EVROPA IME, PSE JE KAQ E PAMORALSHME ?!


GJOKË DABAJ


E lexova aktakuzën e Hagës (nëse është vërtet ajo që më ka ardhur në internet) dhe po mundohem të bëj një analizë fare të shkurtër.

Titulli është: Zyra e Prokurorit të Specializuar. Akuzon Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Aktakuza ka 166 pika dhe është e nënshkruar nga Xhek Smith, Prokuror i Specializuar. E mërkurë 4 nëntor 2020, në Hagë, Holandë.

Unë po i rendit këtu një nga një të gjithë “argumentet”, ose pothuaj të gjithë “argumentet” e kësaj aktakuze, duke dhënë edhe mendimin tim lidhur me secilin prej këtyre “argumenteve” dhe, le të gjykojnë vetë lexuesit.

Do të qe mirë, do të ishte mirë, sikur ky reagim i imi të botohej edhe në gjuhë të tjera, ashtu siç është hartuar e botuar vetë aktakuza, për të cilën po flasim.

------------------------------------------------------------------

-Një shtëpie i vihet zjarri. (1 rast)

Sërbët pushtues kanë djegur 200 mijë shtëpi të shqiptarëvet. Prokurorit tonë të Specializuar s’i vjen aspak turp ta akuzojë UÇK-në se i paska vënë zjarrin një shtëpie, në ato rrethana tepër të vështira për t’u vetëpërmbajtur. Një e tillë prokurori është e zhveshur nga ndjenjat njerëzore dhe s’ka fije morali.

Dhoma të nxehta dhe mbytëse. (1 rast)

A po sheh sa keq?! Në një vend tjetër, të ndaluarit janë mbajtur në dhoma të ftohta, këtu po i bezdiska dhoma e nxehtë! Si nuk mendoi UÇK-ja, para se t’i arrestonte këta armiq e tradhtarë të Kosovës, të krijonte kushte konforte për ta?! Dhoma të veshura me pllaka majolike, me ujë brenda, me vaska të emaluara e me dushe modernë! Dhe pastaj të merrte guximin për t’i arrestuar: Urdhëroni, zotërinj sërbë dhe ju, puthadorë të sërbëvet, hyni në burg, po deshët! Konditat i keni të gjitha. Në mos daçi, ne s’ju detyrojmë!

Dysheme të pista. (1 rast)

Dëshmi që tregon se kemi të bëjmë me një prokurori aspak serioze. Radhit edhe të këtillë elementë, të padenjë për t’u përmendur, në një aktakuzë, në bazë të së cilës do të thirren para gjyqit komandantë të një ushtrie dhe udhëheqës të një shteti. A përbën krim lufte dyshemeja e papastruar rregullisht, në një situatë kur djemtë e vajzat e një populli nuk dinë ku e kanë kokën?! Nuk dinë a do të jenë gjallë nesër, apo do të mbyllet me sot jeta e tyre?!

Ekzekutim i simuluar. (1 rast)

A paskan bërë edhe “poshtërsi” të këtilla ata ushtarë, të cilëvet po u vriteshin përditë prindërit, motrat dhe vëllezërit?!

Goditje me dërrasë. (1 rast)

Ja, edhe këtë “krim” e paska kryer UÇk-ja!? Paska guxuar një pjesëtar i asaj ushtrie të godasë me dërrasë një të dyshuar për tradhtar dhe shërbëtor të sërbëvet! Dhe zoti Prokuror i Specializuar nuk është aspak i interesuar për të ditur ç’mund t’i ketë thënë i ndaluari ushtarit hetues.

Goditje me lopatë. (1 rast)

Edhe lopatën e paskan përdorur si „mjet torture“! Kjo nuk durohet! E gjithë Evropa duhet të ngrihet në këmbë për të dënuar „barbarizma“ të këtillë, të padëgjuar ndonjëherë në historinë e njerëzimit! Si paska guxuar, një ushtar i UÇK-së të godasë me lopatë një sërb apo një shërbëtor të sërbëvet, në një kohë kur sërbët dhe shërbëtorët e sërbëvet lopatat i përdonin për të hapur e për ttë mbyllur varre shqiptarësh të masakruar!

Djegie në një pjesë të trupit. (1 rast)

Natyrisht, nuk është i miratueshëm një veprim i tillë, ndaj kujtdoqoftë. Por, një Prokuror i Specializuar, njëkohësisht edhe përfaqësues i sistemit juridik të kontinentit tonë, një kontinent që ka rrezatuar kulturë ndër shekuj, kur hartoi këtë aktakuzë, a e pat parasysh faktin që sërbët kanë djegur të gjallë bashkëkombasit, ndoshta edhe familjarët e këtij ushtari?!

Goditje me shishe uji. (1 rast)

E ka goditur me shishe uji! Ka kryer „krim“ ushtari i UÇK-së! A po dëgjon, Evropë, ç‘prokurorë syçelët ke?! Prokurorë syçelët dhe humanë deri në shenjtëri! Paska kuturisur dikush të godasë me shishe një të arrestuar, në një kohë kur nëpër pijetoret e Evropës qindra evropianë të tjerë godasin përnatë fare pa të keq njëri-tjetrin me lloj-lloj shishesh, veçanërisht me shishe birre! Mirëpo ky s‘është si evropianët e tjerë! Ky është shqiptar, prandaj edhe duhet dënuar!

