E gjeta zgjidhjen


Nga Sefulla Kata


E gjeta zgjidhjen. (Variant në shqip i “Eureka”!)


Pasi kisha rënë të flija me kokën lëmsh, mbushur me mijëra mendime të ngatërruara si telat majë shtyllave të korentit në lagjet periferike të Tiranës, u zgjova krejt i kthjellët se në gjumë, ashtu i rraskapitur siç isha, më së fundi e kisha gjetur zgjidhjen. E kam fjalën për vendimin se çfarë drejtimi do t’i jepja jetës sime prej të sapo diplomuari (natyrisht me rezultate të shkëlqyera sepse në kohën që jetojmë nuk lejohet të kesh rezultate të dobëta). Isha përpjekur sa më kishin rënë këmbët duke trokitur zyrë më zyrë, në shtet dhe në privat, duke studjuar ligje dhe rregullore, duke marrë sa andej këndej çertifikata për njohjen e disa gjuhëve të huaja dhe të komjuterit, kisha futur miq gjithandej, shokë të babit, shoqe të mamit, shokë të shokëve të babit, shoqe të shoqeve të mamit, kushërinj nga të dyja krahët, fqinjë aktualë dhe të tjerë që i kishim pasur para se të vinim në shtëpinë e re, të njohur qeveritarë në të majtë, në të djathtë, në qendër, por rezultati kishte qenë i njëjtë : askush nuk donte t’ia dinte për hallin tim, askush nuk kishte një punë të përshtatshme për mua, askujt nuk i hynin në punë rezultatet e mia të shkëlqyera të siguruara nga studimet në distancë në një nga universitetet më të mira private të vendit, as masterat e marrë në disa universitete të tjerë, shtetërorë dhe privatë, as çertifikata e kualifikime të marra jashtë shtetit, asgjë. Me prindërit isha në hall të madh. Çdo ditë më akuzonin si të paaftë, si njeri që e çoja kohën kot, që nuk përpiqesha fare për të gjetur punë, megjithëse hallin në fakt e kishin tjetërkundi : tek lekët që u kërkoja çdo ditë, sepse siç e dimë, pa lekë nuk mund të shkosh asgjëkundi. Por ja, një natë e vetme mjaftoi për të gjetur çelësin që e mendoja si të humbur gati përfundimisht. Isha zgjuar me idenë se mund të punoja në profesionin më të ri, në më të suksesshmin, në më fitimprurësin, në më joshësin. Do të punoja si analist në televizion ose më mirë në televizione sepse siç e kam konstatuar vetë pa më thënë askush, mjafton të shkosh tek njëri dhe të prezantohesh si analist dhe pa arritur mirë në shtëpi, i lodhur pas një debati të nxehtë për ty dhe acarues për telespektatorin, telefoni yt mbushet me mesazhe-ftesa, me thirrje të humbura të cilave ngaqë kanë qenë të shumta nuk ke mundur tu përgjigjesh. Të gjithë të ftojnë në emisionet e tyre debate, në tryezat e rrumbullakëta, në « Shtatë pyetje nga… », në « Good morning njerëz », në « Zgjohuni se u bë vonë », në « Shprehni mendimin tuaj me gojën time », në « Ballë për ballë me karrigen bosh », në « Top kështu e Top ashtu » e plot emra të tjerë në gjuhë të huaj të cilët as unë që njoh disa gjuhë nuk arrij t’i përshtas siç duhet në ship.

