Edmond Shallvari: Tregimi psikoanalitik
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Oct 15
- 3 min read
Updated: Oct 16

Refreni i Vetmisë së Zhurmshme
Nuk dihet nëse shkaku i shkëputjes nga normalja, e zakonshmja, njerëzorja, për aq sa mund të quhet e tillë jeta në shekullin e 21, ishte mbingarkesa apo boshësia e jetës së tij 30 vjeçare. Edhe të dihet, pak rëndësi ka dhe kjo pak i përket më tepër shkencës mjekësore apo më saktë psikoanalizës, se sa atij dhe të afërmve të tij.
Edhe nëse ishte shkak mbingarkesa, tashmë ishte tepër vonë zbrazja e tepricës, sikurse po kaq vonë do ishte dhe mbushja e boshllëkut.
Kufiri ndarës mes të mëparshmes në dukje normale dhe të mëpasshmes anormale para syve të njerëzve, tashmë ishte kapërcyer prej tij, pa mundësi kthimi prapa.
Por, ajo që për të tjerët quhej kapërcim drejt anormales, për atë ishte e kundërta.
Tashmë ai shikonte, dëgjonte, ndjente dhe përjetonte gjithçka, që për botën ishte inekzistente, ose ekzistonte vetëm te një i çmendur.
Bota nuk mundet dot të kuptojë, aq më tepër të pranojë te një i çmendur i tillë, mbartësin e normalitetit të saj. Ndërkohë Ai nuk kishte asnjë paragjykim për botën, sepse për të kjo botë ishte krejt e huaj, e panjohur, amorfe, e panevojshme. Ai jetonte Robinsonin brenda dhe jashtë vetes, në ishullin e tij, sa real, aq dhe imagjinar. Po e quaj atëherë Robi, shkurtimisht.
*
Dhe me rolin e Robinsonit të krijuar brenda qenies së tij, ai zgjohej çdo mëngjes në të njëjtën orë. Në të njëjtën orë kryente ritualin e njëjtë të vajtjes në banjë, shplarjen tre herë me ujë të fytyrës, shikimin tre minuta të saj në pasqyrë dhe krehjen e flokëve me gishtat e dorës.
Pastaj ndiqte të njëjtën rrugë kthimi për në kuzhinë, duke shkelur mbi të njëjtat pllaka qysh kur s'mbahet mend, kur e krijoi për herë të parë këtë itenerar të përditshëm.
Mëngjesin e gjente shtruar, para se të ulej në karriken e tij në kuzhinë.
I heshtur si Robinsoni, nuk mbahet mend qysh kur e ndaloi për herë të parë përshëndetjen mëngjesore.
Ai fliste vetëm përmes zërit të heshtjes.
Pas ngrënies së mëngjesit, shkonte në dhomën e tij, duke shkelur mbi të njëjtat pllaka në çdo lëvizje të përditshme nëpër shtëpi.
Shtrinte gjysmën e trupit në krevat, duke e mbështetur gjysmën e sipërme tek jastëku ngjitur vertikal pas kokës së krevatit.
Shtypte butonin e kasetofonit dhe dëgjonte të njëjtat melodi, qysh kur s'mbahet mend se kur i fiksoi për herë të parë.
Sa herë rikthente nga fillimi kasetën, i dukej sikur dëgjonte për herë të parë tjetër melodi. Pas rikthimit për herën e tretë, merrte të njëjtin libër mbi komodinë dhe fillonte ta shfletonte me ngadalë faqe për faqe, deri në faqen e fundit.
*
Bashkimi i akrepave të orës te numëri 12, e brofte nga shtrati. Dymbëdhjeta ishte çdo ditë ora më e lumtur për aventurën e re robinsoniane: lundrimi, me trapin e sajuar prej tij, mbi ujrat e oqeanit, në kërkim të Itakës së humbur, qysh kur s'mbahet mend se kur.
Xhvishej dhe vishte roben e njëjtë për udhëtim dhe vinte në çantën shpinore të njëjtat ndresa. Nga qoshja e banakut në kuzhinë merrte kupën e mbushur bosh me frapenë e tij të preferuar.
Dilte nga kolibja e imagjinuar mbi trungun e një peme gjigande dhe zbriste poshtë, duke u kacavirur në litarin e krijuar nga degët e gjata të njoma të pemëve dhe shkurreve të ishullit.
*
Nuk mbahet mend qysh kur ndodhi shndrimi i apartamentit në kolibe, i pallatit në ishull, i parkingut në breg dhe i veturëe në trap.
Hipte mbi trap dhe për Robin fillonte aventura më e lumtur e jetës së tij tridhjet vjeçare.
Ai ndjehej kapiten në trapanijen e tij.
Ndizte motorin, kapte me duar timonin dhe ndjehej si pulbardhë e lirë mbi ujrat e oqeanit.
*
Banorët e pallatit, që për zhurmën më të vogël në orët e mesditës njoftonin Policinë, e kishin përjashtuar nga ankesa, qysh kur s'mbahet mend se kur, zhurmën e përditshme dy orëshe të trapveturës së Robit.
*
Atë orë të ditës, ditë të javës, javë të muajit dhe muaj të vitit, familjarët dhe banorët u shqetësuan nga mungesa e zhurmës. Shqetësimi i tyre ishte i njëjtë me shqetësimin e shkaktuar nga çdo zhurmë tjetër përveç saj.
Më parë se të njoftonin Policinë për shqetësimin e shkaktuar nga mungesa e zhurmës, shpejtuan këmbët nëpër shkallë e ashensor, drejt parkingut të pallatit.
Vetura e Robit ishte në vendin e saj, me portën e hapur dhe një letër e ngjitur mbi timon ku shkruhej:
"Mos më kërkoni. Unë e gjeta Itakën time"
*
Edhe sot e kësaj dite nuk është gjetur asnjë gjurmë e Robit dhe Itakës së tij.
@Edmond Shallvari









Comments