
Në blunë e qiellit e ngjyej penën,
Me rreze drite vargun tim e thur,
Ia numëroj tingujt, shkronjat, fjalët,
Në strofë e vë si më të bukurën pikturë.
Ia marr hua petalet trëndafilit,
Vesën sipër tyre e mbledh si nektar,
Njom në të frymëzimin tim idilik,
Dhe fjalët një nga një i vë në radhë.
E dua gjuhën time, të bukurën e dheut,
Plot nur e dritë çdo tingull, çdo fjalë,
U falem me nder e u përlulem me respekt ,
Të parëve tanë që amanet na e lanë.
Ka fjalë shumë të ëmbla për dashurinë,
Ka fjalë mjaft të serta për zemërimin,
Me shkronja t’ arta e plumb të rënda,
E vesh plot nur gjoksin e trimit.
Ka fjalë të bardha për t’iu lutur Zotit,
Ka fjalë për besën, fjalën e dhënë,
Me të gjitha ngjyrat e mbush frymëzimin,
Është frymë shpirti e të bukurës nënë.
Ka fjalë të thjeshta si vetë thjeshtësia,
Ka fjalë të bukura si vetë bukuria,
Si zonjë e fisme mes gjuhëve të tjera,
E madhërishmja si madhështia.
*Dërgoi: Shefqet Meko
I dashur Sefulla,
Keni plotësisht të drejtë. Shqipja është E bukura e Dheut se ajo është Gjuhë Zonjë dhe Kryezonjë. Ajo është gjuhë plot Hijeshi dhe Madhështi. Dhe Madhështia e saj qëndron në Thjeshtësinë e saj - ashtu si shkruhet, ashtu edhe lexohet, nuk është “nazemadhe”, si ca gjuhë të tjera që ndryshe lexohen dhe ndryshe shkruhen.
Urime nga zemra për poezinë e bukur. Urime dhe mikut tim Shefqet Meko që e ka nisur për botim.
Eshref Ymeri