Goditje me rrip. (1 rast)

I varfri ushtar i UÇK-së! A goditet me rrip një i dyshuar si bashkëpunor apo spiun i pushtuesit?! Një bashkëpunëtor i pushtuesit duhet vrarë me bukë në gojë dhe pastaj le të hidhet përpjetë Prokurori i Specializuar i Hagës! Një prokuror, i cili gjithashtu e meriton rripin t’i mbështillet rreth turinjëvet!

Shkulje dhëmbësh. (1 rast)

Nuk është aspak e rregullt as humane t’i shkulësh dhëmbët një njeriu të lidhur. Por, a e dinë këta prokurorë të Hagës, sa shqiptarëve u janë shkulur dhëmbët nëpër hetuesitë e ish-Jugosllavisë dhe ky ushtar i UÇK-së mund të ishte djali i një ish-të burgosuri, të cilit hetuesit e UDB-s s’i kanë lënë asnjë dhëmb në gojë?!

Goditje me patericë. (1 rast)

Ushtarit të UÇK-së s’i është ndodhur gjë tjetër afër, kur i arrestuari e ka fyer me kushedi çgarë sharjesh. Por Prokurorit të Specializuar të Hagës, këtij mbrojtësi aspak dinjitoz të drejtësisë njerëzore, as që i ka interesuar të dijë ç’mund t’i ketë thënë ai i ndaluar ushtarit që e merrte në pyetje. Atij evropiani s’i ka interesuar ç’të këqia mund të kenë bërë të ndaluarit. Atij prokurori, të shkolluar në Evropë, i interesojnë vetëm “krimet” e luftëtarëvet për liri, për “krimet” e të cilëvet madje duhet të përgjigjen edhe udhëheqësit e asaj ushtrie çlirimtare. Udhëheqësit e asaj ushtrie çlirimtare duhet të prangosen si “kriminelë”, qoftë edhe me të këtillë fakte “tronditës”: goditje me patericë, diku në një hetuesi të improvizuar!

Dhoma me mure të spërkatur me gjak. (1 rast)

Jam arrestuar edhe unë njëherë në Gjakovë, në vitin 1961. Më kanë mbyllur UDB-ashët në një dhomë, muret e së cilës ishin tejpërtej të spërkatur me gjak. Prokurori i Specializuar i Hagës nuk e ka moralin t’i shikojë këto punë në këtë mënyrë. Për këtë prokuror, edhe kur sërbët vrasin shqiptarë, fajtorë janë shqiptarët!

Goditje me çekiç. (1 rast)

Qoftë edhe njëherë të vetme në pothuaj 360 ditë luftë, kjo “goditje me çekiç”, për prokurorin prosërb të Hagës, përbën “krim kundër jerëzimit” dhe këtë “krim kundër njerëzimit” e kanë kryer ata, që Evropa s’pati turp t’i prangosë 20 vjet mbasi ai ushtar edhe mund të ketë rënë dëshmor. Ndërsa ai i godituri me çekiç, mund të ketë zënë fare mirë një punë zyre diku në Pejë apo në Prishtinë.

Djegie me cigare. (1 rast)

Unë kam parë disa nga ish-të burgosurit nëpër burgjet e Sërisë, me gjoksin, me duart dhe me shpatullat plot gjurmë djegiesh nga cigaret. Nuk po dua të them që ka bërë mirë ushtari i UÇK-së, kur ka përdorur të njëjtën metodë të UDB-s sërbe, por më ka çuditur e po më çudit fakti që Evropa asnjëherë nuk e shtroi para gjykatavet këtë krim, që sërbët po e kryenin vazhdimisht mbi trupin e shqiptarëvet, të arrestuar shpeshherë vetëm për një fjalë.

Hollues boje për ujë. (1 rast)

Është një shprehje e mllefit, grumbulluar në shpirtin e atyre djemve, që pushtuesi sërb i kish detyruar të dalin malevet. Ushtari, sigurisht që kish urdhërin nga komanda për t’u dhënë ujë të ndaluarvet, por ai ka qenë mbushur deri në grykë me urrejtje. Çfarë do t’i bëjë tani prokurori i Hagës këtij ushtari?! Prokurori i Hagës do të kërkojë që kryekomandanti i këtij ushtari të dënohet për “krime lufte”. “Krim lufte”, se një ushtar i tiji i paska dhënë hollues boje një të ndaluari të dyshuar për kriminel ose qartësisht kriminel! Po ai, i dyshuari për kriminel apo qartësisht kriminel, a është çuar në Hagë, apo “i ka larë gjynahet” me një gdhënjkë hollues boje?!

Dhunë fizike dhe psiologjike ndaj bashkëshortes së një sërbi të ndaluar. (1 rast)

Pyetja e parë që unë po dua ta bëj, është kjo: Pse s’kish shkuar ai çift sërbësh në Sërbi, por rrinte ende në Kosovë?! Pyetja e dytë: Pse nuk po i pranonte i shoqi i asaj gruaje veprimet që kish kryer kundër shqiptarëvet dhe në dëm të shqiptarëvet?! Apo asnjëra nga këto dy pyetje nuk po i hyjnë në punë Prokurorit të Specializuar?! Të specializuar, për të qenë prosërb dhe antishqiptar?!

