën e portokalleve në pranverë. Për dallgët që dëgjoja natën. Për vetminë. Gradualisht kuptova se nuk po shkëmbenim histori. Po shkëmbenim mungesa. Po i tregonim njëri-tjetrit plagët që njerëzit e tjerë nuk i shohin. Dhe nuk ka intimitet më të madh se sa t’i japësh dikujt vetminë tënde. Një natë më shkroi:

- E dini çfarë kam menduar shpesh?

- Jo.

- Sikur atë ditë në Fier të kisha bërë tre hapa drejt jush.

Lexova fjalinë disa herë. Pastaj shkrova:

- Edhe unë kam menduar shpesh sikur të kisha bërë një hap drejt jush. Për një kohë të gjatë nuk erdhi përgjigje. Kur më në fund mbërriti, ishte vetëm një fjali. “Atëherë kemi humbur të njëjtën jetë.” Qava. Jo për të. Jo për veten. Qava për të gjitha jetët që mbeten të pajetuara. Për të gjitha rrugët që nuk i marrim. Për të gjitha fjalët që i mbajmë në buzë dhe nuk i themi kurrë. Njerëzit besojnë se fati ndryshohet nga ngjarje të mëdha. Nga revolucione. Nga martesa. Nga tragjedi. Por jo. Shpesh fati ndryshohet nga një hap që nuk bëjmë. Nga një përshëndetje që nuk e themi. Nga një dorë që nuk e zgjasim. Nga një shikim që largohet shumë shpejt.

Tre vjet më vonë, ai pushoi së shkruari. Një natë. Pastaj një javë. Pastaj një muaj. Asnjë mesazh.

Asnjë shpjegim. Asnjë lamtumirë. Mendova se ishte lodhur. Mendova se ishte sëmurë. Mendova shumë gjëra. Derisa një ditë mora një email nga vajza e tij. Më njoftonte se kishte ndërruar jetë. Në fund të mesazhit ishte bashkëngjitur një fotografi. Me duar që më dridheshin, e hapa. Dhe mbeta pa frymë.

Isha unë. Një fotografi e bërë në stacionin e Fierit. Po atë ditë. Po atë pasdite. Po atë çast. Ai kishte paguar fotograf për të më fotografuar fshehurazi. Dhe e kishte ruajtur për gati katër dekada. Dyzetë vjet. Në anën e pasme të fotografisë, me një shkrim të zbehur nga koha, ishte shkruar: “Gruaja që nuk e njoha kurrë, por që më shoqëroi gjatë gjithë jetës sime.”

Qëndrova gjatë me fotografinë në duar. Pastaj hapa dritaren. Deti ishte i qetë. Qielli i mbushur me yje. Dhe për herë të parë kuptova diçka që më kishte shpëtuar gjithë jetën. Dashuria nuk është gjithmonë ajo që jetojmë. Nganjëherë është ajo që humbasim. Ajo që nuk ndodh kurrë. Ajo që mbetet pezull në një stacion autobusi, mes dy shikimeve dhe një heshtjeje. Prandaj po jua shkruaj këtë histori. Jo sepse është historia e një dashurie. Por sepse është historia e një mundësie. Sepse në fund të jetës, miku im, njeriu nuk numëron vetëm atë që ka fituar. Ai numëron edhe dritaret që nuk i hapi, udhët që nuk i mori dhe njerëzit të cilëve nuk u tha kurrë: “Qëndro edhe pak.”

Me respekt,

Një zonjë që ende ruan në sirtarin e saj një fotografi të vjetër dhe një email që nuk e fshiu kurrë.

(Tregim nga vëllimi „Misteriozja“ 2008, „Globus R“ Tiranë)

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page