Sadik Reçi: UDHËTIM NË KRIJIMTATINË E VILHELME VRANA HAXHIRAJ

UDHËTIM NË KRIJIMTATINË E VILHELME VRANA HAXHIRAJ
Emri dhe vepra e shkrimtares së madhe nuk do të shuhen kurrë!
“Mjeshtre e madhe e Penës”, znj. Vilhelme Vrana Haxhiraj, hyri me guxim në portën e letërsisë shqiptare, në kohën që vendit i duhej talenti dhe personalitet i saj. I duhej atdheut, si njeri që jetoi e sakrifikoi gjithë jetën në padrejtësinë dhe ndëshkimin e diktaturës, në emër të luftës së klasave. Ishte fat për ne që doli në dritë një penë e ndritur, që rrëfeu me aq guxim e vërtetësi bëmat dhe pësimet, mbi jetën e saj, por që në një mënyrë ishte pasqyrë e gjithë sistemit sundues ndaj gjysmës, mbase më shumë se gjysmës së popullsisë shqiptare.
Ajo erdhi....! Kjo tokë e bekuar e Zotit e meritonte një shkrimtare dhe veprimtare që trimërisht mori pjesë në ndryshimet e sistemit, pavarësisht se pësoi zhgënjim edhe nga e “Djathta” shqiptare, të cilës i përkiste nga origjina, tashmë mbetur “Proletare”, pa pronë e pa pasuri.
Ajo me stilin e saj të veçantë, letrar, poetik e filozofik, në të gjitha gjinitë letrare, kishte leksikun e veçantë në përshtatje me temat që trajtonte. Mendim dhe stil të ëmbël, të qetë, fllad e dashuri sa njerëzor aq edhe shoqëror, shpesh edhe të ashpër, tufan pa ngritur erën me acar e suferinë për hakmarrje. Ajo me fjalën dhe artin e saj të fuqishëm analizon në skaner, jetën shpirtërore të popullit tonë, sa krenar aq edhe të përvuajtur në përçarje, në izolim, skamje e mjerim të pa rrëfyer.
. Të lexosh “Elitat e mohuara...... Krenari e kombit”, ndjen dhembje dhe krenari, për njerëzit e këtij dheu që kanë bërë emër, por të lënë qëllimisht në harresë. Pse.......?
. Të lexosh librin historik ”Genti, mbreti Ilir i Ardianëve.”, ndjen krenari të ligjshme, për mbretërit e këtij vendi, si forma më e lartë e organizimit shtetëror, për kohën që jetuan. Keqardhje që dinastitë e tyre nuk jetuan gjatë. Koha dhe historia e ndëshkuan popullin dhe truallin e Iirëve.
. Të lexosh romanin “Rikthimi i Ismail Qmalit”, besoj se çdo njëri nga ne këndonjësit do ndjejë ngrohtësi dhe atdhedashuri, për këtë burrë shteti me mendje të fuqishme, që braktisi postet e larta, karrierën politike që i siguronte “Porta e lartë”, humbi pasurinë, me synim për t’u kthyer në tokën amtare, për të firmosur “Mëvetësinë”, bashkë me “burrat e dheut”, duke i shërbyer mëmëdheut.
. Të lexosh në librin “Rrugëtimi filozofik i Isuf Luzajt”, filozof shqiptar, lindur në Kaninë, i diplomuar dhe me dy doktoratura në Sorbonë të Francës, ndjen krenari dhe trishtim më shumë, pasi një figurë e tilla që e nderon bota mbarë, duke e dekoruar me çmime nga dy presidentët e SHBA-ve, njëkohësisht i vlerësuar si një nga shtatë filozofë më të mëdhenj të shekullit të kaluar. Trishtim, pasi nga qeveritarët tanë, që në ditët e para të Çlirimit, u kërkua për ta dënuar e pushkatuar si armik i popullit. Vallë kush e deshtë më shumë Shqipërinë......, ai që u largua për t’i shpëtuar vdekjes, apo ata që sunduan!?
. Të lexosh novelën “Çmimi i dualizmit”, mahnitesh dhe mrekullohesh nga analiza psikologjike, aq sa një miku ynë durrsak, në bisedë thotë: “Frojdi, po të ishte gjallë, do ta ftonte për kafe zonjën e nderuar”. Në faqet e këtij libri të vogël, ndjen njëherësh, bukuri femërore, dashuri për jetën, epsh, zhgënjim e neveritje, pasuri dhe tragjedi njerëzore. E gjitha e përmbledhur në pak faqe libri, si skenë e një teatri magjik.
. Të lexosh novelën, “Ngërçi i hakmarrjes........”, një tjetër diamant i letrave shqipe, për nga forma, stili, forca e mendimit, psikologja dhe filozofia e jetës në hapësirën shqiptare, duke ngritur pyetjen. Ngërç apo hakmarrje...?.
. Të lexosh librin monografi “Kush jam unë........”, një rrëfim për fisnikërinë e saj të trashëguar, që nuk u venit, nuk u njollos dhe nuk u përbalt dot nga diktatura. Një pikturë e vendosur në mur, në tavolinë apo kanatat e dollapëve te shtëpisë, mrekullohesh nga stili dhe gjuha e përdorur, nga mënyra e rrëfimit, duke kuvenduar me vetveten, për t’u kuptuar nga cilido lexues, pavarësisht shkollës dhe ngritjes arsimore. Një bashkëpunim i përkryer me gazetarin Gëzim Marku, për intervistën që organizon.
Nuk them se e njoh tërësisht veprën e znj. Vivra. Janë plot 72 botime, secili një histori e botë më vete. Unë sapo përmenda disa prej tyre, ndaj po mjaftohem, ndryshe do më duhet të mbush faqe të tëra pa fund. Një detyrë që duhet ta kryejnë studiues të veprës së shkrimtares “Princesha e Kaninës”, mbase më mirë katedra të letërsisë dhe historisë.
Unë e mbaj veten si lexues i pasionuar pas letërsisë së bukur, por ndjej madhështi në thjeshtësi të znj. Vilhelme Vrana Haxhiraj, në analizën e jetës dhe mësimet që nxjerr nga përvoja, si ngadhënjim mbi vuajtjen dhe shtypjen shpirtërore, duke u ngritur për t’i shërbyer vetes, të vërtetës, atdheut dhe kombit.
Vivra nuk është më në mesin tonë, por vetëm fizikisht, pasi vepra e saj jeton mes nesh për t’u kujtuar në përjetësi. Edhe nëse koha hesht, prushi i saj mbete ndezur edhe nën hi.
Nderim në përjetësi, emrit dhe veprës së Vilhelme Vrana Haxhiraj..!
Sadik Reçi
Durrës. Pranverë 2026.








Comments