Goditje me shkop gome. (1 rast)

Të ndaluarit nga UÇK-ja janë goditur edhe me sende të tjerë, siç po e shohim në vazhdim, por goditjet me shkop gome shqiptarët i kanë provuar, në kurriz, në gjymtyrë dhe në kokë, me mijëra herë, që kur policia jugosllave qe pajisur me një të tillë mjet “demokratik” disiplinimi. Është për t’u habitur se si një Prokuror i Specializuar i Hagës, e paska parë të arsyeshme ta renditë edhe këtë veprim të një ushtari të UÇK-së, në kategorinë e “krimevet”. Goditja me shkop gome, e miratuar ligjërisht, po përdoret sot gjithandej, në Evropë edhe në botë, mbi fajtorë e jofajtorë, mbi të palidhur edhe mbi të lidhur, si dhe mbi ata që s’kanë si t’i shmangen goditjes! Por prokurori i Hagës e ka parë arsyeshme ta nxjerrë para gjyqit vetëm këtë ushtarin e varfër të UÇK-së.

Dy të ndaluar detyrohen të zhvishen dhe të bëjnë seks njëri me tjetrin. (1 rast)

Bashkimi Evropian na ka vënë kusht ne shqiptarëvet: O ta pranojmë homoseksualizmin, seksin burrë me burrë, o nuk anëtarësohemi në BE! Tani, ky ushtari i UÇK-së ka dashur ta shikojë praktikisht si duket kjo punë. A bën pjesë ndër “krime” ky gjest i pamatur i këtij ushtari?! A duhet të dënohen me burg ish-komandantët dhe ish-komisarët e këtij ushtari, 20 vjet mbasi atë punë e kanë harruar edhe vetë ata dy të zhveshurit lakuriq?!

Rrahje me litar. (2 raste)

Prokuroria e Hagës ka pasur kujdes që “krimi” (quaje si të dusah: “krim (i zakonshëm)”, “krim lufte” apo “krim kundër njerëzimit”) të mos mbetet pa një pasqyrim sasior, në mënyrë që mizoria e tij të bëjë sa më shumë efekt, te gjyqtarët, te të pandehurit dhe te popujt . “Krimet” që i rendita deri këtu, janë përmendur vetëm nga një herë. Por më tej do të shohim që, të këtillë veprime të ushtrisë shqiptare, prokuroria e Hagës i ka konstatuar më shumë se njëherë dhe kjo doemos do ta shumëfishojë përgjegjësinë e UÇK-së përpara Evropës dhe përpara botës. Sepse, a po shihni?! Dy herë është konstatuar rrahje me litar. Sërbët mund të na kenë rrahur me litar me mijëra herë, por kjo për prokurorët e Hagës s’ka qenë kurrfarë krimi.

Prerje me thikë. (2 raste)

Ja, edhe këtu, në dy raste ushtarët e UÇK-së i kanë lënduar me thikë të ndaluarit. S’ka aspak rëndësi ç’qëndrim kanë mbajtur ata të ndaluar para se të lëndohen me thikë. Në asnjë rast të aktakuzës nuk shohim si janë sjellë me efektivat e UÇK-së ata të ndaluar.

Torturë me rrymë elektrike. (2 raste)

Tortura me rrymë lektrike ka qenë praktikë e rëndomtë, e zakonshme, nga ana e organevet hetimorë të Sërbisë. Mirëpo, prokuroria e Hagës është nga ato prokurori që i mbyll sytë kur shikon krime të mirëfilltë kundër njerëzimit, dhe ngre padi me akuza nga më të rëndat kundër veprimevet qoftë edhe sporadikë të Ushtrisë sonë Çlirimtare. Evropa jonë është e sëmurë, vëllezër! Nuk i sheh këta kurthe që po i sajohen njërit nga kombet e saj më të lashtë.

Ndriçim i dobët. (2 raste)

Ja, edhe ky është njëri ndër “krimet ” që Prokuroria e Posaçme e Hagës e ka renditur, me tërë seriozitetin e saj, në aktakuzën kundër shqiptarëvet! Ndriçim i dobët!

Pa ngrohje. (2 raste)

Ushtarët e UÇK-së me vështirësi siguronin ngrohje për vete. Ushtarët e UÇK-së, edhe atje ku kishte dru, shpeshherë detyroheshin të mos ndiznin zjarr, sepse mund të zbuloheshin prej ushtrisë pushtuese sërbe. Por prokurorëvet të Hagës nuk u kanë interesuar rrethana të këtilla, të krijuara në Kosovë, jo vetëm për faj të Sërbisë, por edhe për faj të mbarë Evropës.

Nën masa kufizuese fizike. (2 raste)

Kjo, me sa duket, nënkupton që, të ndaluarit nuk lejoheshin të dilnin nga vendi ku ishin ndaluar. Në cilën hetuesi të botës nuk ka „masa kufizuese fizike“?! Por këto masa kufizuese po i zbatokan shqiptarët ndaj bashkëpunëtorëvet të Sërbisë dhe ndaj atyre sërbëve që kanë rënë në dorë të organevet hetues të UÇK-së! Ky është shqetësimi i Prokurorit të Specializuar të Hagës!

