
Kryeministri i vendit,më në fund,u dha leje zyrtarisht pensionistëve të dalin nga shtëpia / Më18 prill 2020 / Të shtunën,nga ora pesë,deri më njëmbëdhjetë / Të rinjve,në këtë ditë të parë t’uikendit,nuk u lejohej të dilnin e të përziheshin me pleqtë,aq lehtësisht t’infektueshëm nga Covid 19.
Kështu,pënsionistët e thinjur do t’i çmpinin këmbët,tek do të venin te Parku i Madh,i bleruar sakaq dhe i mbushur me lule përplot aromë pranvere,apo do të hidheshin gjer te Bulevardi Dëshmorët e Kombit,me selitë e qeverisë që s’e kishte ndërprerë punën dhe,prej bulevardit, të ktheheshin e të çapiteshin nëpër trotuaret aq të hijeshuar,përgjatë Lanës me blirë dhe pisha;posi posi.Vetë kryeministri u kishte dhënë lejedalje,deri më njëmbëdhjetë…
Poeti tetëdhjetepesëvjeçar FS më mori në celular,aty nga ora shtatë e më tha :
- Do të lahem e do të vishem ca më me kujdes se,gjatë tërë këtyre ditëve të karantinës,e do të dal ! Armiku iku. Rrugët janë të lira…
- Ke shkruar ndonjë vjershë për Covidin ? Po kush të tha se paskësh ikur ?
- Është mirë të mendojmë kështu.O Zot,sa e shtrenjtë na u bë dalja përjashta pa pritur e pa kujtuar! U miqësuam me Covidin dhe,kemi nisur të besojmë se,tashmë s’na bën gjë,domethënë,djalli s’është më i zi,u bë gri,hehe.
- Pa parashtrojua këto rezultatet e tua virologëve,psikologëve apo…
- Cilëve,atyre dogmatikëve? Ja që duhet të jesh pak poet.Ah,sa e bukur është koha,e bukur siç është e bukur edhe një vajzë e re,hë ? E si mund të ketë një të keqe tinëzare mes kësaj mrekullie? Thashë se,pranvera do të vinte e do të ikte sivjet pa e parë dhe pa e shijuar paksa,por ja,do të dal me shoqen time në krah. M’u kujtua fëmijëria,kur plasnim gjersa lëshoheshim në rrugë pas lodrave; në këtë moshën time të ndërmendet shpesh fëmijëria,hehe!
- S’ke faj,t’u bë mëse një muaj që s’lëviz nga vendi.
- Ç’një muaj ! Kam që më nëntë mars që s’e shoh dritën e diellit,u qorruam me llambat që i mbajmë ndezur edhe ditën. Për koincidencë ose jo,sot i plotësova të dyzetat e karantinës,të asaj si qëmoti.
- S’e ke çuar dëm veç arrestin shtëpiak,ta quajmë edhe kështu; i ke mbytur portalet ku janë e ku s’janë me vjersha të freskëta origjinale dhe me përkthime nga krijimtaria e nobelistëve. Shembulli yt është një flamur valvitës lavdie.
- E,tallu ca se kemi nevojë,por nëse do të rrija kot do të kisha lojtur nga mendtë; ku ma ke Covidin 19 apo 20? Nuk i jam ndarë kompjuterit as paradite,as pasdite ; pranë tastierës së tij i kam ngrënë të tre vaktet. Tashmë që nuk dalin nëpër kioska gazetat e shtypura, portaleve do t’u biem në qafë.
- Një tetëdhjetepesëvjeçar i kthjellët,që krijon ende dhe ka ide të reja! Ore,u dashka ardhur në moshën tënde që të bëhesh prodhimtar i madh, haha !
- Epo secili me të vetën.
- Aktualisht jeni disa artistë tetëdhjetepesëvjeçarë:tre apo katër piktorë dhe po kaq edhe skulptorë,që modelojnë ende monumente,e hipin e zbresin tërë ditën në ca skela të sajuara.Kjo është entuziaste dhe,tani s’po bëj aspak humor.
