top of page

Faslli Canaj: ERDHA, E NDEZA OXHAKUN

  • Aug 24, 2025
  • 3 min read

 

  (Poemë)

 

 Erdha..., Erdha..., Erdha....,

 

 Luajtën vendit nga gëzimi

Pyjet me lisa, përralle, shkurre e ferra,

përrenj, ara e lëndina.

 

 

Erdha..., Erdha..., Erdha...,

 

 

 

Fëshfërinin gjethet e ullinjve dhe kumbullave në rrugë,

Tastiera të buta,

Ajri hapi krahët e tij si pëllumba.

 

Erdha, të ndez oxhakun...,

 

 

 

Gurët e oborrit nisën të vallëzojnë

 

Nën tingujt e Bet’hovenit, Paganinit, Shtrausit,

 

Po më bukur ishte teksa gjunjët thyenin e përthyenin,

 

Si im at e xhaxhai  kur hidhnin vallen e bukur

 

labçe.

 

 

 

Erdha, oxhakun të ndizja...,

 

 

 

Tjegullat ngritur në këmbë,

 

Si ushtar qëndronin në rresht gatitur 

 

E s’ndalnin stuhinë e duartrokitjeve.

 

 

 

Erdha, të ndez oxhakun...,

 

 

 

Hardhia më bëri dush me mushtin,

 

Pastaj për dore më mori, kokën më zhyti

 

Të thaja krejt butin.

 

 

 

Erdha të ndez oxhakun...,

 

 

 

Pra portës, kulpër u përkula,

 

Menteshat e portës derdhën lot malli

 

Pragu i portës me lot më lau si dhe e lava.

 

 

 

Pastaj rashë në gjunjë e pragun në buzë e putha,

 

Kanata e portës ballin më me zjarr më puthi,

 

Se sa unë e putha.

 

 

 

M’ u vesuan sytë, balli, faqet, kraharori

 

Dhe gusha.

 

 

 

 

 

Erdha të ndez oxhakun...,

 

 

 

Në mure faqen mbështeta,

 

Ndjeva si gjaku tyre shpërtheu si gjaku aortës

 

Dhe gurët plasën, u çanë , si pas shiu të tetorit

 

Çahet shega.

 

 

 

Erdha të ndeza oxhakun...,

 

 

 

Nën çati, në kor, ia shkulën një kënge

 

Me iso të fortë petavrat

 

Dirigjonin trarët.

 

 

 

Erdha, u ula pranë oxhakut...,

 

 

 

Ai, me buzëqeshje trëndafilash të bardhë

 

E veshi anë e mbanë

 

Vatrën.

 

 

 

Erdha..., Erdha..., Erdha...,

 

 

 

I ikur kurrë nuk kam qenë,

 

Këtu përherë pranë oxhakut qesh,

 

Dhe pse vendit e botës i jam sjellë vërdallë

 

Cep më cep.

 

 

 

Erdha..., Erdha..., Erdha..,

 

 

 

Koha më çoi deri larg në të tjera planete

 

Po kudo ku isha oxhakun e kisha

 

Përherë me vete.

 

 

 

Erdha..., Erdha..., Erdh...,

 

Kur ikja, me hap breshke lëvizja,

 

Si flutur më shpejt se sa ikja vija

 

Se vetëm, oh vetëm, gjatë dot atë

 

S’ e lija.

 

 

 

Erdha,  ndeza oxhakun...,

 

 

 

Me gjunjë përthyer në vatër

 

Me eshkë e masat u vura flakën

 

Shkarpave.

 

 

 

 

 

 Erdha...

 

 

 

Oxhaku Ia krisi të qeshurës vesh më vesh,

 

Flaka nisi mesin të këput më dysh

 

E vals, me faqet e oxhakut, hedh.

 

 

 

Erdha, e ndeza oxhakun...,

 

 

 

Flaka shkrumboi  rrjetat

 

Dhe përcëlloi brenda tyre

 

Merimangat.

 

 

 

Erdha, ndeza oxhakun...,

 

 

 

Tymi i bardhë

 

Pushtoi qiellin

 

Si në Vatikan kur zgjedhin Papën.

 

 

 

Erdha, e ndeza oxhakun...

 

 

 

Mbi shkarpat, kërcunj prralli e lisi hidhja,

 

Me mashën e vjetër i shkrepja,

 

Shpuzën hapja, trazoja, rrëzë oxhakut e shtrija.

 

 

 

Erdha, ndeza oxhakun...,

 

 

 

Me mashë shpuzova krejt vatrën

 

Vura mbi të ponicën, e hodha përsipër

 

Çerepin e saçin.

 

 

 

Erdha..., Erdha..., Erdha...,

 

 

 

Mund të shkoj ndoshta,

 

Në Hënë, Jupiter a dhe të vizitoj Marsin,

 

Po me një frymë do zbres

 

Të ndez në çdo kohë

 

Oxhakun.

 

 

 

Erdha, ndeza oxhakun...,

 

 

 

M’ u drithërua zemra,

 

M’ u lëbyrën sytë,

 

M’ u flakëzua shpirti,

 

M’ u prushëruan faqet.

 

 

 

Erdha, ndeza oxhakun...,

 

 

 

Shihja nga kolltuku

 

Të kërcisnin xixat, e ndrisnin si xixëllonjat,

 

Kujtimet e lashta.

 

 

 

Erdha, ndeza oxhakun...

 

 

 

Hopa kërceva nga kolltuku

 

(Domosdo kisha kolltuk dhe këtu,

 

Modernuar ndër vite)

 

Dhe u ula mbi të dhirtën  postiqe.

 

 

 

Erdha, ndeza oxhakun...,

 

 

 

Këmbëkryq kockat sheshova

 

Fëmijë, nisa  oxhakut xixëllonjat të numëroja.

 

Ato, xixa përcesh vallëzonin, 

 

Unë, si dikur fëmijë, sysh i humbja,

 

Ngatërroja.

 

 

 

Erdha, ndeza oxhakun...,

 

 

 

Mbi dërrasat e nimit brinjë e kokë mbështeta

 

Oh sa ëmbël mbylla sytë,

 

Si qengj fjeta.

 

 

 

Erdha, ndeza oxhakun...,

 

 

 

Qepallat e rënduara, një ditë,

 

Këtu t’i ul, gjumi i thellë, mbi këtë nim të më  marr,

 

Kokën mbështetur ta kem në cep të vatrës,

 

Fryma prej buzëve dalë

 

Të mbajë gjallë

 

T’i fryjë zjarrit, butësisht, ngadalë.

 

 

 

Tiranë, 13-14 gusht 2025

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page