Goditje me tub. (3 raste)

Edhe këto tri goditje e shtojnë „fajin“ e ushtarëvet të UÇK-së, pa marrë parasysh ç’mund të kenë nxjerrë nga goja të arrestuarit para se të goditeshin me tub. Prokurorëvet të Hagës nuk u shkon mendja fare te qëndrimi i të dyshuarvet si fajtorë. Të dyshuarit si fajtorë edhe mund të bërtasin, edhe mund të shajnë, edhe mund të simulojnë, edhe mund të kërcënojnë. Prokurorisë së Hagës i intereson që hetuesit e UÇK-së në tre raste e kanë përdorur tubin, si mjet rrethanor, për të nxjerrë nga të ndaluarit përgjigjen ndaj pyetjes së bërë.

Goditje me gyp gome. (3 raste)

Gyp gome! Sigurisht ndonjë copë tubi, gjetur dikund aty rrotull. Por prokurori i Hagës nuk mund as ta konceptojë një situate të tillë, le më t’i dalë zot asaj që thotë. Prokurorit të Hagës i intereson vetëm ndëshkimi i UÇK-së, qoftë edhe me “argumente” të kësaj natyre: Goditje me gyp gome, “krim kundër njerëzimit”.

Goditje me shkop bejsbolli. (3 raste)

Kush del më qesharak këtu?! Ai që e ka përdorur shkopin e bejsbollit si mjetin më të „sofistkuar“ që mund të gjendej në atë tokë të djegur prej sërbëvet, apo prokurori i Hagës? Sepse, një ushtri partizane, pa shtëpi e katandi për vete, nuk mund të ketë as ambiente pë lojë bejsbolli dhe as mjete për të kryer hetime normalë kundër cilitdo armik, qoftë të hapur, qoftë të kamufluar. Sa do të doja të ishte gjallë Sharl De Goli në këta çaste!

Detyrim për të kryer punë krahu. (3 raste)

Oo!! Këtu prokurori i Hagës i ka vënë “kriminelët” shqiptarë me shpatulla për muri! Ta detyrosh një të dyshuar për armik të atdheut e të kombit, për t’u marrë, qoftë edhe sporadikisht, me punë krahu, në mos “krim kundë njerëzimit”, është gjithsesi“krim”! Një të dyshuari për armik të atdheut e të kombit, duhet jo vetëm të mos i kërkosh të punojë punë krahu, por as të mos e lëndosh me ndonjë fjalë të pamatur!.. Ky prokuror i Hagës qartazi kërkon t’i nxjerrë kriminelë ushtarët e UÇK-së edhe me akuza që s’kanë kurrfarë mbështetjeje logjike.

Rrahje me zinxhir. (4 raste)

Mjet rrethanor, njëlloj si tub, si gyp gome, si shkop bejsbolli, argumente që do të duhej t’i mjaftoni prokurorit të Hagës për të mos ngritur padi, thjeshtë sepse në këtë mënyrë ai do ta ulte autoritetin, të vetëvetes, ashtu edhe të organit juridik, pjesë e të cilit është.

Rrahje me shufër. (5 raste)

Pse i paskan rrahur?! A thua sepse të ndaluarit po i dilnin zot atdheut?! Prokurorët e Hagës duhej ta kishin gjetur një mënyrë, jo për t’i akuzuar, por për t’i arsyetuar këta hetues rrethanash të jashtzakonshme, shkelës të rregullavet. Shkelës që, fundja, nuk dallohen prej shkelësvet që i ka gjithë bota nëpër hetuesi. Na e gjeni një hetuesi ku nuk përdoren metoda të këtilla!

Detyrim për të rrahur ose për të vrarë njëri-tjetrin. (5 raste)

Ah! Edhe kjo po më kujton pamjet e burgjevet të sotëm kudo në botë, ku të burgosurit keqtrajtojnë e rrahin njëri-tjetrin. Praktikë e njohur gjithandej! Fytyra e keqe e të gjithë burgjevet të botës! Nuk do të kërkonte askush që, të këtillë veprime të quhen punë të mira, por prokurori i Hagës, hartuesi i kësaj aktakuze, duhej të paktën të deklaronte që shfaqje të tilla janë të njohura dhe, nëse janë për t’u dënuar, dënimi i tyre s’kish pse fillonte nga burgjet e improvizuar të një ushtrie që ende s’e kish çliruar atdheun e vet.

Iu lidhën sytë ose iu mbulua koka. (5 raste)

Të dyshuarit si bashkëpunëtorë të pushtuesit do të mund t’u jepnin forcavet pushtuese sërbe informata mbi vendet ku ndodheshin forcat e UÇK-së, mbi numrin e efektivavet dhe mbi armatimet. A kanë të drejtë prokurorët e Hagës ta quajnë krim një të këtillë masë mbrojtëse të UÇK-së?!

Akuzë për krime kundër shqiptarëvet. (6 raste)

Për çfarë tjetër do të ndaloheshin (arrestoheshin) ata njerëz, në mos të dyshuar, madje të informuar, se kishin kryer krime?! A mund t’i quajë prokuroria e Hagës, „krime lufte“ ose „krime kundër njerëzimit“, këto akuza?!

Mbajtje në dhoma të tejmbushura. (6 raste)

Prokurori i Specializuar i Hagë ka harruar që UÇK-ja, edhe aq sa u ofronte të ndaluarvet, e bënte me vështirësi të mëdha, sepse s’kish as për vete kushte strehimi. Rrjedhimisht, një fakt i tillë, s’kish arsye të përfshihej në këtë aktakuzë me përmasa kontinentale. Shihet qartë që autorët e kësaj aktakuze kërkojnë me çdo kush të gjejnë qimen në qull për t’i bërë me faj shqiptarët, sepse guxuan të kërkojnë liri.

