top of page

DUKE KOMENTUAR DY FOTO


Vangjush Saro

DUKE KOMENTUAR DY FOTO, PRANGOSJEN E KËNGËTARES SË NJOHUR…

dhe në pritje të botimit të librit tim “Shqipëria në dy kohë”


Më brengosi shumë prangosja e asaj vajze të bukur në Romën e bukur… Mund të cilësohet përvojë vetjake, zgjedhje e saj - unë uroj të vuajë sa më pak - por prapë është kaq e rëndë. Çfarë po ndodh me ne? Ku kemi gabuar dhe po gabojmë kohë e pa kohë? Për çfarë u ngutëm dhe vazhdojmë të ngutemi ende, si të marrë madje? Duke medituar, duke shkëmbyer mendime, jo se zgjidhim ndonjë gjë - kemi vetëm fjalën dhe përpunimin e opinionit publik - vendimmarrja është e tjetërkujt… Por vërtet mbetemi nganjëherë pa gojë duke parë pamje të tilla: me prangosje që dhembin; me një sistem që po prodhon shumë konfuzion; me një opozitë që veç rënkon; me akuza për korrupsion që nuk pranohen as edhe një grimë; me kacafytje për kurrfarë gjëje, por edhe për moskuptime të rënda në histori e në dinamikë…

Siç përpiqem të kumtoj në një shënim me të cilin (besoj shpejt) përcjell në media librin tim “Shqipëria në dy kohë”, nuk jam as me nostalgjikët, as me ekstremistët. Shikoj këto dy foto. Në njërën, shokët e mi të gjimnazit, ulur në dyert e pasme të pasticerisë “Agimi” (në Korçë) diku në fillim të viteve ‘70. (Mund të isha edhe unë aty, s’paskam dalë atë ditë.) Është Koço Broka, që do të bëhej ekonomist, Pandi Papando - inxhinier e prozator, Dhimitër Xhambazi - futbolllist i shquar, Vaskë Karamelo - volejbollist (“Skënderbeu”, “Studenti”) Vladimir Dardha, Bujar Gaxhaj e Sotiraq Bica - mësues, Vasil Shunda - agronom, etj. Në foton tjetër, besoj e bërë nga fundi i viteve ’70, janë djem të një brezi dy-tre vjet pas nesh, por shoh sërish aty disa nga shokët e mi: Bardhyl Nazemllari e Niko Kotonika (si mungoka Dhimitër Dhimitri) ndër miqtë më të mirë të fëminisë; Piro Visari, poet, me të cilin kemi bërë serenata, Mondi Kosta, Dhimitraq Papando, etj. Shumica mbaruan universitete, punuan, krijuan familje, bënë emër…

Po si, more, nuk u ngatërrua asnjëri me pisllëqe? Atëherë dhe më pas… Në disa dimensione, koha na zhbëu. Tash, një sërë ekstremistë, edhe shkrues të vonuar, duke mbiluajtur disa të vërteta të padiskutueshme - izolimi i vendit, përndjekja e dhimbshme e disa shtresave të caktuara, varfëria (që në vitet ‘80 u bë vërtet barrë,) etj. - përpiqen të na mbushin mendjen, ua shpëlanë truri disa brezave më të rinj, që ky vend ishte copë-copë, me njerëz të reckosur e me tela me gjemba… (Këta në foto i kanë marrë rrobat e dorezat te teatri “Çajupi”?) Përpiqen të na tregojnë se në këtë vend dashuria bëhej vetëm aty te stalla (siç e ofruan dikur në një skeç ordiner ca kolegë jetë e mot të etur për para). Etj. Ej, se nuk zbraz timen të mbush të tyren, por si mori kot ky popull, e sidomos një pjesë e më të rinjve, o burra të fitojmë miliona brenda ditës, pa se i themi burgut “Hapu!” s’ka gjë (!) Si ishte ajo puna “të gjejmë ndonjë njeri të besuar në qeveri, si në Shqipëri…” U bë deti kos, administratat janë pak të besueshme e besnike, ka një bum që ndonjëherë duket i dyshimtë, qarkullojnë shumë para, bëhet propagandë e madhe, politika kujdeset që të ketë gjithnjë ngjarje-fasadë për të tërhequr gjetkë vëmendjen e njerëzve. Veç… droja se njëfarësoj kemi gabuar e po vazhdojmë të gabojmë, është gjithnjë me ne, na ndjek hap pas hapi. Natyrisht, nuk mund të bëhen më krahasime me të shkuarën, kapitull i mbyllur; ka shumë ndryshime dhe, në jetë të tëra, edhe qetësi e mbrothësi. Por zhvillimi e përparimi po bëhen me kosto të lartë. Mbase do ndalojmë njëherë, të marrim frymë, të shikojmë se mos korrigjojmë ndonjë gjë…

34 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page