Faruk Myrtaj: PUNË LIBRASH, JETËSH DHE KOHËSH TË VONUARA
- 15 hours ago
- 2 min read

-etyd-
Kisha dalë vetëm, deri te ‘bregu i liqerit’, një kafe vetëm me veten dhe po kthehesha, më këmbë, e cfarë pastaj se do duhej të ecja më shumë se një orë?! Vura kapuçin mbi kapele dhe hë, qen i biri qenit, doje tokë të premtuar, ja tek e ke...edhe pa ta premtuar kush!
Ai i Pari yt, e kishte tokën e tij në Vendlindje, por kurrë nuk e desh, në mos u gëzua që ia morën të kuqtë! Edhe më pastaj, çdo lloj pune bëri në qytet, vetëm e vetëm të mos kthehej atje ku ishte lindur, edhe pse truallin, pemët, vreshtat, kodren dhe lëndinën ku sot prehet varri i tij, i kishte të vetat. Dukej sikur do mund t’i pranonte tërë ata njerëz atje, që i donte shumë, me kushtin e vetëm të mos i kërkonin tu bashkohej 'si vella', në ate fshat sic ishte bere...Mbase prandaj nuk ia dëgjuam kurrë nostalgjinë...
Qëndrova për pak në një nga ato libraritë-kioskë anë-rruge, më zuri syri nja tri katër libra të nobelistit J. M. Coettzee. Ia vlenin t'i lexoja, aty mund t’i merrja falas, por... mu hiq sysh edhe ti, i thashë pas një hopi kotësie shfletimesh.
“Mu hiq sysh edhe ti, ke ardhur vone tek unë...! Edhe tani, në një gjuhë që më është edhe më e huaj se unë këtu!”
Pa i lënë kohë të më kujtonte se i vonuari isha unë në ardhjen tek bota e tij.
Arrita në shtëpi, mbusha pjatën me gjellë mish e bamje- kush ua dinte emrat ca gjërave të tjera brenda saj, t’ia bëja qejfin stomakut, se mendja dhe shija te etura do të mbeteshin!
Kot nuk kisha mërguar në qendrën e botës!
Të kësaj bote që dija, of course, shtova në këtë gjuhën e dytë që më ndihte sa herë tallesha pa mëri veten...








Comments