Mospranimi i ankesavet dhe kërkesavet të familjarëvet. (Disa raste)

A e dinë hartuesit e kësaj aktakuze, se UÇK-ja nuk ishte shtet dhe, rrjedhimisht, nuk mund t’i plotësonte të gjitha kërkesat e familjarëvet të të ndaluarvet? Aq më tepër, kur ata të ndaluar mund të mos ishin nxjerrë ende para gjyqit, dhe madje nuk dihej a do të mund të gjykoheshin ashtu siç e kërkojnë rregullat juridike. Prapë prokurori i Hagës po bën kërkesa jashtë realitetit. Nuk është vështirë të kuptohet edhe këtu, se kjo prokurori po kërkon alibi thjeshtë për të dënuar UÇK-në si një „organizatë e strukturuar“ që ka bërë „krime kundër njerëzimit“. „Krime kundër jerëzimit“, duke mos iu përgjigjur disa kërkesave të failjarëvet, të shumtën e rastevet pa arsye.

Të ndaluarvet u konfiskoheshin dokumentet dhe gjësendet personale. (9 raste)

A duhej t’u dorëzoheshin të ndaluarvet dokumentet e konfiskuar? Si mendojnë zotërijtë prokurorë? Në kushtet kur ende s’kish përfunduar lufta dhe kur dihet që edhe mbas luftës do të duhet kohë për t’u stabilizuar e sqaruar gjendja, në të tillë raste, dokumentet, por edhe sendet e tjerë të konfiskuar, a nuk e kanë rëndësinë e vet, të ruhen në organet e hetimit?!

Të ndasluarit mbaheshin të lidhur. (12 raste)

A nuk duhej të mbaheshin të lidhur?! Si thua ti, zoti Xhek Smith, Prokuror i Specializuar?! Po në qoftë se ndonjërit apo disavet prej tyre u tekej të arratiseshin, ç’do të bëni rojet?! Rojet do të detyroheshin t’i vrisnin arratisësit. A ish më mirë t’i mbanin lidhur, apo të detyroheshin për t’i vrarë?! Unë kam përshtypjen që zoti Xhek Smith, përveçse është i pamoralshëm, është edhe i cekët. Ju, a nuk i vutë në pranga ish-udhëheqësit e UÇK-së, tani që i dërguat në Hagë?! Apo ju keni të drejtë t’i lidhni shqiptarët! Shqiptarët s’paskan të drejtë t’i lidhin ata që kërcënojnë larinë e tyre!

Shtroja e mbuloja të pamjaftueshme. (12 raste)

Shtroja e mbuloja s’kishin të mjaftueshme as vetë pjesëtarët e UÇK-së. Këtu sërish del në shesh pse e kanë hartuar atë aktakuzë prokurorët e Hagës. Ajo aktakuzë është plot me formulime thuajse fëminorë, që asnjë mendje e shëndoshë nuk do t’i pranonte si agumente krimesh. Asnjë mendje e shëndoshë, pa arsimim juridik, le më njerëz që janë diplomuar dhe kanë marrë grada të larta në fushën e jurisprudences!

Ofrim i pamjaftueshëm kushtesh higjenikë. (14 raste)

Me gjithë ç’thashë më sipër, unë sërish mendoj se nuk mund të pranohet mendimi që zoti Xhek Smith nuk i njeh rrethanat në të cilat zhvillohej Lufta Çlirimtare e Kosovës. Ai prokuror e di shumë mirë çfarë kushtesh higjenikë mund t’u krijonte UÇK-ja, jo vetëm të ndaluarvet, por edhe mijëra banorëvet që kishin ikur nga terrori sërb. Është krejt e kuptueshme pse ky prokuror nuk e zë në gojë askund terrorin sërb. Madje sërbët askund nuk i quan pushtues! S’është e mundur që ky jurist, për të cilin duhet supozuar se ka njohuri të gjëra, nuk e di që sërbët janë pushtues në tokat shqiptare të Kosovës. Dhe s’është e mundur që ky jurist nuk e di që UÇK-ja s’kish mundësi reale, që t’u krijonte të arrestuarvet kushte më komodë, për të derdhur ujët e hollë dhe për të lëshuar ujët e trashë.

Kujdesi shëndetësor i pamjaftueshëm. (15 raste)

Pra, kishte kujdes shëndetësor, por ai ishte i pamjaftueshëm. Si mund të hyjë kjo e dhënë në një aktakuzë, madje e dhënë e përsëritur 15 herë?! Ka pasur me dhjetëra pjesëtarë të UÇK-së që s’kishin me çfarë t’i lidhnin e t’i mjekonin plagët. Ka pasur raste që, luftëtarëvet të UÇK-së u është gangrenizuar këmba apo dora dhe kanë qenë të detyruar t’i nënshtrohen amputimit. Sot i ke invalidë lufte nëpër Kosovë! Dhe ka fytyrë ky pseudoakuzues evropian ta quajë “krim lufte” kujdesin e pamjaftueshë shëndetësor ndaj një tufe të arrestuarish, armiq të lirisë, atëherë edhe tash!

