top of page

Do të ndërtoj një supermarket ….


Sefulla Kata

... në një lagje shumë të populluar, ku nuk pushojnë së hyri e së dali klientë të të gjitha shtresave shoqërore, nga lypësi i lumtur deri tek ministri i mjerë, nga polici i shkopsitur deri tek gjenerali, nga ai që blen me kartë deri tek ai që vjedh karta. Dhe lekët do të mblidhen kapicë në darkë aq sa nuk do të di ku t'i magazinoj.

... në një pallat modern ku klientë do të jenë vetëm banorët e pallatit, të gjithë të veshur "firmato". Në hyrje të supermarketit do të vendos një sensor markash i cili do të afishojë në një tabelë markën e veshjeve të klientit : këpucët, kostumin, kapelën, madje edhe të brendshmet. Nëse nuk bie sinjali që ka identifikuar markën, rojet e sigurisë do të marrin përnjëherë masa që klienti i identifikuar si « jashtë standardi » të mos shkelë në supermarket.

... në një fshat turistik ku klientë do të jenë vetëm turistët e ardhur nga e gjithë bota, të cilët nuk të bëjnë kurrë pyetje lidhur me çmimin por vetëm për cilësinë dhe datën e skadencës.

... në një hotel me pesë yje buzë detit, në katin e parë, ngjitur me pishinën e madhe ku lahen pothuajse lakuriq biznesmenët me të dashurat e tyre, fëmijët e politikanëve me miqtë e tyre, ndonjë i huaj i ardhur si i dërguar i ndonjë institucioni me peshë në Evropë, ndonjë gazetar i rubrikave rozë, ndonjë sportist i njohur i Kombëtares, ndonjë fëmijë çapkën që u shet cigare klientëve .

... në një majë mali, në një shtëpi të madhe prej druri, pronë e familjes sime, e ndërtuar me shumë mund e djersë, me paratë e dhëna nga shteti për ndërtimin e rrugës në fshat.

... në një planet të pazbuluar ende, por që do të zbulohet së shpejti, ku blerës do të jenë vetëm miliarderët, ata që kanë paguar miliona dollarë për të jetuar në atë planet e për të blerë në supermarketin tim …

I mendoja të gjithë këta variante ndërkohë që po ngulja dy hunj buzë një trotuari, mu në mes të Tiranës. I kisha përgatitur me kohë hunjtë dhe po i sillesha vërdallë qytetit. Nuk lashë lagje pa vizituar në kërkim të një copë trotuari të pazënë. Humba më kot kohën dhe nuk gjeta as edhe katër pllaka të vetme bosh. Gjithandej shitës të përkushtuar që i përvishen që pa gdhirë punës së tyre me të vetmin qëllim që kur të ketë ardhur ora shtatë e kur njerëzit t'u hipin këmbëve apo autobusëve për të udhëtuar në drejtim të hallit të tyre, t’i gjejnë dyqanet e trotuareve të hapur.

Gjithçka është në shitje:

Qumështi i ardhur nga fshati, i ambalazhuar në shishet e mbledhura një natë më parë në koshat e plehrave. Të ka lezet shpirti kur e bën kos! Del një alamet kosi në ngjyrë të kuqërremtë a thua se e ke bërë me reçel luleshtrydhesh. E ha pa merak.

Zarzavate të mbjella nëpër sera dhe të rritura shëndetshëm brenda pak ditësh në saje të magjisë së ilaçeve çudibërës të blerë nëpër farmacitë bujqësore të hapura në çdo fshat. Shiten për mall fshati pavarësisht se blihen tek Uzina “Dinamo”.

Peshk i freskët, i zënë në frigorifer. Ta pastrojnë dhe ta bëjnë gati në çast. Pastaj ta shpëlajnë në ujin e govatës që i ka të gjitha ngjyrat dhe e ke gati për pjekje. I shoqëruar me zarzavatet e bukura të shitësit ngjitur, dreka del më e mirë se në një restorant me pesë yje.

