top of page

Faruk Myrtaj: Vetëm “partia e Ramës” bën reforma?!!!

  • 12 hours ago
  • 4 min read

Faruk Myrtaj: Vetëm “partia e Ramës” bën reforma

 

(Arkiva e „Fjala e Lirë“ 2016)

 

Dëgjon këtë gjoja kryetar qeverie, që dikur rrëfehej se “s’ishte politikan”, ndërsa tani pretendon se reformon Partinë Socialiste, dhe nuk beson dot jo më se ka mundur e rrëzuar Sali Berishën nga pushteti, por as që busti i Enverit është rrëzuar nga Blendët e të tjerët e Dhjetorit, që edhe në ’90-ën erdhi pas Nëntorit… O njeri, a s’e mendon dot si tingëllon kur llomotit në këtë mënyrë e thua se “PS është e vetmja parti që bën reforma”?!

Enveri, tek e fundit, kishte të drejtë kur thoshte se PPSH ishte e vetmja parti. S’kishte tjetër në faqe të dheut. Ajo i bënte të gjitha: edhe paqen, edhe luftën e klasave; ajo dekoronte, ajo shpallte armiq të popullit; ajo i jepte shtëpi Ismail Kadaresë; të drejtat për shkollat e larta ajo i ndante; ajo ua caktonte edhe përkthyesit shkrimtarëve, le të ishte ai edhe nga “Akademia e Kuçit” e të burgosurve politikë. Ajo ua nxinte, zbardhte apo zverdhte biografinë shqiptarëve, aq sa nuk e njihnin më veten kur plasi demokracia dhe u hap kufiri me Europën.

Asokohe, siç me siguri e keni dëgjuar edhe ju, zoti kryeministër, në dasma a davete ngrihej një kryedolli:

“Parti, gjithë bota!”

Mbase kot e rikujtoj, sepse jo vetëm që mund ta keni ditur, por ndoshta e keni treguar edhe në vizitat tuaja nëpër botë. Dhe mirë keni bërë. Shumë më mirë të keni treguar këtë sesa të bëni batutën e fundit, sipas së cilës mund të ofronit jo Shqipërinë e gjorë, siç e keni katandisur të gjithë ju, por Shqipërinë e “Kërpudhës” suaj, për të zëvendësuar Anglinë e demokracisë së hershme në Bashkimin Europian. Mbase, kur dikush qeshi për të justifikuar vonesën e fillimit të procedurave për hyrjen në Europë, ju keni shtuar nën zë se, përderisa ndodhi që ju u bëtë kryeministër nga PS-ja, sigurisht do të vinte një ditë gallate edhe për Europën…

Ta merr mendja se, kur shqiptarët e ardhur në qejf, por deri në fund të kujdesshëm, uronin “Parti, gjithë bota!”, s’e kishin fjalën te pluralizmi i Ramiz Alisë. Atëherë ideja ishte që të gjitha partitë e botës duhej të bëheshin si Partia e Punës; më shumë akoma, të gjitha të vareshin prej saj, domethënë prej shokut Enver.

Tek e fundit, ishte monizëm. Diktaturë e proletariatit me Kushtetutë, zoti Rama.

Por tani, së paku formalisht, jemi në pluralizëm. As kaq nuk konsiderohet nga ju? As formalisht nuk e respektoni dot pluralizmin?

Mirë PD-ja, që mori një milion shuplaka. Nuk ju shkon ndër mend se edhe ajo mund të ketë bërë reforma – edhe me konsulencën e Europës – siç po bëni ju tani? Nuk ju shkon ndër mend se sërish do t’i vijë radha të bëjë reforma në të ardhmen? Apo besoni sinqerisht se në pushtet do t’ju kemi vetëm ju këtej e tutje, siç i shkoi ndër mend edhe paraardhësit tuaj?

Pra, mirë që PD-në e keni hequr nga lista e të denjëve për reforma, po LSI-në, që e keni pasur edhe aleate, a thoni se as ajo nuk di të bëjë reforma? A s’bën ta thoni pak më shkoqur? Po partitë e tjera aleate? Ajo e Nard Ndokës, për shembull? Apo ajo e Bamir Topit? As reforma lokale nuk paska ditur të bëjë një ish-president?

Mos vallë është vetia e karriges numër një që e presupozon të ulurin në të si kryetar të të gjitha partive?

Ju e thoni kudo se këto që po bëni ju dhe kabineti juaj nuk kanë ndodhur në 25 vjet. Por a nuk ju shkon ndër mend se ndihen ngushtë ata që kanë qenë në krye të shtetit dhe të qeverive gjatë kësaj periudhe? Nuk ju shkon ndër mend se kryeministra kanë qenë edhe Ylli Bufi e Fatos Nano, Aleksandër Meksi e Sali Berisha, Pandeli Majko e Ilir Meta?

Vetëm ju e ditkeni dhe vetëm ju e dashkeni pluralizmin, o Edi Rama? Vetëm ju e dashkeni Partinë Socialiste? Po si ia kanë bërë pa ju socialistët? Si kanë duruar dot pa ju shqiptarët, pluralizmi dhe demokracia e tyre, o njeri? Ku keni qenë ju kur tërë shqiptarët bënin qejf dhe askush nuk punonte, askush, as edhe një njeri për be?

Dhe, më e rëndësishmja akoma: si do t’ia bëjnë shqiptarët pas jush, nuk ua thoni dot? Thuajua që tani, në mos i ftoni të mendojnë se jeni i përjetshëm.

Kuptohet, ju lini të kuptohet se e keni me Ben Blushin. Beni mbase kërkon shumë nga PS-ja, diçka që ajo e gjorë nuk mund t’ia ofrojë, dhe aq më pak do të mundet po të bëhet siç dëshironi ju. Por, nga mënyra se si po silleni ndaj tij, po e ktheni në një Ed të Dytë, si Edin e “Refleksioneve”, të cilin, pse ta fshehim, e kemi përgëzuar së paku heshturazi.

Heshturazi, sepse heshtja është tërë ajo hapësirë mes fjalëve që thuhen dhe atyre që bëhen. Në atë hapësirë kanë ndodhur aq shumë gjëra, sa njeriu nuk mund të rilindë përditë, për fat.

Duke folur në emër të partisë që e keni akaparuar, i dilni përpara partisë që mund të detyrohet të krijojë Beni. Sepse, nëse Kongresi nuk dëgjon zërat ndryshe, partitë e reja lindin pikërisht nga kjo bindje e vjetër se vetëm njëra di, vetëm njëra bën dhe vetëm njëra ka të drejtë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page