Mendoj se nuk do ta kem shumë të vështirë, përjashtuar emisionin e parë. Në fakt për emisionin e parë mendoj të ndjek një strategji pak të rafinuar: më shumë do të flas se sa do të dëgjoj. Madje edhe pyetjet që do të më drejtojë moderatori i emisionit nuk do t’i marr shumë parasysh sepse kam vënë re që nuk është shumë e rëndësishme se çfarë kërkon të dinë ai dhe publiku. Ti duhet të ngulësh këmbë në atë që ti vetë mendon dhe kërkon të thuash. As faktin se dikush tjetër është duke iu përgjigjur pyetjes së bërë, nuk duhet ta marrësh parasysh. Ti duhet të vazhdosh të thuash atë që ti ke vendosur të thuash që para se të bëhej pyetja, madje që kur ishe në shtëpi, mundësisht edhe me zë të lartë, që ai tjetri që është duke folur të mos dëgjohet fare sepse parimi dihet: Ka gjithmonë të drejtë ai që ulëret, se populli vetëm atë dëgjon ngaqë në veshët e tij të bllokuar nga pluhuri i rrugëvë, vetëm një zë i tillë, çjerrës, shurdhues mund të depërtojë siç duhet dhe pastaj të ruhet në kujtesë. Mund të zgjedh që edhe ta nevrikos moderatorin, ta nxjerr fare nga binarët, ta detyroj të përplas këmbët, grushtet mbi tavolinë, shkopin mbi ekran, madje ta ndërpresë fare emisionin se kështu dal më i fituar: do detyrohet të më thërrasë përsëri sepse një gjë e tillë siç duket, i krijon moderatorit një gjendje kënaqësie të tejskashme. Audienca e tij rritet, rritet edhe rroga madje dhe shansi për tu bërë drejtor departamenti në televizion ose edhe deputet nëse forca politike të cilën ai e mbron hapur pa iu dridhur fare qerpiku, gjithmonë duke respektuar paanësinë, e sheh të arsyeshme t’i gjejë një vend të mirë në listat e saja elektorale. Ju mund të thoni se nuk është kaq e lehtë sa e paraqes unë, se në këta debate, temat janë gjithmonë të ndryshme, madje dhe oraret. Për oraret nuk ka problem se unë i lirë jam gjatë gjithë kohës, nuk kam ndonjë punë tjetër për të bërë. Prindërit më duan sa më pak në shtëpi dhe u del e u tepron fakti që kur të kthehem në shtëpi për të fjetur, aty rreth orës tre të mëngjesit, të sigurohen se i kam disa lekë në xhep (frut i mundit dhe i djersës sime) dhe nuk do tu kërkoj asgjë të nesërmen. E dashura që kam gjetur para ca kohësh dhe që është lodhur duke paguar për mua kafe më kafe, më së fundi, do të ngushëllohet se nuk do të më ketë gjithë ditën nëpër këmbë dhe nuk do të paguaj vetëm ajo, madje mund të shpresojë që me lekët që do të fitoj do të mund t’i bëj edhe ndonjë dhuratë ose ta nxjerr ndonjë mëngjes për të ngrënë diçka. Mos më qorto i dashur lexues. E di që si rregull dilet për darkë, por unë do të jem gjithmonë i zënë në darkë, ndaj zgjodha mëngjesin për të dashurën time. Ju mund të thoni se ndonjë natë mund ta bëj pushim. Gabim. Pushimi nuk ekziston. Po iu fute kësaj rruge, kthimi pas dhe pushimi janë dy gjëra të pamundura për tu bërë. Mund të thoni se ndonjë nga temat që do të debatohen nuk përshtatet me profilin tim prej analisti sepse unë nuk kam mbaruar për gjithçka dhe nuk mund të jem specialist për çdo gjë. Përsëri gabim. Vërtet jam diplomuar për një gjë, madje diploma ime s’ka të bëjë fare me profesionin e analistit, por unë jam intelektual dhe si i tillë di çdo gjë dhe për t’jua mbushur mendjen, mund ta them pa frikë se edhe për president e bëj, president fondacioni, president universiteti madje dhe president republike. Po, po, mirë e lexuat, president republike. E çfarë ka më shumë se unë presidenti? Shkollë ai, shkollë unë, kualifikime ai, kualifikim unë, faceboouk ai, facebook unë. Pra njëlloj. Më ngushëllon fakti se sot temat janë shumë të larmishme. Por edhe kur janë shumë konçize, mund t’u gjendet ana. E nis me diskutim për politikën a ekonominë dhe e përfundon me debat të fortë për menopauzën ose për martesat mes homoseksualëve. Rezultati është gjithmonë i njëjtë : Ti ke folur, njerëzit kanë dëgjuar, ti dhe gazetari jeni paguar, televizioni i ka transmetuar reklamat njëra pas tjetrës, shanset për të ecur përpara të janë shtuar, me prindërit dhe të dashurën e ke rregulluar paçka se dikush, le të themi dy a tre veta, mund të jenë mërzitur duke të parë e duke të dëgjuar.

34 views0 comments

Shkrimet e fundit