Emocione


Nga Gladiola Jorbus


I përqafova librat si të ishin foshnje njomëzake, i përkunda lehtë dhe u pëshpërita ninulla. Përqafova të gjitha historitë njerëzore, dashuritë e mëdha, shirat e lotëve dhe puthjet në gjysmerrësirë; ngushëllova hënën, yjet, diellin, ylberin dhe horizontet e hapura, të cilët kishin parë e ndjerë dhembjet më të thella.

Anijet rravgojnë. Ikin dhe vijnë. Kapërcejnë kufijtë. Aeroplanët përshkojnë qiejt pafund. Përmbytem në dhembjen e ankthin tim. A do të mundem të përballoj zbrazëtinë? Po vetminë, atë kapluesen, rrëqethësen, atë që të pushton kur një tjetër fletë, griset nga kalendari, por ai sërish nuk vjen…

Në ato momente dua të jem sirenë që këndon dhe detarët i ngurtëson apo një vajzë e bukur si Lorelai (H.Hajne) që hipnotizon shpirtrat e lexuesve në shekuj.

Sytë e mi ende reflektojnë vështrimin e tij. Vetëm një prekje e lehtë, spontane dhe yjet do të rrotulloheshin, galaktikat do të vraponin si të çmendura. Mjafton të më çikë mendjen emri i tij dhe do të drithërohesha përjetësisht. Eden i humbur në hieroglifet e fatit!

Dëshira për t’u kredhur në ujëra të qashtra më përndjek. Më rikthen në barkun e nënës, aty ku e keqja as më arrinte, as më cënonte dot.

Mundohem të mbyll sytë…! Ajri i qelibartë kërruset në gishtërinjtë e mi. Nuhatja ime gjurmon ngrohtësinë.

Të dërgoj mesazhe dashurie të shkruara në gjethe të zverdhura.

Unë buzëqesh kur mendoj se dhe ai është i brishtë.

Përtej këtij deti, nën valëzime dallgësh hermafrodite… shumë larg; atje ku dielli kurrë s’perëndon – engjëjt hanë mollë sheqeri dhe luajnë me dëshirat e Krishtlindjes …

I kam lënë pas ëndrrat boshe dhe përqafimet e tkurrura. Koha venitet, ëndrrat zbehen dhe lotët e mi derdhen si rëra në klepsidër. Ndihem një gerber pa petale. …kur ai ikën e s’kthehet më…



24 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif