top of page

Dudiana Lela: Kjo është dhe magjia e poetit Fatmir Terziu!

  • Jun 6
  • 4 min read

Dudiana Lela: Kjo është dhe magjia e poetit Fatmir Terziu!

 

 

Është një lidhje e bukur shpirtërore midis muzës poetike dhe natyrës, me gjithë çka ka brenda saj!

Dhe kur e mbaron së lexuari këtë poezi e vëren mirë këtë “ngjizje” poetike ,sidomos kur përdoren bukur krahasimet dhe metaforat ku poeti, nëpërmjet tyre , përcjell në këtë mënyrë edhe mesazhet e tij!

Është zgjedhur “ personazhe” një pemë natyrore, ku poeti është i bindur se , “mbështetja” në të , e muzës së tij, i jep më shumë “ garanci” ,se

pse pesha e epiteteve, krahasimeve, metaforave që shpalosin mesazhet e tij, do të jetë e qëndrueshme në “ trungun” e fortë të pemës, “trung, “ që hera - herës “ flet” dhe ka paralelizëm me të brendshmen e shpirtit njerëzor!

Dhe ja , VALLDARJA, kjo pemë rreth së cilës “ vërtitet” si balerinë muza poetike e këtij poeti!

Në imagjinatën tonë si lexues, parafytyrojmë poetin ( ndoshta mund t’i ketë ndodhur edhe ndonjë lexuesi), ulur aty në kopshtin e fëmijërisë , me një gotë nga mushti i kokrrave të saj, duke kundruall “ portretin “ e bukur të kësaj peme të dobishme!

Po po ,shumë të dobishme, siç e përshkruan poeti në vargjet e tij.

I vinte pak keq poetit se , si e moçme që ishte, ajo ishte njëkohësisht dhe dëshmitare e PRITJEVE të shumë gjërave , ku për poetin nuk kishin ardhur kurrë!

Një metaforë e përdorur bukur, që sqaron çdo gjë!

Kjo pemë prodhonte shumë kokrra, ku u bë si e lakmuar për fëmijtë e lagjes!

Ata hanin pa frikë. Pronari vetëm u buzëqeshte

( sa shpirtbukur pronari)!

Po  pse kaq i mirë ky pronar?

Atij i vinte mirë, që kjo pemë nuk “ kursente” deri dhe të fundit kokërr që kishte, për t’ua dhuruar kalimtarve!!

Dhe poeti, apo dhe unë si lexuese ngazëllehemi, sepse na duhen ca njerëz të shumtë, që t’i “ ngjajnë” asaj!

Të japin pa hezitim, të ndihmojnë pa hezitim, të sakrifikojnë pa hezitim, se ZOTI, është udhërrëfyes për këtë njeri , pavarësisht ,se pikërisht ky njeri, ngelet VETËM, në këtë kohë me antikohë kaq të keqe!

Çfarë mesazhi jetësor, të cilin e kam vërtetuar disa herë në jetë dhe nuk jam bërë pishman, (por jo vetëm unë), ka të të tillë, të rrallë!

Përshkrimi rreth kësaj “ balerine” në kopësht vazhdon me shprehje e vargje, më shumë se një tregim,në ndalje të disa momenteve të veçanta të bukura, si vet natyre që përshkruan poeti brenda këtyre vargjeve!

Futet në “vallen “ e natyrës edhe stina e bukur e vjeshtës, ku era shkundi një kokërr kumbulle dhe një gjethe nga degët e valldarjes!

Një krahasim pak i trishtë midis kokrrës së pjekur të kumbullës por me një njollë të zezë ,dhe viteve të jetës së njeriut!

Sa më shumë vite jete, aq më shumë “ njolla” të zeza si një pasqyrë e viteve të shumta që kanë kaluar, jo pa lenë “shenjë” katarakti!

E trishtë, por kjo është jeta!

Po gjethja , që dhe ajo u shkëput nga valldarja, ku vajti?!

Me një ndjesi të bukur poetike , poeti e “ ndal” ,si me magji në supin e tij, e cila shpejt u shndrrua në një “ dorë” njerëzore mbështetur në sup,për të cilën kemi të gjithë shumë nevojë!

Kjo është lidhja magjike e natyrës me shpirtin ndjesor njerëzor!

