top of page

Faleminderit të gjithëve!


Faleminderit të gjithëve!


Mendimet e një dite të shënuar ngjizen brenda mijëra urimeve në boksin e mesazhierit dhe qindra të tjera në atë që ta „mbajnë“ (më)sysh më vete rrjetet sociale. Ajri është i mëngjestë dhe i freskët, aroma e një spërkatjeje ujore të lehtë parfumon gjithçka që më rrethon dhe zagushia e hollë qëndron në atmosferë. Më përkëdhel fytyrën kur hap derën e kopshtit të shtëpisë së djalit tim, Andit dhe përhumb nëpër shtegun që të shpie në oborrin e gjelbër të saj, një rrugë e vogël, e thjeshtë, e lumtur, e butë si krahët e molës mbi mëndafsh dhe kur tashmë nuk është në detyrën e vërtetë të misionit të një dite të tillë.

Një lis i madh qëndron i gjatë dhe i fuqishëm, në ballë të kopshtit (kushedi nëse është moshatar me mua?!) teksa e shoh këtë si një shfaqje madhështore e solidaritetit të një dite të ngrohtë londineze në oborrin e shtëpisë së djalit tim, me një të qarë të vogël në anën tjetër të paraguzhinës ku Princesha Elize, qëndron mbretërisht e diktuar në krahët e mamit të saj Emirjonës, dhe dëshiron të tërheqë vëmendjen e kësaj dite, por jo tejet imponuese.

Është në kahje të lisit, ky zë i butë i sjellshëm, i qeshur dhe triumftar, dhe shoh që ne të gjithë jemi aty në atë zë në një farë mënyre, të papërpunuar dhe të shkulur nga zelli dhe forca që të jep ai. Dhe i tejçoj sytë anembanë … Unë prek gjurmën e qasur të gjelbërimit që zotëron, grima e jetës dhe e shpresës dhe kujtesa e ndjeshme që gjërat kthehen dhe që gjërat të ecin përpara.

Gjelbërim i butë nën barin e njomë, të njomur dhe si sfungjer, dhe vetëm atje mbahet sygjendja, e pastër dhe e vërtetë.

Ul jakën e vogël të trikos së veshur dhuratë për këtë ditë, dhe shtrëngoj mbështjellësin e një emocioni që shëtit pandjeshëm rreth meje. Ende ngjitur me lëkurën që është pushtuar nga temperatura 30 gradë celcius e kësaj dite. Por të paktën po mbrohem nga rrezet që depërtojnë në pore të lëkurës. Më lejohet ende të kapem pak pas fjalëve që vijnë dhe ngulen në këtë tryezë, ku qëndron tashmë një Lojtar ndryshe „Terziu 24!“ Imagjinar për ekipin që përqafon këtë triko. Mendoj. Ndonjëherë duhet të kapemi dhe për këto vogëlsira, për të na ndihmuar të largohemi. Dhe gjithsesi, e di që më në fund ka ardhur koha për të trokitur gotat me familjen time të mrekullueshme, sado i hutuar të jem, sepse edhe pse çdo përqafim që marr këtu, përveç pëlhurës së trikos sime, është i një emocioni të padukshëm, që pret të shpërthejë në fryrjen e qirrinjve të tortës.

Unë nuk jam i përhumbur.

Dhe kjo përhumbje nuk bën gjë tjetër veçse sjell paqe, dhe disi ma ngroh zemrën këtë herë në vend që ta bëj të ndjehet ndryshe.

Një rubin nën gjethet e përthara me trazimin e ngjyrës si të ndryshkut përcjellin procesin e fotosintezës në anën tjetër. Është ajo që shoh përmes mbetjeve të tilla, ku rrezet e forta godasin më së shumti anën që përcillet mes hijes së pemëve. Pastaj syri depërton më tej në mënyrë që të kujtoj se çfarë është e bukur.

Këto ngjyra nuk duken më si të panjohura edhe në këtë ditë të 24 Korrikut 2022! Ngjyrat si të gjitha ngjyrimet, edhe ato janë një muzg: durim vape, por me një kthim të garantuar në atmosferën e tyre natyrale. Fillimet, mbarimet, nisjet dhe kthimet, kjo është një ekzistencë. Por një jetë është kur shikojmë prapa me dëshirë dhe pranim, për të mos harruar kurrë, por për të mos qëndruar shumë gjatë mbi atë që ka qenë. Ëmbëlsia, hidhësia, thartira: një udhëtar i gjendur në këtë tryezë duke bërë rrugën e tij përgjatë një shtegu me ornamentin e natyrës në njërën anë: qetësi dhe pushim, dhe ngjasia e rrjedhës nga ana tjetër: vera është në kulmin e saj dhe ju po ashtu. Unë e di se cilën anë jam gati të kërkoj tani. Anën e një Fjalori të Madh me kapakë të trashë ku të jetë shkruar e sqaruar dimensionalisht një Faleminderit i Madh Hyjnor për të gjithë Ju që më uruat përzemërsisht në këtë datë të lindjes sime. Një Faleminderit Gjigand! Për atë që merret në verë, është kthyer gjithashtu vetvetiu nga sytë e mi, nga buzëqeshja ime, nga fjala e brendshme, nga dashuria për të gjithë Ju miq të nderuar.

Dhe dëshmia është në qenien tuaj në këtë anë të rrugës me mua. E di, sepse i shoh gjërat më të mira tani. Unë shoh vetëm ngjyrat e bukura dhe lisat që zgjaten në tërësinë e vetë urimit për ditën më të mirë e më të bukur të jetës së Njeriut. Po. Kjo verë është ndryshe tashmë. Ka marë peshën, forcën, jetën, dëshirën, zemrën e bardhësisë së urimeve tuaja. Ju Faleminderit! Faleminderit o Zot i Madh për këta miq, shokë, familjarë të mbarë! Faleminderit! Faleminderit! Faleminderit!

38 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page