top of page

Fatmir Terziu: DY TEMA

  • 4 hours ago
  • 5 min read

 1. “A po ndryshohet?”



Pas mbledhjes së fundit të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ku u zgjodhën emra të rinj dhe u rikthyen disa figura të njohura, u vu re një fenomen që nuk lidhet me politikën si ide, por me politikën si interes. Brenda pak orësh, rrjetet sociale u mbushën me deklarata entuziaste. Disa që deri dje nuk shquheshin për ndonjë angazhim publik, papritur u shndërruan në himnistë të zjarrtë. Të tjerë, që kishin heshtur për muaj apo vite, gjetën menjëherë fjalët më të mëdha për të lavdëruar profesor doktor Sali Berishën. Nuk munguan as premtimet solemne se tashmë do të shkruanin analiza politike, artikuj, komente e reflektime. Pyetja lind vetvetiu: “a po ndryshohen bindjet, apo vetëm adresat e interesit?”

Në demokraci është krejt normale që njerëzit të mbështesin një lider, një parti apo një program. Askush nuk mund ta kritikojë këtë të drejtë. Por kur admirimi lind me kronometër, sapo shpallet një listë fituesish, atëherë nuk kemi të bëjmë më me bindje. Kemi të bëjmë me një refleks të vjetër shqiptar: afrimin instinktiv me atë që perceptohet si qendra e pushtetit. Servilizmi nuk është respekt. Respekti fitohet me argumente, me kontribut dhe me qëndrueshmëri. Servilizmi ushqehet nga interesi, nga frika për të mbetur jashtë rrethit dhe nga shpresa se një ditë dikush do ta shpërblejë duartrokitjen.

Është pikërisht ky fenomen që e ka dëmtuar jetën publike shqiptare për dekada. Nuk kanë munguar intelektualët, kanë munguar karakteret. Nuk kanë munguar njerëzit që dinë të shkruajnë, kanë munguar ata që guxojnë të shkruajnë të njëjtën gjë edhe kur era politike fryn në drejtim të kundërt.

Sot shumëkush shpall se do të bëhet analist. Por analiza nuk fillon me lavdërimin e kryetarit. Analiza fillon me pyetjen. Me dyshimin. Me kritikën kur është e nevojshme dhe me vlerësimin kur ai është i merituar. Përndryshe nuk kemi analizë, kemi propagandë të paketuar me fjalor akademik. Mediokriteti nuk është mungesë diplome. Mediokriteti është mungesë integriteti. Është aftësia për të ndryshuar fjalorin sipas listës së fituesve. Është gatishmëria për të harruar atë që ke thënë dje vetëm që të dukesh më pranë atyre që vendosin sot. Shoqëritë demokratike nuk ecin përpara falë njerëzve që ndryshojnë statuset. Ecin përpara falë atyre që nuk ndryshojnë shtyllën kurrizore. Prandaj pyetja e titullit mbetet ende pezull. “A po ndryshohet?”

Nëse po ndryshon kultura e debatit, mirë se të vijë ndryshimi. Nëse po ndryshon cilësia e përfaqësimit, aq më mirë. Por nëse po ndryshon vetëm drejtimi i lavdërimeve, ndërsa servilizmi mbetet po ai, atëherë nuk kemi të bëjmë me një epokë të re. Kemi vetëm një skenë të re me të njëjtët aktorë dhe me të njëjtin tekst. Dhe kjo është arsyeja pse qytetarët vazhdojnë të mbeten skeptikë. Ata nuk kërkojnë kor duartrokitësish. Ata presin njerëz që të flasin me mendjen e tyre, të shkruajnë me ndërgjegjen e tyre dhe të mos e matin të vërtetën me rezultatin e një mbledhjeje partie. Vetëm atëherë mund të thuhet se diçka ka ndryshuar vërtet.


  1. Një provë kujtese


  2. Protesta e sotme, filmi “Koncert në vitin 1936”, Beu, Kënga e Kongresit të Lushnjës dhe kënga “Kur më vjen burri nga stani…”

     

    Historia nuk përsëritet kurrë në të njëjtën mënyrë. Ajo ndryshon kostumin, ndryshon skenën, ndryshon aktorët, por rrallë ndryshon logjikën. Pikërisht për këtë arsye, kur sheh një protestë të sotme, nuk sheh vetëm njerëz në shesh. Sheh edhe hijet e atyre që kanë protestuar dje. Sheh mënyrën se si pushteti sillet me zërin e qytetarit. Dhe, pa e kuptuar, të vijnë ndër mend filma, këngë, personazhe e ngjarje që dukeshin se i përkisnin vetëm arkivave. Filmi “Koncert në vitin 1936”, ai realizim brilant që e përdori humorin për të goditur mendësinë e servilizmit dhe të bejllekut provincial, nuk ishte thjesht një komedi. Ishte një pasqyrë e një shoqërie ku pushteti kërkonte spektakël, ndërsa populli mbetej spektator. Në atë film, beu nuk ishte vetëm një individ. Ai ishte një mënyrë të menduari. Një njeri që besonte se çdo gjë duhej të sillej rreth dëshirës së tij, se arti, muzika dhe njerëzit ekzistonin për ta kënaqur atë. Sa larg jemi sot prej atij beu?