Kjo është dhe magjia e poetit!

A mos vallë poeti brenda muzës së tij këtë personazh pemëtore mund ta njehsojë me një personazh njerëzor?!

Shtegu i lënë nga poeti për të kaluar imagjinata e lexuesit, është i artë!

Le ta eksplorojmë ne, si lexues dhe ,sigurisht poeti do jetë “ paqësor” me ne!

Dhe vargu i fundit është kryevarg:

Aty nën hije e nën valldarje , poeti, si në një ekran filmi hodhi nëpërmend, këto copëza jete , e cila, kjo valldarje, i kujtoi se JETA dinte më shumë se të gjitha LIBRAT që njeriu shkruan dhe lexon. Ajo është e vërtetë lakuriq dhe mësimet prej saj vlejnë shumë herë ,më shumë se sa një leksion, vlerë që mund ta marrësh edhe nga “soditja” e një VALLDRINE!

Sa i bukur ky frymëzim!

Suksese, poet!



Fatmir Terziu: VALLDARJA

(Kumbull gjatore)

 


Në fund të oborrit qëndronte valldarja.

Lezetshmore. Trungrrudhashke. Ashtu e gjatë dhe e heshtur. Shkelkesyshe me rreze dielli. Ngjante sikur nusëronte. Dukej sikur të ishte mbjellë aty jo nga dora e njeriut, por nga koha.

Sa herë kthehesha në shtëpi, sytë më shkonin tek ajo.

Jo se kishte ndonjë bukuri të rrallë.

Madje, po ta shihje me kujdes, degët i kishte paksa të çrregullta dhe trungu i ishte nxirë nga shirat e shumë dimrave.

Por njeriu lidhet me gjëra që nuk din t’i shpjegojë.

Në mbrëmje, kur dielli zbriste pas kodrave, hija e saj binte deri pranë pragut të derës.

Atje rrija shpesh me një gotë ralie të dalë nga shpirti i trupit të saj në dorë.

Nuk mendoja për asgjë të veçantë.

Dëgjoja pulat që ngjiteshin në kotec.

Një qen që lehte larg.

Zhurmën e bidonave të qumështarit mbi kuaj e mushka që kalonin rrugës me zhurmën e njohur të troktheve.

Dhe herë pas here ngrija kokën drejt valldarjes.

Më dukej sikur ajo më njihte.

Sikur e dinte sa vite kisha humbur duke pritur gjëra që nuk kishin ardhur kurrë.

Një verë dha shumë fruta.

Degët u përkulën nga pesha.

Fëmijët e lagjes hynin fshehurazi në oborr dhe iknin me xhepat plot kumbulla.

I shihja nga dritarja.

Nuk u thosha asgjë.

Vetëm buzëqeshja.

Më vinte mirë që pema nuk dinte të kursente.

Jepte gjithçka që kishte.

Ashtu siç japin disa njerëz.

Dhe pikërisht për këtë mbeten vetëm.

Një mëngjes të vonë shtatori, gjeta poshtë saj një kumbull të rënë.

Ishte e pjekur deri në fund.

E mora në dorë.

Mbi lëkurën e saj kishte një njollë të vogël nga rënia.

M’u kujtuan vitet.

Edhe ato bien në të njëjtën mënyrë.

Pa zhurmë.

Pa vëmendje.

Pa kërkuar leje.

Në atë çast fryu pak erë.

Degët lëvizën lehtë.

Disa gjethe ranë mbi supe.

Dhe unë pata ndjesinë e çuditshme se dikush më kishte vënë dorën mbi krah.

Ktheva kokën.

Nuk ishte askush.

Vetëm valldarja.

Vetëm ajo.

Dhe heshtja e butë e pasdites, që dinte më shumë për jetën se të gjitha librat që kisha shkruar e lexuar.

1 Comment


Guest
Jun 06

Që të dyja të bukura: edhe poezia edhe analiza. Analiza imponon me thellësinë e vështrimit dhe me të kuptuarit e peshes poetike të poezisë, kurse-çfarëdo të thuhet për poetin, nuk është e tepërt. Di ai fuqinë e krahasimtarizmit dhe di ta jep me metafora që i japin peshë poezisë.

Edited
Like

Shkrimet e fundit

bottom of page