- Posi ! Por a e di se çfarë më pikëllon sa mezi përmbahem ?Ah, ngjitet im bir me ashensor gjer te apartamenti ynë,lë qeset me ushqime për ne, të dera,nuk i bie ziles,por,kur zbret poshtë,merr në celular:hapni derën dhe merrni qeset…
Ç’të bëjmë,s’e shohim dot djalin,ashtu të vërtetë e ta prekim! E kuptojmë; ruhet shumë se ka hallin tonë e të fëmijëve,nipave që s’na i sjellin më t’i puthim e t’i përkëdhelim,por së paku, shihemi e llafosemi darkave në skype! Asnjëherë më parë s’e kam falënderuar shpikësin e tij sa në këto ditë të kyçura, a si e quajte ti. Ika ika, do të të marr në celular ndoshta pasdite, ika…
Por a do të dilnin pleqtë ?
Si s’do të dilnin,me padurim madje,çfarë ligjëroi deri tani poeti FS; kot ua dha lejen speciale kryeministri? Ua dha, por a ua dha edhe frika e infektimit,se? Pastaj, ka edhe nga ata që,vërtet kanë dalë në pension para dy – tre vitesh,por s’e përfshijnë veten kurrsesi në rradhën e të moshuarve.Dhe, të drejtë kanë. Nuk duhet harruar se, disa nga anëtarët veteranë të partisë, mund ta kishin marrë si urdhër (mos ore!) lejen e dhënë nga kryetari i tyre.
Por të rinjtë,këtë herë të rinjtë sipas logjikës së ndarjes sociale të brezave,që na diktoi Covidi,a do të dalin sot në rrugë gjer më njëmbëdhjetë,sot në këtë fashë të pleqve,pa pyetur për këta,lehtësisht të infektueshmit nga virusi ?
Por jo jo,s’u kishte dhënë leje kryeministri,kaq.
Do të këqyrja ja,nga ballkoni im në kat të dytë…
Në fakt,të moshuar,unë shihja çdo ditë,në mëngjes herët,kur ata,të vetmuarit dilnin të bënin një çikë pazar,shumëkush pa maska e pa doreza.Asqë pyesnin për ndalimqarkullimin e rreptë,të vendosur posaçërisht,sepse,përndryshe,të gjithë ata që s’i kishin fëmijët e tyre në Shqipëri,e për rrjedhojë,as nipat e mbesat,që t’i ndihmonin njëfarësoj,për kryerjen e pazareve dhe blerjen e ilaçeve disallojesh,u mbetej veçse të vdisnin e të dekompozoheshin t’harruar brenda skutave ku jetonin.Ku ma kishe virusin…
Por sot ndryshonte puna.
Do të dilnin ceremonialisht.
Po,ceremonialisht.
Do të piqeshin udhës me njeri – tjetrin.
Do të llafoseshin për ditët e mbyllura .
Kot kryeministri s’u kishte dhënë leje të posaçme…
Por, dale dale…
Dola në ballkonin tim të praruar nga dielli i ëmbël i prillit dhe,ashtu më këmbë, mbështetur tek parvazi i tij,nisa të vështroj.Ora ishte tetë…
E gjithë rruga që shtrihej gjer tutje përpara meje,ishte ende bosh,por nga prapa pallateve,dëgjoheshin të qeshura dhe biseda me zë të lartë.Ndërkohë, në ballkonin sipër timit,fqinjët,dy pensionistë të kahershëm,që e shtynin kohën aty,të mbështjellë me batanie,po llafoseshin me fqinjët e tjerë të katit sipër tyre,kur, ata që banonin edhe një kat më sipër,thirrën mes të qeshurave:
- Ore,jemi edhe ne,në ballkon; si u gdhitë,s’keni dalë ende të shëtisni sot që s’ju kap polici ? Po, kryeministri i nderuar,përse e dha atë t’uruar leje ?
