top of page

Faruk Myrtaj: NUK DONTE T’I MBYLLTE SYTË NË VENDLINDJE

  • Apr 19
  • 5 min read

-tregim-

“…Prindërit më kishin lënë herët dhe unë e pata lehtë të mërgoja.

Jam kthyer disa herë në vendlindje dhe, nga aeroporti ku zbres, te varrezat e fshatit të prindërve e mbaj frymën. Nuk di pse besoj se në këtë vend vetëm të vdekurit më presin pa u shtirur dhe pa interes. Dhe ata që u bënë shkas të ikja nga sytë këmbët prej andej, ata dalin e më përqafojnë, më thonë kot bëra që ika në dhera të huaja, dhe më tej akoma, më thonë: vendi yt është këtu!

Mbase u ka rënë në sy që unë kthehem atje vetëm për shkak të varreve!

 ***

Pas ca kohe pune në mërgim ua ngrita një varr të përbashkët, prindërve, një varr të bukur - nëse mund të thuhet “i bukur” për varrin e atyre që të kanë bërë kokën e të kanë filluar ai që je. Sa herë që vij, e pastroj mirë e mirë dhe e mbush me lule, varrin e tyre. Ngaqë s’mund të bëj gjë tjetër, vendos lule edhe në varret e të tjerëve rreth e qark tyre, çmallem me ta, më shumë me mbiemrin e njerëzve të mi, edhe pse të vdekur nuk e bëjnë më atë që ka qenë, vendin ku kam prindërit e mi.

Kur bëj të largohem prej varrezave, më duket se s’kam ku vete.

 ***

Janë shtruar rrugët, pallatet e shtrenjta dhe kullat janë shtuar, edhe pse më thonë se ato janë bosh, në të shumtën, sikur presin banues të tjerë më të kamur se vendasit, pra se njerëzit e mi, edhe në fshatrat shtohen shtëpitë si vila prej emigrantëve, më thonë. Unë i shoh tërë sa duken por nuk e besoj dot dukjen, se njeriu më duket bosh, nga brenda.

Nuk e besoj dot se të tërë aty dëgjojnë premtime që edhe pse e dinë se kurrë nuk do tu ndodhin, flasin për para, pa punuar, as me mundimin më të vogël. Mburren se ia marrin mollën kujtdo nga dora, edhe të vetit, dhe se s’kanë turp nga turpi. Një miku im kishte shkruar një libër kundër një miku të përbashkët. “Pse ia bëre...?” e pyeta. “Dikush do t’ia bënte, më mirë t’ia bëja unë!”, tha. “Po pse ti?” ngula këmbë unë. ”Ne që kemi mbetur këtu kështu bëjmë”, tha ai, “ia plasim njeri tjetrit!”

Dëgjoj kaq muhabete për këto lloj gjërash dhe e lë vendin, përpara kohe. Paguaj për ndryshimin e  biletës, por pa asnjë mëdyshje: ngjitem në qiellin mbi aeroport duke thënë se ky vend s’më bëhet dot kurrë i bukur sa kodra ku prehen prindërit e mi…”

 ***

Teksa më thotë këto fjalë, i dridhet buza. Kthen kryet nga ana tjetër.

Kërkon të mos e shoh kur qanë? Të mos marrë vesh në qan për veten, për prindërit apo për kë, se për atdheun, këtë lloj atdheu siç sapo ma rrëfen ai, s’besoj se i shkon ndërmend.

“Atyre rrugëve të botës, ku kam dal për kësmet, e gjeta veten me fat. E them këtë, edhe pse jetimi s’ka për të dalë e shpëtuar dot kurrë nga unë. Në atë Amerikë që gjeta, u bëra zot i vetes, edhe pse me këmbët në ajër. Vetëm kur ngrihem në avion prej atje dhe nisem për të arritur në këtë truall që i them atdhe, kujtohem cili jam. Zbres në dherat ku jam lindur, më shpërgjumet trupi e shpirti.

E prapë, sado që këmbët vetëm këtu zënë truall, pa u mbushur mirë dy javët, nis e më mbahet fryma, dhe dua të iki një orë e më parë…”

Dukej sikur s’donte t’i thoshte këto fjalë, por nuk i rrihej dot pa folur. Prej gojës së tij i dëgjoja, të këtij njeriu në një moshë që zor ta quaje plak, edhe pse tha se i kishte kaluar të shtatëdhjetat.