Ofrim i pamjaftueshëm ushqimi e uji. (16 raste)

Akuzë e përsëritur 16 herë! Për ujin ndoshta do të mund të thuhej që vetë rojet dhe ata që shërbenin në vendet e mbajtjes në arrest, nuk janë kujdesur sa duhej. Por ushqimin nuk e kishin të mjaftueshëm as vetë ushtarët e UÇK-së. Prokuroria e Hagës e ka futur në aktakuzë këtë element, „ushqim i pamjaftueshëm“ , dhe e ka përsëritur 16 herë, thjeshtë për t‘i shtuar „arsyet“ pse duheshin burgosur dhe dënuar udhëheqësit e UÇK-së. Ata udhëheqës që as për vete s’kishin ushqim të mjaftueshëm!

Goditje me shkop druri dhe me stekë. (17 raste)

A i kanë parë zotërijtë prokurorë të Hagës si goditen me shkpinj gome mijëra qytetarë në të gjithë qytetet e Evrpës në mes të bulevardit?! Doeos që i kanë parë dhe i shohin sa herë ka demonstrata, madje edhe ndeshje futbolli. Një pyetje tjetër: A thua do t’i kish goditur kush me shkop të ndaluarit, në qoftë se ata do të kishin ndenjur urtë dhe në qoftë se do të kishin bërë deklarata të sinqerta?! S’është fjala për të justifikuar goditjet me shkop. Fjala është për të thënë që këtu s’kemi të bëjmë aspak me “krime kundër njerëzimit”, përndryshe, me këtë lloj akuze do të padieteshin e dënoheshin mijëra policë, sa herë që organizohet ndonjë demonstratë, në Hagë, në Bejrut, në Paris, në Madrid, në Romë, në Berlin, në Vjenë, në Varshavë, në Pragë.

Goditje me kondak të armës. (17 raste)

Ushtari i armatosur parapëlqen ta shtyjë ose ta godasë të ndaluarin e pabidshëm me qytë të armës, sesa t’i kthejë tytën e ta vrasë. Veç kësaj, nuk ka kurrfarë logjike të mendohet që roja e godet të arrestuarin pa ndonjë shkak ose provokim. Në aktakuzën që lexova, nuk shkruhej asgjë në lidhje me sjelljet e të ndaluarvet, por logjika na e thotë që të ndaluarit nuk u janë bindur rojevet, prandaj edhe kanë marrë ndëshkimin më minimal të mundshëm. Në 17 raste, në harkun kohor prej rreth 300 ditësh! Në kohë lufte! Në kohën kur ushtarët e UÇK-së nuk dinin ku e kanë kokën e vet, sepse rreth tyre krakëllinin mitralozat dhe gjëmonin topat.

Goditje me grushta. (18 raste)

Një prokurori serioze a do të kërkonte arrestim të krerëvet të një shteti, sepse policët e atij shteti paskam goditur me grushta të arrestuarit?!. Aq më tepër, të arrestuarit, të akuzuar për spiunim te pushtuesi. Ç’janë këto poshtërsi që po kryen Evropa kundër kombit shqiptarë?! A çohen në Hagë katër udhëheqës të një ushtrie çlirimtare, sepse, midis tjerash, ushtarët e tyre, të cilëvet u rrinte vdekja mbi krye, paskan goditur ca të arrestuar me grushta?!

Të ndaluarit ruheshin me roje. (19 raste)

Broçkulla halucinantësh! Si mund të mbahet dikush i arrestuar, pa e ruajtur ditë-natë me roje të armatosura?! Prokurori evropian i Hagës e konsideron vepër “kriminale” faktin që të ndaluarit ruheshin me roje të armatosura. Njeriu i kthjellët gjendet para vështirësisë: Si ta emërtojë këtë lloj aktakuze evropianësh të qytetëruar?! Komedi apo tragjedi?! Me kë po tallen më shumë këta gjoja prokurorë?! Me kombin shqiptar? Me vetëveten? Apo me krerjt Evropën?! Në një kohë kur Evropa nuk është në kohë karnavalesh!

Keqtrajtim para personavet të tjerë. (21 raste)

Zotërinjtë prokurorë, diplomuar, magistruar dhe doktoruar, në universitetet juridikë të Evropës, për të disatën herë nuk po duan t’ia dinë në çfarë kushtesh jetonte dhe luftonte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Këta zotërinj, snobë që shiten se kanë të drejtë të gjykojnë të tjerët para se të gjykojnë veten, harrojnë që mund të kenë qenë pikërisht të ndaluarit ata që e kanë keqtrajtuar UÇK-në dhe harrojnë gjithashtu, që organet hetues të UÇK-së nuk e kishin komoditetin, u mungonte komoditeti, për të pasur ambiente hetimi pa praninë e personavet të tjerë.

Goditje me shqelma. (22 raste)

Secili rast nga 3-4 shqelma. Mund të jenë bërë ndoshta rreth 100 shqelma. Edhe kjo i duhet një prokurorie “serioze” dhe “dinjitoze”! Si qenkan treguar kaq trashanikë katundarët e UÇK-së, sa të përdornin edhe shqelmat si mjete torture?! Jo! Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk duhej të kishte pranuar katundarë në radhët e saja! Dhe, për këtë mungesë delikatese të ushtarëvet të vet, krejt udhëheqja e asaj ushtrie duhet të çohet në Hagë! Le të dënohen me burgime të rëndë udhëheqësit e UÇK-së, pse i kanë lejuar ushtarët e vet t’i godasin me shqelma spiunët!