- Nuk kemi dalë e nuk do të dalim – u përgjigjën në kor ballkonet – Oh,le të na lënë këmbët.Lavdi atij të madhit Zot,jemi mirë gjer tani; rrugët do të mbushen ja,me pleq e plaka si puna jonë,e ku ta dish sesa prej tyre e kanë përqafuar Covidin ?
- Ç’thua ore? – i shpova unë që nga poshtë – Urdhëri i kryeministrit nuk shkelet,zbatohet. Sepse,si urdhër tingëlloi fjala e tij: të shtunën, më…
- Ne jemi për urdhërin e tij të parë,atë të mirëfilltin;atë zbatojmë ne,ai ka vlerë e na ruan shëndetin,pa rrugët aty janë.Ja,hidhemi gjer te dyqanet një herë në dy – tri ditë.Sa mirë,që s’mungon gjë,pale të blerë secili aqsa ia mban xhepi.
- Po ata të Bashkisë, ju kanë trokitur në derë me ndihma ?
- Jo jo. Dhe s’i duam pakot e tyre,sepse ata të Bashkisë vijnë me kamera e gazetarë me vete dhe,e merr vesh tërë bota që të kanë sjellë dy çika gjëra…
Rruga përpara meje,e pastër,e pastër si asnjëherë,po mbushej me çifte të moshuarish,që çapiteshin mu në mesin e saj,të pashqetësuar nga makinat,që mungonin prej më shumë se një muaj. Rrugë të tilla,pa makina,i kisha fotografuar vetëm më 1 janar,në mëngjesin e heshtur,pas darkës së Vitit të Ri…
Tashmë ato janë sërisht pa trafik që prej dyzet ditësh,por,këtë herë,për një shkak dramatik,në mos tragjik…
Nuk po i shkoqisja dot më se,çfarë kuvendonin fqinjët e mi njeri mbi tjetrin,në ngrehinën e mbetur pa të rinjtë,që kishin migruar prej vitesh n’Itali,Gjermani,n’Amerikë,e ku jo,por,përmes një nënqeshjeje mahitëse me veten,vetë ngrehina m’u duk përnjëmend se,ishte një dekor butaforik teatri njëngjyrësh,i konceptuar në zhvillim vertikal,ku përsonazhet dalin funksionalisht të gjithë njëherësh e dialogojnë në një kakofoni shurdhuese,të një komedi,le ta quajmë të zezë…
Por sa hokatar paskëshin qenë pleqtë,sa tallen nganjëherë po vetë me huqet e tyre,sëmundjet,lajthitjet,gjymtimet,oraret e pirjes së ilaçeve të pambarueshëm…
Shihni,sa shumë paskëshin qenë! Nga u lëshuan gjithë këta?
Qyteti i Bergamos në Itali,u gdhi një mëngjes pa nonna e pa nonno ! Të vdekurit, qindra e qindra, si të ishin vrarë në frontin e zjarrtë të një lufte të njëmendtë,transportoheshin,deri edhe me kamionët e ushtrisë drejt varrezave publike,krejt të braktisur nga fëmijët e tyre, nga nipat,mbesat dhe miqtë,ashtu, pas një meshe të përshpejtuar në katedrale,të kryer nga prifti qe bëlbëzonte përballë arkivoleve të rreshtuar mbi dysheme…
As lotët s’u vinin t’afërmëve të viktimave,për shkak të shurdhërisë pllakosëse,moskryerjes së ceremonive mortore dhe nderimeve tradicionalë.
