
( “Mund tё shkёputesh e dëbosh njё njeri nga vendi i tij,
por nuk mund tё shkёputёsh vendet nga zemra dhe ëndrra e njeriut )
Jon Dos Passos
- Bëj gati plaçkat, nesër jemi për udhë,
do kthehemi në Çamëri,
-dëgjova babanë, që i thoshtë nusë,
ndërsa rrufte kafenë ulur në shkallë.
- Koha është e mirë, ka nis e freskohet,
ditë me diell që s’djeg, e nata farfuri.
Nuja brofi nga krevati ku lëngonte prej kohësh,
u bë vajzë, s’priti fjalë të dytë.
Hapi sepeten njëqind vjeçare, bërë në Janinë,
nxorri kostumet e tyre të nusërisë dhe dhëndërrisë,
dhe u veshën të dy, për udhën e kthimit ..
Çelsat e shtëpisë në Lopës,
që s’i kish hequr kurrë nga brezi,
nisi t’i fshijë.
Tringëllima e tyre më zgjoi...
Ëndërr e bukur, psherëtita
Më ç’malle me prindërit,
prej kohësh ikur nga kjo Botë,
dhe më tregove,
se të gjithë shpirtrat e të ikurve tanë,
në shtëpitë stërgjyshore tona kthehen.
Shpirtrat s’njohin shtete e kufinj, bëhen ëngjëj,
dhe na mbajnë në këmbë shpresën e kthimit.
Mbajnë në këmbë ,
muret e çatitë e shtëpive tona të bukura hata,
që s’njohin vjetërim, që s'bien në glunjë...
Ëndërra e bukur e këtij mëngjezi,
më hapi portën e kësaj dite me re të trazuara,
të bardha, të hirta, që çuditërisht,
si karvane mushkash,për kapistalli
tërhequr nga babai e nuja ime,
ngarkuar më ëndrrën time,
udhën për Çamëri kanë marrë...
Të gjitha ëndrrat e udhët e mia,
të gjitha ëndrrat e udhët tona,
në tokë , në qiell ,në shpirt,
na shpien në Çamëri...
glunjë- dialektore çame- gjunjë
Comments