    Në pamje të parë, shumë. Në thelb, ndoshta jo aq sa duam të besojmë. Edhe sot, politika shpesh e trajton shoqërinë si një sallë koncertesh, ku rëndësi nuk ka se çfarë ndodh jashtë, por sa bukur duket skena. Kur qytetarët dalin në protestë për hallet e tyre, pushteti shpesh përpiqet ta mbulojë zhurmën e pakënaqësisë me zhurmën e spektaklit. Është një teknikë e vjetër sa vetë pushteti: kur nuk bind dot me argumente, argëto. Por historia shqiptare njeh edhe një tjetër melodi. Në janarin e vitit 1920, kur u mblodh Kongresi i Lushnjës, Shqipëria nuk kishte luksin e spektakleve. Kishte rrezikun e copëtimit. Delegatët nuk u mblodhën për të duartrokitur njëri-tjetrin, por për të shpëtuar shtetin. Në atë atmosferë lindi edhe kënga e Kongresit, një këngë që nuk lartësonte një individ, por një ideal. Ajo nuk kërkonte privilegje. Kërkonte përgjegjësi. Nuk ishte muzikë për sallonet e bejlerëve, por për ndërgjegjen kombëtare. Kënga, në atë kohë, ishte akt politik. Ishte deklaratë identiteti. Ishte betim.

    Ndërsa në skajin tjetër të memories sonë popullore qëndron kënga e njohur “Kur më vjen burri nga stani…”. Në pamje të parë, një këngë e thjeshtë, me ritëm popullor, me atmosferën e jetës së përditshme. Por edhe ajo mbart filozofinë e vet. Ajo flet për punën, për pritjen, për kthimin, për familjen, për jetën reale që zhvillohet larg zhurmës së oborreve të pushtetit. Është kënga e njerëzve që jetojnë me djersën e tyre, jo me privilegjin. Dhe pikërisht këtu ndodhet kontrasti më i madh.

    Nga njëra anë është beu, që pret koncertin për t'u ndjerë më i madh. Nga ana tjetër është bariu që kthehet nga stani pas një dite pune. Njëri kërkon duartrokitje. Tjetri kërkon bukën e fituar me mund. Protestat e sotme lëkunden pikërisht midis këtyre dy botëve. Në njërën anë janë ata që besojnë se gjithçka mund të zgjidhet me propagandë, me shfaqje, me koncerte, me ekran. Në anën tjetër janë qytetarët që kërkojnë të dëgjohen. Ata nuk kërkojnë orkestër. Kërkojnë drejtësi. Nuk kërkojnë fishekzjarre. Kërkojnë përgjegjësi.

    Filozofët politikë, nga Aristoteli te Hannah Arendt, kanë theksuar se pushteti humbet legjitimitetin kur pushon së dëgjuari qytetarin. Në atë çast ai fillon të flasë vetëm me veten. Dhe pushteti që flet vetëm me veten, një ditë nuk dëgjon më as realitetin. Në këtë kuptim, protesta nuk është vetëm kundërshtim. Është dialogu i fundit që shoqëria i ofron pushtetit para se të lindë mosbesimi i plotë.

    “Koncert në vitin 1936” na mësoi të qeshnim me beun, sepse ai ishte qesharak në mendjemadhësinë e tij. Historia, megjithatë, na paralajmëron se çdo epokë krijon beun e vet. Ndonjëherë ai nuk mban çallmë e xhybe. Vish kostum modern, përdor teknologjinë, organizon spektakle dhe flet për sukseset e tij. Por nëse nuk dëgjon qytetarin, mbetet po ai personazh që filmi e demaskoi me aq mjeshtëri. Ndërkohë, kënga e Kongresit të Lushnjës na kujton se kombet ndërtohen mbi përgjegjësi dhe sakrificë, jo mbi duartrokitje. Kurse kënga “Kur më vjen burri nga stani…” na kujton se shteti ekziston për njeriun e zakonshëm, për atë që zgjohet herët, punon dhe pret të jetojë me dinjitet.

    Prandaj, protesta e sotme nuk duhet parë vetëm si një ngjarje politike. Ajo është një provë kulture. Një provë kujtese. Një provë për të kuptuar nëse kemi mësuar diçka nga historia jonë apo vazhdojmë të ndërrojmë vetëm dekorin, ndërsa rolet mbeten po ato. Tashmë koha kalon, teknologjia përparon, sheshet mbushen e zbrazën, por pyetja mbetet e pandryshuar që nga koha e beut, e Kongresit të Lushnjës dhe e këngëve popullore: A është pushteti në shërbim të popullit, apo populli vazhdon të trajtohet si publiku që duhet vetëm të duartrokasë?

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page