Qeli të errëta e të kyçura, dritare me shufra hekuri. (22 raste)

Është vështirë të kuptohet se çfarë ambientesh do të kërkonte zoti Xhek Smith, prokuror i Specializuar i Hagës, për njerëzit që i arrestonte UÇK-ja. Dhoma të ndriçuara dhe jo të kyçura, me dritare të mëdha dhe pa hekura?! Për zotin Xhek Smith, Prokuror i Specializuar i Hagës, UÇK-ja bën “krim kundër njerëzimit“ kur të burgosurit e vet i mban në qeli të errëta e të kyçura dhe me shufra hekuri në dritare. Ndërsa kur ushtria pushtuese sërbe digjte shtëpi shqiptarësh me gjithë njerëz brenda, ç’bënte ai prokuror burokrat?! Jo vetëm burokrat, jo!.. Jo! Jo!.. Jo vetëm burokrat!

I fyen dhe i morën në pyetje. (26 raste)

Është fjala për të ndaluarit. Është përdorur 26 herë kjo shprehje dhe lexuesit nuk mund të mos i shkojë në mendje krahasimi: A nuk po i merr në pyetje vetë kjo prokurori ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe a nuk po i fyen njëmijë herë më rëndë kjo prokurori këta çlirimtarë të popullit të vet?! A nuk po e fyen kjo prokurori krejt kombin shqiptar?!

Cilësimin si bashkëpunues me sërbët, spiun i policisë sërbe dhe tradhtar, prokurori i Hagës e quan krim. (27 raste)

Kur ky prokuror i Hagës, cilësimin spiun i policisë sërbe dhe bashkëpunues me sërbët e quan “krim”, del qartë që edhe vetë kjo prokurori është bashkëpunëtore dhe spiune e Sërbisë. Sërbia nuk ka hequr dorë nga ripushtimi i Republikës së Kosovës, prandaj ky prokuror po kërkon t’i dënojë ndërkombëtarisht udhëheqësit e UÇK-së, në mënyrë që Sërbia ta ketë ndërkombëtarisht më lehtë për ta ripushtuar Republikën e Kosovës.

Rrahje, shkaktim lëndimesh të rëndë truporë. (34 raste)

A i shkon mendja asaj prokurorie se po këta të ndaluar mund të kenë rrahur dhe sakatuar trupërisht me dhjetëra shqiptarë, para se të vinin këtu?! A u shkon mendja këtyre prokurorëve evropianë, që ushtarët e UÇK-së i njihnin mirë këta të ndaluar dhe mezi e përmbanin veten për të mos i bërë copa-copa trupat e tyre?! Nuk ka aspak nevojë t’u shkojë mendja. Ata i dinin të gjitha qysh para se të vinin këtu, dhe i dinë të gjitha!

“Pa proces ligjor të rregullt.” (34 raste)

Tani, s’mbetet tjetër, veçse ta quajmë “proces të rregullt ligjor” arrestimin dhe nxjerrjen para gjyqit të udhëheqësvet të një ushtrie çlirimtare. Një prokuror i tillë jo vetëm që është i pamoralshëm, por mendon që lexuesit apo dëgjuesit e kësaj aktakuze duhet të jenë ca injorantë që s’dinë as të lexojnë dhe as të kuptojnë ç’është shkruar. Një mijë herë më të rregullt ishin proceset ligjorë të asaj ushtrie çlirimtare sesa ky që po organizon kjo Evropë, kundër njërit prej popujvet më të vjetër të po kësaj Evrope!

U mbajtën të ndaluar. (34 raste)

34 herë është thënë “u mbajtën të ndaluar”! Si mund të mbaheshin ndryshe të dyshuarit për bashkëpunëtorë të pushtuesit?! Të mos mbaheshin të ndaluar?! T’u thuhej, mirë keni bërë që e keni kundërshtuar dhe sabotuar luftën tonë për liri?! Ju zotërinj, a nuk po i mbani të ndaluar ata që, sipas jush, kanë bërë “krime” dhe që s’është aspak e vërtetë?! Në disa raste ajo prokurori i përmend anëtarët e LDK-së, si të ndaluar dhe si të keqtrajtuar nga organet e UÇK-së. Është një përpjekje për të mbjellë përçarje në popullin shqiptar të Republikës së Kosovës. Është për t’u përbuzur kjo përpjekje kaq e ulët, e hartuesvet të kësaj aktakuze!

Presion psikologjik, kërcënim me vdekje, poshtërim. (54 raste)

Evropa ime! Ka, e pakta 107 vjet që po e torturon psikologjikisht kombin tim! Ka 107 vjet që, këtij kombi evropian, ia ke mohuar të drejtën për të qenë i lirë në tokën e vet si shumica e kombevet të tu, dhe tani ke fytyrë dhe po i akuzon ca djem të rinj se po u bëkan presion psikologjik 5 apo 15 puthadorëvet të pushtuesit!! Evropa ime! A ke moral?! A ke fije morali, kur vepron kështu ndaj shqiptarëvet, që janë themeli i historisë dhe i kulturës tënde mijëravjeçare?!

Krime kundër njerëzimit (7 herë), krime lufte (6 herë), thjeshtë krime (53 raste)!

Kësaj aktakuze, ku shprehja „krim kundër njerëzimit“ përdorur 7 herë, shprehja „krime lufte“ përdorur 6 herë dhe fjala „krim“ përdorur 53 herë, ai që di të lexojë e të gjykojë, ia sheh qartë dhe QËLLIMIN. Autorët e kësaj aktakuze naivisht (por jo krejt naivisht) kanë menduar se, sa më shumë t’i përdorin këto shprehje, aq më shumë do t’i mbushet mendja botës që ajo ushtri, e udhëhequr prej këtyre njerëzve, prangosur 20 vjet mbasi ka mbaruar lufta, ka qenë vërtet një „ushtri kriminale“. A nuk është, në këtë kotekst, vetë prokurori një kriminel, i kamufluar nën rrobën e juristit?!

Të ndaluar, të vrarë nga ushtarët e UÇK-së, një këtu, një atje. (43 raste) Të ndaluar e të vrarë, pa e përcaktuar numrin. (Disa raste)

Por unë po shënoj këtu vetëm një pjesë të masakravet që ky prokuror monsruoz i këtij procesi antishqiptar e njëkohësisht antievropian, nuk i ka përmendur:

Në Gjakovë, sërbët, pushtues të Kosovës, kanë vrarë përnjëheresh 750 shqiptarë .

Në Izbicë, sërbët, pushtues të Kosovës, kanë vrarë përnjëheresh 147 shqiptarë.

Në Krushë të Vogël, sërbët, pushtues të Kosovës, kanë vrarë përnjëheresh113 shqiptarë.

Në Reçak, sërbët, pushtues të Kosovës, kanë vrarë përnjëheresh 45 shqiptarë .

Në Qyshk, sërbët, pushtues të Kosovës, kanë vrarë e masakruar përnjëheresh 42 shqiptarë.

Në Pavlan e Zahaq të Pejës, sërbët, pushtues të Kosovës, kanë vrarë përnjëheresh 35 shqiptarë.

Gjithsejt, sërbët pushtues, kanë vrarë në territorin e Kosovës (jo në Sërbi, por në Kosovë, që s’është Sërbi!) rreth 15 000 (pesëmbdhjetë mijë) shqiptarë, pothuaj të gjithë të paarmatosur dhe një pjesë e madhe, foshnja, fëmijë dhe gra!

Ç’mund të thotë njerëzimi, kur i krahason këto shifra?! Njerëzimi, fare thjeshtë, duhet t’i thotë asaj gjykate: „Liroji këta njerëz të pafajshëm dhe arresto ata që vërtet kanë bërë krime!

Zoti Xhek Smith (nëse ky është emri i vërtetë i tiji), Prokuror i Specializuar i Gjykatës së Hagës, nuk i ka përmendur këta krime të sërbëvet (as tërthorazi ose në ndonjë fusnotë sqaruese) në asnjë vend të aktakuzës së tij. Zoti Xhek Smith, në asnjë vend të aktakuzës së tij, sërbët nuk i ka quajtur pushtues. Ç’do të thotë kjo?! Kjo do të thotë që, në konceptin e zotit Prokuror të Specializuar, Kosova ka qenë dhe duhet të mbetet pjesë e Sërbisë!

Por nuk është vetëm zoti Xhek Smith, që e ka nënshkruar atë aktakuzë, armiku i shqiptarëvet! Të ish vetëm ai, ose të ish vetëm një grup evropianësh që kanë fobi ndaj shqiptarëvet, do të qe gjysma e së keqes!

Është thënë dhe është vërtetuar tashmë që edhe një Dik Marti ka sajuar kundër kombit shqiptar një shpifje monstruoze, duke i akuzuar shqiptarët si njerëz që merren me transplant organesh. Ka vënë në shënjestër shqiptarët, duke mos akuzuar asnjë komb tjetër për të njëjtin krim! Duke mos thënë, kush i blen ata organe! Duke mos thënë, cilët popuj i pëdorin ata organe! Duke mos thënë, ku është shpikur së pari transplanti i organevet! Qëllimi, pra, nuk është për të ndalur transplantin e organevet si veprim kriminal, por për t’i etiketuar shqiptarët “edhe me një argument tjetër” si “komb kriminel”. Shpifje të neveritshme!

Por nuk është Dik Marti ai që realisht e rrëzikon kombin tonë, me shpifjet e tija. Dik Marti s’është tjetër veçse një vegël! Shihni: Sa deputetë evropianë e votuan rezolutën famëkeqe të Dik Martit?! Pse nuk u ndalën ata parlamentarë të Evropës për të hulumtuar sa e vërtetë ishte deklarata e Dik Martit, por e votuan menjëherë?!

Këtu qëndron rrëziku i vërtetë! Dikush po përgatit SHKATËRRIMIN E KOMBIT SHQIPTAR! U pa kjo edhe në rrënimin e industrisë, bujqësisë dhe ushtrisë, në Republikën e Shqipërisë! Ky dikushi, që po punon për të shkatërruar kombin shqiptar, nuk ëshë aspak i vogël dhe Evropa duhet ta dijë që, fill mbas shkatërrimit, shpërndarjes ose ricopëtimit shtetërisht të kombit shqiptar, i vjen radha shkatërrimit, ndoshta të pariparueshëm, të të gjithë kombevet të Evropës!

Evropa ime! Thellohu në gjykime dhe analiza! Kuptoji sfidat dhe kthehu te MORALI, te HUMANIZMI dhe te ILUMINIZMI, të cilët, sa herë ke qenë në rrëzik, të kanë shpëtuar nga degradimi dhe nga vetëshkatërrimi!

Nëntor 2020. Gjokë Dabaj.

71 views1 comment

Shkrimet e fundit