Emi Krosi: Ndiesia femërore, në lirikat e Teuta Shaqiraj-t

Në njohjen e parë me Teutën, të jep ndjesinë e një gruaje të brishtë, të qetë, me një zë të kumbueshëm dhe melodioz. Ka një paqe të brendshme, ku lirika ka “gjetur” strehën e saj. Ajo, ka shkuar dhe më parë lirika, të ndjeshme dhe të çlirta. Sendërtimi lirik përtej femrës ose gruas, duket si një “pikëtakim” mes stinëve /kohëve /moshave /ndienjave /dashurisë, ku dëshirat, dobësitë, ekuilibrat ngjizin tharmin poetiko-lirik të saj përmes:
emocioneve dhe ndjeshmërisë,
entuziazmit mirëbesimit vs simpatisë dhe sinqeritetit,
përmes interiores dhe shpirtërores,
përmes malllit dhe mungesës,
përmes femrës dhe femrores.
Poezia femërore e ka fillesën ndoshta që me Safon. Por, autoria ka kohë që njihet para lexuesve të saj me lirika (të ndiera) ku dallimi mes femrës dhe poetes, poezia trajton tema ku femrat kanë gjetje më shumë personale dhe intime si: dashuria /intimiteti /seksi /familja (përtej rolit tradicional të shtëpiakes apo mëmësisë), si pasqyrim i të gjitha përvojave femërore. Përdorimin e një zëri thellësisht femëror vjen si:
si kritikë ndaj roleve tradicionale të grave,
si përdorimi i risive letrare,
si dëshmi mbi origjinën dhe transmetimin e fjalës poetike,
si alegori ndaj pabesisë dhe paqëndrueshmërisë mashkullore, duke paraqitur një zë
rrëfimtar që përfaqëson gruan e zakonshme, përvojat e së cilës pasqyrojnë ato të grave të tjera në poezi. Vargjet: ...përhumbem në përqafimin tënd,/bota sa një pëllëmbë, ne të dy në mes./Kur tingulli i puthjes ajrin ndrydh e tremb,/bota pushon së qeni: shëët, mbani vesh!..., nga poezia “Kur..” fillon dhe mbaron me retiçenca, ku lexuesi hamendëson çdo gjë. Zëri femror në vizionet ëndërrore, përmes poezisë lirike, nuk përçon vetëm përvojat e zakonshme femërore të dashurisë, duke i dhënë zë dëshirës femërore dhe duke e bërë mungesën e mashkullit, jo gjithmonë një domosdoshmëri, por në dashurinë e autores është një mungesë e thellë dëshirore.
Në poezinë e saj përtej temave për/rreth femrës, ka vend dhe përshkrimi përmes vargjeve:
erdhi dhe iku vjeshta, si grua e pjekur,/me fjolla trishtimi të ndera në sy./Me një zjarr gjethesh fshehur brenda:/dashuritë e humbura digjen aty (2026: 2) ku vjeshta metamorfizohet duke u femorizuar si “një grua e pjekur”. Përvoja jetësore e një gruaje (jo në vjeshtën e moshës) por dhe për të ndërtuar modele gjithëpërfshirëse përtej gjinisë. Tek poezitë “Ah, Golemi im!”, “Rrugica ime në Kavajë”, në vargjet: rrugica ime, një fustan i përdorur me arna të reja,/më pret foleza e vjetër,/ai prag, nuk e shmang mallin për vendlindjen. Por, poezia e saj dallohet për një “metaforë” mbulesë për/mbi vetëveten. Ajo di të mbrohet përmes metaforash. Të fshihet përmes simboleve. Fjalët çelësa dominuese: deti /vjeshta /portokalle /rozë /gjethe /kadife /shegë /ishull/ verë/ diell/shpirt, mbartin një poezi të diellnuar, plot sharm dhe sensualitet (pa mllefe) përmes ngjyrave dhe natyrës së gëzuar të autores, ku vetë vargu dallohet herë-herë dhe për rimën ab/ab, (folje + emër), ku mbizotëron rima emrore, që tregon se autorja brenda vetes ka një lirikë që vargu vjen vetiu. Nuk i kanë shpëtuar rimat foljore (e pamundur të shmangen).
Poezia “Ekuinoks femëror”, që mbaj dhe titullin e librin, është poezia ku janë thënë të gjitha. Vargjet: shpirtin e një gruaje kush e pa,/kush e eksploroi në shtrat trazimi?/Shpirtin e një gruaje kush e zhveshi/në netët pa gjumë?/Kush ia preku ëndrrat lënë përgjysmë,/pa gjurmë?, sepse shpirti i një gruaje nuk shihet. Ajo i vesh “vesh shqetësimet” e saj si një fustan sepse ajo ka nevojë të ndihet grua, femër, e dashuruar dhe të dashurohet, e dëshiruar dhe të dëshirohet, e plotësuar dhe të plotësojë (dhe të njohë VETEN) dhe familjen etj. Shumë herë, femrat harrojnë veten, harrojnë të jetojnë. Janë sakrifikuese. Përkushtuese. Të bindura. Të përulura. Por, femra duhet që lirinë e saj ta shenjtërojnë. Ato, nuk duhet të lejojnë të tjerë t’i përdorin, t’i shfrytëzojnë, t’i hedhin dhe t’i dhunojnë. Ato lloj femrash, nuk kanë jetë. Dritë. Shkëlqim. Dëshira. Por, vetëm janë “përmbushëse” të dëshirave dhe qëllime të tjerëve. Jeta ka tallaze. Thyerje. Humbje. Vetmi. Por, ciklika e një femre poete (përtej asaj të përditësisë dhe amësisë), në formën më dëshirore dashurore dhe seksuale, në ekuinoksin e saj të dytë pranveror, përmes vargjeve: ekuinoksi im pranveror, deri në ngjitje,/solstici im dimëror, me zbritje/gjer në infinit..., është dëshira për të dashururuar dhe dëshirat intime të përplotësohen, duke mos e lënë kohën të “thajë” trupin dhe seksin femëror. Ndeshja mes femrës /femërores /feminizmit nuk është tabu, sepse feminizmi postmodern e pranoi sfidën nga drejtime të ndryshme, duke vënë në dukje “aspektet e shoqërive që janë shtypur, lënë pa u artikuluar ose mohuar brenda këndvështrimeve të dominuara nga burrat”, pasi edhe vetë sfera e feminizmit, dominohej kryesisht nga shkrimtarë meshkuj, një qasje që është në kundërshtim me vetë konceptin e feminizmit/dhe femërores.
