Fahri Dahri: Si u “fshinë” shqiptarët e Çamërisë në vite
- 2 days ago
- 3 min read

PËRBËRJA ETNIKE
(Si u “fshinë” shqiptarët e Çamërisë në vite)
Shteti grek nga viti 1913 deri para ngjarjeve të vitit 1944, duke përdorur metoda nga më të ndryshmet për spastrimin etnik të çamëve myslimanë, arriti të ndryshojë raportet që zinin çamët dhe grekët në këtë krahinë: Brenda 30 vjetëve (1913-1943), sipas të dhënave statistikore vetëm për Filatin, Gumenicën, Paramëthinë dhe Margëllëçin (mbeten jashtë këtyre të dhënave Parga, Preveza dhe Arta për mungesë të dhënash) në vitin 1913, popullsia gjithsej ishte 51.110 frymë nga këta çamë 43.218 frymë ose 85 %, ndërsa grekë kishte 7.892 frymë ose 15 %; në vitin 1943 popullsia gjithsej zbriti në 43.497 frymë, nga këta çamë 26.884 frymë dhe grekë 16.613 frymë, duke pësuar ndryshime të ndjeshme të raportit ku nga 85 % që zinin çamët, arritën në 62 %, ndërsa popullsia greke ishte rritur nga 15 % në vitin 1913 në 38 % në vitin 1943. Si rrjedhojë numri i popullsisë çame ishte pakësuar në 16.834 frymë dhe ajo greke ishte shtuar 8.721 frymë. Sipas të dhënave statistikore, të pjesshme që jepen nga Greqia, popullsia e zonës së Çamërisë në vitin 2005, ka arritur në 184.091 frymë, nga këta çamë myslimanë nuk ka asnjë frymë. U arrit spastrimi nga çamët myslimanë si dhe asimilimi i çamëve ortodoksë. Çamët ortodoksë nuk u persekutuan, nuk u vranë, nuk u therën, nuk u shpërngulën, sepse sipas teorisë greke ata ishin ortodoksë dhe çdo ortodoks është grek.
FILLIMI
Masakra e parë në Paramëthi. Në Shkurt të vitit 1913, shovinistët grekë, arrestuan 72 burra nga më të dëgjuarit në rajonin e Çamërisë, i morën dhe i çuan tek një përrua në Selan të Paramëthisë dhe kapiteni Deli Janaqi (me sa thotë kujtesa-ai ishte Gjiritas d.m.th. nga Kreta) me 200 andartë të bandës së tij, pasi i masakroi, u preu kokat. Ky ishte veprimi i parë që bënë grekët për t’ju treguar çamëve se ky do të ishte qëndrimi i Greqisë ndaj tyre dhe Fuqive të Mëdha, se kështu di të falënderojë Greqia ata që i dhuruan tokën dhe popullin e pafajshëm të Çamërisë.
ÇAMËT ORTODOKSË
Si u asimiluan nga shteti grek)
Çamët ortodoksë janë në vendin e tyre, në Çamëri, por nuk gëzojnë asnjë të drejtë si pakicë kombëtare shqiptare, atyre nuk u njihet gjuha, nuk kanë shkolla shqipe, nuk u lejohet të flasin apo të shkruajnë shqip, nuk u lejohet të deklarohen çamë të racës shqiptare, etj. Greqia është deklaruar se nuk ka asnjë pakicë shqiptare në Greqi. Pra dhe me çamët ortodoksë ajo mendon se e ka arritur strategjinë e saj të asimilimit të tyre në grekë. Kështu hapësira e Çamërisë së fisit ilir të Thesprotisë, aktualisht është uzurpuar nga Greqia, por duke njohur historitë e ndryshme të shumë popujve, kam bindje të pa lëkundur se do të ndodhë një ditë “Mrekullia e rikthimit në identitet të saj” dhe” si çamët ortodoks dhe ata myslimanë, njerëz të së njëjtës farë e fis, do t’i gëzojnë të mirat e kësaj toke së bashku”. Nuk duhet harruar as ndonjëherë, as të nënvlerësohe ndikimi tepër i efektshëm që jep faktori i brendshëm. Këtë e theksoj se gjatë trajtimit të problemeve ndërshqiptare, si gazetarët, opinionistët, politikanët, etj. harrojnë t’i përmendin, apo i anashkalojnë duke trajtuar vetëm shqiptarët e Malit të Zi, Maqedonisë, Preshevës si dhe diaspora. Duhet thënë me plot gojën edhe shqiptarët autoktonë të Çamërisë në veriperëndim të Greqisë!
●●●
“Njerëzit që kafshojnë dorën e atij që i ushqen, zakonisht lëpijnë këpucët e atyre që i godasin”.
“Për mua, historia vërtet është kujtesë, por vlerat e saj njihen kur shërbejnë për të vepruar duke risjellë në vend të vërtetat e goditura!”
Fahri Dahri. 05/05/2026
Albano Sant'Alessandro








Comments