top of page

Dr. IRFAN BREGU, GAZETAR, POET DHE STUDIUES


Irfan Bregu: 1937-2018

Nga Luan Çipi Irfan Bregu, gazetari i njohur, poeti, mësuesi dhe studiuesi, u lind në qytetin e Vlorës më 14 Prill të vitit 1937. Ai, u rrit dhe u burrërua në Vlorë dhe në Kryeqytet dhe po në Vlorë, më 26 Mars 2018, në “Betlehemin e Lirisë’ (siç e quante), pati fatin të mbylli sytë dhe të sigurojë përjetësinë. Në vendlindje kreu shkollën 7-vjeçare dhe të mesme, ndërsa studimet e larta i përfundoi me sukses në Fakultetin Histori-Filiologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, Dega Gjuhë-Letërsi Shqipe. Në këtë Universitet kreu edhe kursin e lartë për  Filozofi. Fillimisht shërbeu si mësues i gjuhë-letërsisë në Gjimnazin “Halim Xhelo” dhe në “Shkollën e Mesme Ekonomike” të mbrëmjes, (ku, si kolegë, patëm fatin të bashkëpunojmë e të njihemi më mirë), në qytetin e Vlorës (1962-1967), po shpejt kaloi në gazetari, ku thuajse e mbylli gjithë jetën, së pari si redaktor i gazetës lokale “Zëri i Vlorës’’ (1967-197O), pastaj si korrespondent i “Zërit të Popullit’’ për  rrethet Vlorë e Fier (1973- 1976), ca kohë u dërgua korrespondent i ‘’Zërit të Popullit’’ në Republikën Popullore të Kinës, në  (1976-1979) dhe së fundi, redaktor i gazetës ‘’Zërit të Popullit’’ në Tiranë (1979-1983). Pas një ndërprerje, i dërguar për “riedukim” si gazetar në gazetën lokale të qytetit Lushnje, u kthye sërish në Kryeqytet, emëruar redaktor, në ‘’Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor” (1983-1993).

Shumë shpejt, menjëherë pas ndryshimeve demokratike, Irfan Bregu, u rikthye në fushën e tij të dashur të punës, në gazetari. Punoi  redaktor në të përkohshmen ‘’Demokracia’’ (1993-1996) dhe, në të njëjtën kohë, ishte kjo periudhë e punës për studimet e tij shkencore kur, nga viti 1994, morri gradën shkencore ‘’Doktor i Shkencave”.

Duhet të kujtojmë, gjithashtu, se gjatë gjithë jetës së tij, si njeri plot energji e pasion, krijues letrar i talentuar dhe punëtor i palodhur, ka bashkëpunuar pa ndërprerje me  shtypin e kohës, si  në gazetën ‘’Bashkimi’’, te ’’Zëri i Rinisë’’, te gazeta letrare “Drita’’, “Rilindja Demokratike’’, “Ballkan’’, si dhe thuajse, me të gjitha revistat e Kryeqytetit.

Duke mos u ndalur te gazetaria, me të cilën u mor thuajse gjithë jetës në Tiranë, Vlorë, Lushnje e deri në Kinën e largët dhe mësuesia, në specialitetin gjuhë-letërsie shqip, që në fakt, mbulojnë një periudhe të gjatë kohe, për Irfan Bregun, ajo çka do ngelet gjithashtu ecilësore dhe me shumë vlerë, është krijimtarinë e tij letrare – artistike, (e nisur me poezinë e parë, qysh nga viti 1959) kryesisht poezia e bukur, me specifikë gjininë e poemës. Poemat e Irfan Bregut janë tërheqëse e gjurmëlënëse, të mbushur me ide atdhetarie e dashurie njerëzore dhe me bazë figurat artistike letrare dhe me metaforat e shumta e që s’harrohen lehtë.

Irfani, i nisi veprat e tij letrare e artistike herët dhe nuk pushoi së shkruari, për 60 vjet rresht. E filloi me librin me poezi “Bisedë me pushkën” (1964) dhe në vitet e ardhshme edhe “No pasaran” , ’’Në këmbë e në këngë’’, vazhdoi te  librat madhore si “Betlehemi i lirisë’’, (poezi 1997), ”Liria erdhi vonë; ”(Tri libra për Kosovën”, 2OO2) e deri  te “Gjaku ynë’’. Irfan Bregu pas një pune këmbëngulëse e të lodhshme shumë vjeçare,  u bë gjithashtu autor i një Fjalori Enciklopedik (social-kulturor-artistik) prej disa vëllimesh. Produkt i punës së pa ndërprerë janë edhe një larmi botimesh të shumta, ku veç 15 poemave, duhen përmendur edhe disa libra shkollore, tekste e antologji, fjalorë gjuhësor, kritikë letrare e pedagogjike, etj. Sidomos librat e Irfan Bregut me poezi, po dhe poemat, dallohen njëkohësisht për lirizmin dhe epizmin, ku ndihen të  skalitura karakteret e qenësishme të figurave letrare e artistike, që i bëjnë lexuesit kureshtar, të jetojnë me to e t’i  dashurojnë, pa i harruar.

Irfan Bregu, ishte qysh herët, anëtar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë” dhe së fundi, në vitet e Demokracisë edhe anëtar i Klubit të Shkrimtarëve “Petro Marko” Vlorë.

Si personalitet i mirënjohur publik e si një nga krijuesit me kontribute të shumta për vendin, në fushën e letrave, kohët e fundit, Këshilli Bashkiak i Vlorës, i akordoi Doktor Irfan Bregut, titullin e lartë qytetar “Nderi i Vlorës’’.

Poeti dhe gazetari Irfan Bregu, i kuptoi shpejt dhe i favorizoi dukshëm qysh në embrion, ndryshimet demokratike në vend. Në krijimet e tij të fundit, duke luftuar edhe me gjendjen e tij shëndetësore të rënduar, vërente si qytetar, poet, shkencëtar e publicist me keqardhje, shkallën e pamjaftueshme të demokracisë shqiptare. Ai i ndjente deri në dhimbje personale, shtimin e padrejtësive në qëndrimet partiake e shtetërore dhe ato në Prokurori e Gjykatë, si dhe gjallërimin e krimit, drogës e të prostitucionit. Në shkrimet e tij periodike e deri te poema e fundit, ai shpreh dëshirën që këto padrejtësi, mangësi, dobësi e pengesa, të zgjidhen e të ndreqen sa më shpejt, si dhe të marrin fund grindjet shekullore dhe të vendoset e të mbizotërojë mirëkuptim i plotë shoqëror, me shpresë dhe besim që “lulet e zeza” të bëhen sa më shpejtë të bardha...

Kaluan dy vjet pa poetin, gazetarin dhe studiuesin Irfan Bregu dhe i gjithë vendi edhe pse në kushte të vështira karantine, po sidomos ne, shokët e tij të hershëm vlonjat, secili izoluar në shtëpitë e veta, e kujton me respekt e dashuri, publicistin dhe krijuesin e palodhur. Ngelet e paharruar sidomos krijimtaria e tij publicistike, po dhe letrare, me më shumë se 20 krijime, në poezi dhe në prozë, që kanë në themel heroizmin, atdhetarizmin dhe dashurinë për vendlindjen dhe njerëzit e saj, duke e renditur autorin midis publicistëve dhe zërave poetik të nderuar e ndër më të shquarit në vend.

Tiranë, më 25 Prill 2020

49 views0 comments

Комментарии


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page