top of page

Farije Limani Hasani la me shpirt ditët e mira për njerëzit e jetës së saj


Farije Limani Hasani la me shpirt ditët e mira për njerëzit e jetës së saj

Prof Dr Fatmir Terziu


Farije Limani Hasani dedikoi një jetë të tërë në shëndetësi. Përkrah gjithë jetës së saj në krahun e saj të djathtë, me doktorin kirurg, të mirënjohurin Arif Hasani, ajo duket se mbeti në hije për humanizmin, përkushtimin, dashurinë njerëzore ndaj pacientëve, shërbimin e saj të përkushtuar e mjaft të tjera, që shkojnë tek mikpritja dhe devotshmëria familjare dhe shoqërore. Ajo gjithnjë ka qenë dhe mbeti një model urtësie, respekti dhe humanizmi të thellë, me shpirtin e saj të madh njerëzor, deri sa ndërroi jetë dhe shkoi në duart e Zotit këto ditë.

Nuk ma merr mendja se ka njeri (kur ka qenë në nevojë shërrimi) që nuk e ka provuar mikpritjen në shtëpinë e doktorit Arif Hasani, në Tomin të Peshkopisë, duke ditur se ai dhe ajo ishin thuajse 24 orët e ditës dhe gjithë ditët e javës në shërbimin mjekësor, si në spitalin e Peshkopisë ku punonin ashtu dhe në orët e tjera në shtëpi. Ky ishte një fakt. dhe fakti mbetet i gurtë, i metaltë, i shenjtë dhe i shtrenjtë. Dhe ja një rast nga qindra të tjerë…

Rruga e Blirëve në Peshkopi ishte zbardh. Këmbët kërcisnin më shumë se sa ngrica që përcillej si fijëza të holla gjilpërash të shkulura nga damarët e asfaltit. Autobuzi i linjës Klenjë-Peshkopi na shpuri vonë. Madje ai na ndaloi mjaft larg. Pjesën tjetër e bëmë në këmbë. Në atë autobuz ishte dhe një vajzë e sëmurë me gurë në veshka nga Gjinoveci. Ajo rrënkonte dhe ne të gjithë sa ishim nuk ishim të aftë ta ndihmonim. Morëm rrugën për në spital dhe … rruga ishte aq e gjatë sa nuk mund të përshkruhet tani. Arsyeja ishte defekti i autobuzit që na vonoi dhe rruga thuajse kallkan. Pasi e ndihmuam atë vajzën e sëmurë, u duk se kishim pak qetësi.

Dhe ne kështu u turrëm drejt hoteleve. Të gjithë hotelet ishin zënë, se kishin ardhur delegacione të huaja. Dhe dëbora vazhdonte të bënte atë që mbahet mend në vitin 1985…, mes egërsisë së fraqtë dhe erës që të merrte përpara.

Në rrugë nuk ndihej askush. Papritmas u dëgjuan disa hapa të lehtë. Dhe më pas një dialog. Dy burra që duket se i thanë Natën e Mirë njëri-tjetrit. Pastaj sërrish hapat ishin më shumë. Ishte një çift. Nuk mundëm të shiheshim në sy. era na kishte bërë si pemëra të krishtlindjeve. Por për gruan që ishte në krah të ttë shoqit të saj nuk e di pse nuk kishte arsye tjetër, vetëm të na drejtohej: „Pse në rrugë? Nuk paskeni gjetur vend? Është kiamet. Nuk e shikoni? Ne po kthehemi nga spitali ku kishim shumë urgjenca sot…“. Kaq u desh, pa na njohur mirë e pa na pyetur se nga jemi vetëm na bëri me shenjë që ta ndiqnim pas. Kur mbërritëm afër Hotel Turizmit, u ndalëm dhe u pamë në dritë. Aty një pjesë e mësuesve që kishin ardhur për seminarin e radhës u sistemuan në korridoret e hotelit…, ndërsa unë nuk mund të ikja dhe as të justifikoja me asgjë falë këmbënguljes së Faries.

E kështu atë natë ngritëm dolli me raki me Dr Arifin, që në raste të tilla nuk mund të linte larg dhe shokun e tij më të mirë, që e kishte si vëlla, Mustafa Kurdedën, dhe ky një specialist profesionist diku në institucionet lokale. Farija na priti duke harruar lodhjen dhe kështu dita u gdhi e bardhë, por sërrish e fraqtë, por me një mesazh të zjarrtë në brendësi që më mbante ngrohtë në ditët në vazhdim.

Atë natë ndiqja qetësinë dhe thjeshtësinë e gruas, që vetë shërbeu në mjekësi, për një jetë të tërë, por që gjthnjë kishte busull dhe drejtim profesionalizmin e bashkëshortit të saj të dashur dhe një qëllim më vete, familja dhe humanizmi.

Në ditë të tjera, në muaj të tjerë, në vite të tjera, ky emër që kishte lidhje të shumta me jetët njerëzore, natyrisht jepte vetëm mirësi dhe jetë për njerëzit dhe njerëzoren e la me shpirt për ditët e mira dhe për njerëzit e jetës së saj. Teksa e mora këtë lajm të dhimbshëm nga rrjetet sociale ndjeva vërtet një dhimbje të thershme, një grimë detyrimi përpërcjelljen dhe ngushëllimin, në këtë rast në pamundësi për të hedhur një grusht dhe të lehtë mbi arkivolin e saj. Ngushëllime Dr Arif Hasani, ngushëllime fëmijëve të saj të mrekullueshëm, ngushëllime të gjithë atyre që e kanë ndjerë humbjen e saj.

194 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page