“Herë e quaj atdhe herë mëmëdhe, por nuk e ndjej as At’ as Mëmë. I humbur me të gjitha.

Më është fiksuar se në këtë truall duhet doemos të bashkohesh me njërin kundër tjetrit, me gjysmën kundër gjysmës tjetër. Atje ku jemi, ku kemi dalë për kësmet, s’na ka njeri në llogari, por së paku na lënë në hallin tonë.”

 ***

Teksa zinte ngoje vendlindjen, varret e prindërve, shtëpinë e mbetur pa njeri mes shtëpive të tjera- edhe ato pa njerëz, bënte me dorë për të-poshtë avionit me të cilin largoheshim. Kur e sillte fjalën të gjallët, bënte me dorë për nga prapa shpinës…

“Duket se do vdes atje, në të huaj, në Amerikë. Apo të duket e bukur ty se po të vdes në Amerikë është bukur?! Nuk kam për të vdekur dot në vendlindje, këtë po të them, më duket e pa mundur. Ua thashë njerëzve që kanë mbiemrin tim: ‘Nuk kthehem më’!

U ndava së gjalli me ta!”

E vështroja trazuar, me kujdes, mos mendonte se dyshoja se kjo që më tha ishte ikje nga vetja, frikë nga njerëzit që i kujtonin të shkuarën, apo që ikte prej të shkuarës dikur që s’ishte më atje ku kishte qenë dikur...

Nuk kuptoja dot nëse kjo mëri prej të gjalli i vinte se i kishte vuajtur shpirti teksa ngjizej e rritej ashpër dhe e kishin shtyrë të merrte rrugët, apo ngaqë aty ku kishte arritur ndjehej me fat.

“Të dy shtëpitë që kam në Amerikë, do t’i lë me testament t’i shesin për të ndihmuar fshatin e prindërve të mi...por unë vet nuk kam për të vdekur atje!”

U frikej ditëve të fundit në vendlindje? Merak se mos ia helmonin edhe trupin si shpirtin, se ia varrosin shpirtin bashkë me trupin, së gjalli? Nuk e linin rehat, as në varr? Se, edhe te varrezat, do t’i kërkonin të grindej edhe me të vetët?

I prerë në mos-dëshirën për tu kthyer me gjallje, edhe pse tregoi se s’ishte hera e parë që e linte vendlindjen si për të herë të fundit! Gjithnjë sipas fjalëve në ikje e sipër, e besoja se do të kthehej prapë, siç kishte bërë edhe herë tjetër, por ia ndjeja hakërrimën e pakthyeshme për të mos mbyllur sytë aty.

E vetmja gjë që ende s’ma kishte thënë dhe për të cilën shkova ndërmend ta pyesja, A do ta linte amanet që, një ditë, dikur, t`ia sillnin trupin, hirin apo eshtrat në dherat e të vetëve, mu duk cinike t’ia bëja.

 ***

Tërë pjesën tjetër të udhëtimit, nuk ia dëgjova zërin.

Sikur s’donte të shtonte a të ndryshonte gjë, nga ç’më kishte thënë. Sikur druhej se, po të fliste, do këmbente mëndje. Sikur dyshonte se me që atje premtonin dhe mashtronin të gjithë ata që bëheshin me pushtet, do ta mendoja edhe atë si gënjeshtar...

Edhe kur u ndamë, thjesht valëviti dorën, si një copë dallge që e fshehu prej syve të turmës edhe pse askush tjetër nuk dinte për bisedën tonë.

1 Comment


Guest
Apr 19

Urime e suksese! Pena jote është frymëzim për të zgjuar nga gjumi një popull që është i sëmurë nga militantizimi politik i tejskajshëm,i mbushur me urrejte e armiqësi ekstreme për ta zhdukur kundërshtarin ideologjik me rrënjë e degë. Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët e indoktrinuar që mbjellin përçarje e armiqësi. Harrojnë nënën Shqipëri nga verbëria e militatizmit të fymëzuar nga parti politike shterpe që u shërbejnë më shumë angjeturave të huaja. Ju uroj jetë të gjatë me gëzime në familje dhe suksese në krijimtari i dashur Faruk Myrtaj. Përqafime nga larg

Qatip Mara

Raleigh North Carolina USA

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page