Duke qëndruar në këtë koncept, lirika e poeteve femra na mundëson:
dallimin e sjelljeve të grave përmes ndjenjave dhe emocioneve të tyre,
përmes psikikës femërore dhe rritjes së fëmijëve,
kushtëzimit shoqëror vs marrëdhënieve socio- shoqërore,
betejave kundër shtypjes, dhunës, mizogjinisë ndaj grave,
identitetet femërore dhe përmasat shumëdimensionale të tyre përtejgjinore,
kompleksiteti rreth identitetit dhe anatomisë seksuele, përtej vetes, egos, karrierës,
shkollimit etj.,
marrëdhënia psikologjike basjkë me sjelljet/ndjenjat dhe emocionet e tyre.
Megjithatë, lexuesit nuk mund të mos ndikohen nga temat, idetë dhe mendimet përtej femrës dhe poetes, apo femërores dhe feminizmit post/modern, të pasqyruara në poezinë e Teutës, por dhe dhe të poeteve femra shqiptare dhe moderne europiane dhe botërore. Poezia nuk është vetëm arti i të kuptuarit, por edhe një etyd shpirtëror, sa mohues aq edhe pohues, për të përmbushur përplotmërinë e saj se modelet poetike sipas mënyrës së konceptimit të realitetit brenda poetikës së receptimit, jo vetëm drejt një poezie të përjetimit, ku format e shprehjes së modernes, çmontojnë lirizmin spontan të vetëdijes dhe pavedijes, jo vetëm si procedim të lëndës artistike, duke na sjellë një dikotomi mes gjuhës e realitetit.
Përtej një gjuhe thellësisht femërore të ngrohtë dhe pranverore, poezia ka një stilistikë të pasur me fajlëformime, trope metaforike, krahasime etj.
Fjalëformimi: buzëtharë/epshndjellëse/gjysmëlakuriq/buzëmbrëmje/ përkundem/
përgjumur/ambaruar/përmallim/ecajaket/përvidheshin/shermend/erëmirë/sapjekur/ përhumbem/ askënd /sapoprerë/erëmirë/përkora/pasiguria/përmes/përditë/ ndonjëherë/ durimmadhja/ përjetësia/ përflakur/ pathëna/krahëbardha/ asgjësend/krahëhapur/autoportret/këmbëzbathur/ ndjesihollë / mendjehollë/ panginjur/ gjysmëhënën / nënkresë/ shpërthyer/ pafaj/ përçapje/ jetëgjatë/ përmallimi/ prushndezur/buzëmbrëmje/ pafundësie/ pajetuara/pambaruara/përgjatë/ symbyllazi/ pashkelura/tekefundit/ kokëfortë /zemërbardhë/rrufepritëse/ dritëpakë /përqark /stërkalat/ bulëbardhë/buzagaz/dashakeqe/ mbushulli/ pavjelë/ shumëpritur /fatlumë /pashkruar/lulebozhur/ paprekur/marramendëse/ gjysmëhënë /togfjalëshi/zëplotë/ pasdite /buzëmbrëmjesh/fjalëkryqin/ përqafje/ sapolarë/ krahëthyer/ buzëvarur/stërmadhe/ krahëkëputur/përmend/përmall/ zemërthyer/ përqesh/ telepati/ përkundëm/ dritëhijet/ ujëvarë/ përgjysmë/fundvjeshte/ paftuar/ zulmëmadh/trekëndësh/pikëpyetje/pasthirrmë/kohëmadhja/ mosprekja.
Neologjizma:: shermend /mbushulli/ ëmbëlak.
Vargje me ngarkesë metaforike: përkundem e përgjumur nën tinguj e largët/ gjethe e
marruar/sytë e mallit me refleks gështenjash/ këmbëzbathur tretet mendimi/ agjërimesh netësh të bardha/ lëkurën zhvesh pa dhimbje/ mulliri i shpirtit ngec/ me krahët që rrahin ajrin/vrapoj në pyllin e sapolarë prej shiut/ me frymë mjegulle/ krehër fundvjeshte.
Sëfundmi: poezi e Teutës, ka “gjuhën” e dashuronjëses së lirikës së ngrohtë, pa shumë ngarkesë emocionale dhe gravitet të ngarkuar me “negativitet” nga përditësia, por vetëm përjetime dhe ndiesi të ëmbla femërore, që përshkon udhën e një shpirti të butë, të ngrohtë dhe të ndjeshëm, të një poeteje lirike.
shtator 2026, Tiranë.








Comments