top of page

Ervina Toptani: Dëshirë për t'u rikthyer tek rrënjët

  • Apr 19
  • 2 min read

 

Prej kohësh kam një ëndërr, që të bëhem një fshatare e thjeshtë me një shtëpizë guri, një bahçe, një dele, një qingj, ca pula, një qen e një mace. Nuk është e rastësishme që ëndërroj një shtëpizë guri larg gjithçkaje. Nuk është lodhje e thjeshtë nga rutina e përditshme, as kapriço romantike, por reagimi i thellë i qenies sime ndaj një bote që është bërë e pabanueshme në mënyrë të padukshme, apo për disa tepër të dukshme.

Problemi nuk është se jeta është bërë më e vështirë në kuptimin klasik por mungon boshti, rendi simbolik që i jep kuptim përpjekjes. Kjo formë në të cilën jetojmë ka sjellë një peshë të re, e cila përveçse mbi trup bie direkt mbi ndërgjegje.

Njeriu modern nuk lodhet vetëm nga puna, lodhet nga vetëdija e vazhdueshme për veten, nga krahasimi i përhershëm, nga nevoja për të qenë dikush në një botë ku identiteti ndërtohet nga fillimi, rishtas e rishtas e në këtë ndërtim të pafund, njeriu shpërbëhet, kthehet në role, në detyra, në identitete të përkohshme derisa humbet ndjenjën e unitetit të tij.

Ndoshta kjo është dëshirë për të shpëtuar nga tepricat, nga teprica e informacionit, e zgjedhjeve, e zërave, e pritshmërive. Është dëshirë për të rikthyer kufinjtë, formën, ritmin që nuk imponohet nga jashtë, por lind nga vetë jeta.

Për mua një shtëpizë guri nuk është thjesht një vend për të jetuar, është një simbol i qëndrueshmërisë në një botë që rrjedh pa ndalur. Është nevoja për diçka që nuk ndryshon çdo ditë, që nuk të kërkon të jesh tjetër, që nuk të mat vazhdimisht.

Bahçja që dua të punoj me duart e mia e t'ia njoh çdo pëllëmbë, nuk është vetëm tokë, por rikthimi tek marrëdhënia direkte me jetën, ku ajo që mbjell, rritet, ku koha nuk është abstrakte, por shihet, preket, jetohet me stinët. Në një botë ku gjithçka është e ndërmjetësuar nga ekrane dhe sisteme, kjo është forma më e thellë e rezistencës.

Kēto sistemet moderne, teknologjike, financiare, ekonomike, në të cilat ne jetojmë e shtypin njeriun duke ia tjetërsuar shpirtin. Kur kjo ndodh, lind një mall që nuk e di nëse mund të ketë njē emër të saktë, që nuk është thjesht mall për natyrën, për qetësinë, për thjeshtësinë, por është mall për veten, për atë versionin e vetes që nuk është i fragmentuar, që nuk ka nevojë të jetë gjithçka njëkohësisht, që nuk ndihet i vëzhguar, i matur, i krahasuar apo i kontrolluar.

Ndaj dëshira për një jetë të tillë është përpjekja për të dalë nga një formë ekzistence që është bërë tepër e ngarkuar për shpirtin njerëzor. Është dëshirë për të gjetur një vend ku bota nuk ēshtë më e frikshme. Dëshirë për t'u rikthyer tek rrënjët.

Ervina Toptani

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page