Ani,gjyshe dhe gjyshë,pakkush ka qenë i amshimit sa ju,të rrëmbyerit nga Covid19,ndonëse disa të mbetur mbi tokë,u gëzuan fshehurazi për ikjen tuaj, por,ah! edhe haptazi…
Këtej,nga ne,nuk doli asnjë deputet,apo kryetar partie politike,asnjë drejtues shoqate,t’atyre që kontribuojnë,së paku me fjalime për respektimin e të drejtave të njeriut dhe për prosperitet ekonomik e kulturor; nuk doli asnjë ministër,mjek jo e jo, siç dolën nga vendet e Europës Veriore,me standarde nga më të lartët në botë,me qytetarë të kulturuar,t’emancipuar e tolerantë,pa paragjykime racore e klasore,duke u çjerrë publikisht n’ekranet televizivë:mjaft më,u morëm me pleq të mbaruar,astmatikë,diabetikë,paraplegjikë,të çmendur,që pshurrin rrugëve! Mjaft u dhamë pensione,ndihma sociale,trajtim mjekësor të specializuar! Po na rrënojnë ekonominë duke mos u ndërgjegjësuar që,veçse konsumojnë! Për hir të shpëtimit të kombit,madje,të të gjithë ekonomisë globale,le ta pranojmë me devocion eutanazinë,që jo më kot quhet vdekje e ëmbël! S’i duhen më as vetes së tyre, prandaj,le të na hiqen qafe…
U desh kjo epidemi pandemike për të marrë vesh sa false paskëshin qenë pallavrat e paqes sociale,përpjekjet për jetëgjatësi treshifrore dhe mrekullitë ekonomike,që solli globalizimi i prodhimit !
Ja tani,distancimi social,që do të thotë: veçohuni,mos jepni dorën,mos u puthni,kujdes me seksin…
Ja,strategjia më e re për shpëtimin e ekonomive kombëtare:Deglobalizimi…
Çfarë prapaktheu urgjente,por a do të përmbahet histeria e konsumit ?
Midis psikopatëve që shpërthyen si edhe vetë Covid19,pati mjerisht edhe femra, por ah,ç’femra! Deri edhe me detyrën e shefeve të pavijoneve në spitale emërmëdhenj.Më në fund,deklaruan ato haptazi,por përse jo,edhe zyrtarisht:i pastruam shtretërit dhe azilet e tejmbushur nga gjysmë të vdekurit…
Dhe,s’u doli kundër këtyre hijenave as ndonjë president,as ndonjë kryeministër, pale ndonjë kodosh i shoqatave të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të cilat gllabërojnë miliona euro! S’i kundërshtoi e s’i dënoi me burgosje këta gjenocidistë as edhe ndonjë gjykatë! Po filozofët,po poetët ku ishin ?
Por dale,dale,pas Covidit,do t’u vijë zëri të gjithëve,me radhë.Tashmë,përderisa heshtin me shpërfillje,do të thotë se,i pranojnë tezat paranojake të shfarosjes selektive…
Si? Edhe këta senatorë,kongresmenë,mjekë,sociologë,e gjithë ç’janë,kur të plaken edhe vetë së shpejti,lypset t’i shfarosin, bie apo nuk bie ndonjë epidemi tjetër ?
A kanë prindër këta frymorë,gjyshe apo gjysh të dhembshur,a kanë apo,asqë e dinë që kanë e ku i kanë ?
M’u ndërmendën pleqtë e humbëtirave të Kinës së dikurshme,që i hidhnin nga shkëmbi,kur komunitetit të ngjeshur nuk i mbeteshin më për të ngrënë as lëkurë pemësh e as bar…
S’para e dëgjoj më t’artikulohet eufemizma,gjithsesi e pagoditur,mosha e tretë; tashmë askush nuk druhet të shprehet:pensionistët, pleqtë…
Përvetësojeni humanizmin real dhe,urtësinë si filozofi dhe edukatë…
Një minutë;po bie zilja e celularit !
- Alo ? Hë,more poet,ç’bëre gjer tani?
- U mora me bibliotekën,kap një libër,lër një libër,por dëgjo ! Para pak minutash po flisja në telefon me djalin e SK,mikut tonë.Ku e ke babain,e pyeta, ma jep të llafosemi ca.Eshtë pa qejf, m’u përgjigj,shumë pa qejf; ja piu ilaçet e zemrës dhe u shtri të qetësohet.Atëherë të shkuara dhe,të fala t’i bësh. Por sa mirë që banoni bashkë! Nga e keqja,xhaxhi FS,sa të marr edhe unë një apartament.Vdiqëm,tim eti s’i mbarohen hallet,boll rrojti edhe ai…
2020