top of page

Ekspozita vetjake e piktorit të mirënjohur beratas Agron Polovina


Në Galerinë e Arteve të qytetit bregdetar të Vlorës për disa ditë rresht është çelur Ekspozita vetjake e piktorit të mirënjohur beratas Agron Polovina. 35 punime të gjitha në zhanrin e peizazhit të cilat ekspozojnë mrekullitë e natyrës shqiptare nga Veriu ne Jug ne një hartë gjeografike që përshin gjithë skajet e vendit tonë si psh tablot " Amfiteatri në Durrës", "Rradhimë", " Valbona mitike", " Lëpusha", "Kalaja e Shkodrës", "Pogradeci", "Kanali në Butrint", "Mëngjes në Rehovë" etj . Në këto peizazhe unike të veçanta profesionalisht gjejmë të portretizuar natyrën e mrekullueshme shqiptare, gjejmë dimrin e acartë, shpërthimin e sythave te blertë te pemëve, ngjyrat e florinjta te gjetheve nen nje diell vjeshtak, dallgët e shkumëzuara te bregdetit jonian, natyrë që duket "e ka mbërthyer" piktorin me ditë të tëra ne telajon e tij për të sjellë një peizazh ndryshe, unik në llojin e vet. Agron Polovina nuk bën " fotografimin" e peizazhit duke i qëndruar strikt natyrës origjinale, por i mbivendos asaj shpirtin e lirë krijues, i mbivendos asaj lirizmin e artit te tij individual, që në të vërtetë eshte dhe thelbi i artit dhe krijimit te tij artistik. Natyra ne penelin e Polovinës shpirtëzohet duke u shndërruar në një gjendje tjetër shpirtërore. Artisti e ka parë gjithnjë natyrën si muzën e tij të përjetshme dhe siç shprehet ai vetëm natyra e bën atë të shpërthejë e të jetë vetvetja. Pa harruar një aspekt tjetër në leximin e peizazheve të tij, atë teknik, sepse pastoziteti i ngjyrave të ngjeshura, dendësia e penelatave, si dhe stilizimi që i bën ai natyrës na tregon se ky artist është një shpirt antikonformist. Një shpirt, i cili udhëhiqet nga parimet e lirisë interpretuese, duke e modeluar natyrën mbi kanavacë me shumë nerv dhe nderthurje penelatash të fuqishme, të cilat materializojnë çdo gjë që percepton mendja e shikon syri i artistit. Agron Polovina është piktori virtuoz i ngjyrës, i një pikture sa ekspresive aq dhe tonale e kolorite. Trashësia e penelatave në peizazhet e Agron Polovinës " shpërbëjnë" rregullat klasike të të pikturuarit të peizazheve dhe i rindërton ato përmes një gjuhe sa ekspresive dhe dinamike, po aq dhe origjinale që " vulosin" unin artistik të këtij artisti. Siç ka thënë edhe Picasso: " Ka nga ata piktorë që e pikturojnë diellin si një njollë të verdhë, por ka disa të tjerë që falë artit dhe inteligjencës së tyre, tjetërsojnë një njollë të verdhë në diell". Ekspozita vetjake e piktorit Polovina me kurator Oltsen Gripshi, qëndron e hapur për shumë ditë në qytetin bregdetar të Vlorës, duke tërhequr vëmendjen e artdashësve vendas dhe te huaj, të cilët e kanë vizituar plot ëndje tablot e tij të ardhura si një buqetë lulesh vjeshtore nën rrezet ende të ngrohta te diellit dhe detit blu të qytetit artdashës.

AURORA DAMINI



11 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page