top of page

Fatmir Terziu: A nuk mjafton vetëm një roman, mes shumë të tjerëve, të propozohet për "Nobel"?

  • 13 hours ago
  • 2 min read

 

Nuk është numri i librave ai që ndërton përmasën universale të një shkrimtari. Historia e letërsisë e ka dëshmuar vazhdimisht se ndonjëherë mjafton një vepër që ndryshon mënyrën si e shohim njeriun, kujtesën, dhimbjen dhe shpresën. Kur një roman arrin të krijojë një univers estetik të vetin, të shpikë një mënyrë të re rrëfimi dhe ta detyrojë lexuesin të rikthehet tek ai edhe pasi e ka mbyllur librin, ai e ka fituar tashmë të drejtën për të hyrë në bisedën e madhe të letërsisë botërore.

Në këtë kuptim, krijimtaria e Zija Çelës nuk kërkon mbrojtje patriotike dhe as entuziazëm provincial. Ajo kërkon vetëm një lexim serioz. Romanet e tij nuk ndërtohen mbi spektaklin e ngjarjes, por mbi arkitekturën e mendimit. Çdo personazh, çdo kthesë narrative dhe çdo simbol bëhen pjesë e një mekanizmi të ndërlikuar artistik, ku realja dhe metafora bashkëjetojnë natyrshëm. Kjo është një nga arsyet pse kritika ka vënë në dukje strukturën e pazakontë kompozicionale të veprave të tij, ku rrëfimi funksionon si një ekuacion i madh artistik, në të cilin kuptimet ndryshojnë sipas këndvështrimit të lexuesit.

"SOS, një buzëqeshje" është ndër ato romane që nuk kërkon ta bindë lexuesin me zhurmë. Ai e fiton besimin me heshtje. Brenda tij, dhimbja nuk paraqitet si fund, por si mundësi për transformim. E keqja nuk mohohet. Ajo filtrohet nga një humanizëm që rrallë e gjen në letërsinë bashkëkohore. Pikërisht kjo e bën romanin të kapërcejë kufijtë e një historie shqiptare dhe të hyjë në territorin e letërsisë universale.

Shpesh, kur flasim për Nobelin, biem në grackën e statistikave, sa libra ka shkruar autori, sa gjuhë është përkthyer, sa çmime ka marrë. Por Akademia Suedeze nuk ka shpërblyer kurrë vetëm bibliografi. Ajo ka vlerësuar vizionin artistik, fuqinë për të zgjeruar kufijtë e letërsisë dhe aftësinë për të krijuar një univers që mbetet. Në këtë prizëm, pyetja nuk është nëse Zija Çela ka shkruar mjaftueshëm, sigurisht po, ka shkruar. Pyetja është nëse një roman si "SOS, një buzëqeshje", i lexuar në kontekstin e letërsisë europiane dhe botërore, ka peshën artistike për të qenë pjesë e këtij diskutimi.

Përgjigjja nuk mund të jetë emocionale. Ajo duhet të vijë nga kritika, nga përkthimet cilësore, nga universitetet dhe nga lexuesi ndërkombëtar. Por është po aq e vërtetë se letërsia shqiptare nuk duhet të presë gjithmonë miratimin e të tjerëve për të kuptuar vlerat e saj. Një kulturë e pjekur fillon duke njohur autorët e vet të mëdhenj.

Ndoshta pikërisht këtu qëndron edhe thelbi i pyetjes, a nuk mjafton vetëm një roman, mes shumë të tjerëve, për ta bërë një shkrimtar të denjë për t'u propozuar për Nobelin? Në historinë e letërsisë, përgjigjja ka qenë shpesh "po". Atëherë pse të mos guxojmë ta bëjmë këtë pyetje edhe për letërsinë shqipe, jo si akt patriotik, por si një akt besimi te forca e artit?

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page