Djathë, i bërë në shtëpi, me qumështin e prodhuar nga zierja në ujë e pluhurit të qumështit të ardhur nga vendet fqinjë si dëshmi e shkëmbimeve tregtare që qeveritë e njëpasnjëshme të vendit tonë kanë realizuar suksesshëm me këta vende. Tregtohen të gjitha llojet: deleje, lope, dhie, me shije të vërtetë të krijuar me esencat që vijnë nga vende më ekzotike se sa vendet tona fqinjë. Siç duket edhe me këta vende, qeveritë tona kanë shumë sukses në shkëmbimet tregtare.

Fruta të të gjitha llojeve dhe ngjyrave, nga ata tradicionalët e prodhuar në vendin tonë në saje të teknikave të përparuara botërore të shpjeguara me detaje në trajnimet e organizuara me fermerët nga specialistë të ardhur në vendin tonë në kuadër të programeve për "ndihmë dhe asistencë nga jashtë", deri tek frutat e ardhura nga vende vërtet të largëta e të panjohura, gjithmonë në përputhje me konventat tregtare ndërkombëtare. Banania merret e papjekur sepse prishet gjatë rrugës por ama në vendin tonë kemi ngritur furra të posaçme dhe e pjekim. E bëjmë sikur të jetë këputur para një ore. Dhe hajde mos e bli pastaj!

Celularë të ardhur në mënyrë të ligjshme në vendin tonë por edhe të gjetur nëpër autobusë, atje ku udhëtarë të pakujdesshëm i harrojnë mbi ndenjëset ku kanë qenë ulur gjatë udhëtimit të tyre fantastik, me një kilometër në orë, si turistë të vërtetë. I harrojnë ngaqë ua marrin mendjen shërbimi i kulturuar i kontrollorëve dhe bukuritë e rrugëve nga kalojnë, në veçanti fasadat e pallateve të lyera bukur, këtu e pesëdhjetë vjet më parë.

Rroba të reja, të saponxjerra nga thasët e lirit të cilat mbajnë një erë që ta këput shpirtin. « Armani » nuk është gjë fare! Ka për të gjithë e për të gjitha masat. Mjafton t’i provosh. Futesh në dhomën e provës të sajuar me çarçafë dhe del prej andej i veshur tendencë, me markat më të mira të botës. Në pastrim kimik nuk ke përse t’i dërgosh se pastaj mbetesh pa atë erën e mirë karakteristike që mbajnë rrobat “firmato” dhe nuk ta var më njeri.

Janë shtuar shumë edhe peshoret, e të gjitha llojeve, dikush me dhjetë lekë, dikush me njëzet, por pa punë nuk mbeten. Pronarët e tyre janë kryesisht pensionistë të lumtur që kanë vendosur t’i shtojnë diçka pensionit, pavarësisht se ai u del dhe u tepron. Klientët e ushqyer me gjithçka gjejnë mbi trotuar, e marrin veten shumë shpejt në saje të frutave dhe perimeve të rritura shëndetshëm dhe shtojnë shumë shpejt në peshë, ndaj u duhet që herë pas here të peshohen e ta mbajnë peshën nën kontroll, se përndryshe, i pret spitali dhe atje, po hyre, vështirë të dalësh pa gjë.

Në supermarketin tim të ri, të cilin po filloj ta ndërtoj, do të shes nga pak prej të gjithave. Klienti që do të vijë tek unë do t’i ketë vërtet të gjitha. Nuk do të jetë aspak e nevojshme që të bredhë trotuar më trotuar. Do të bëhen xhelozë të tjerët, po nuk kam se çfarë të bëj. Tek e fundit secili ka biznesin e vet. Edhe unë kam biznesin tim. Licencën e kam, taksat i paguaj, policit bashkiak që kalon andej për të na bërë presion e për të justifikuar punën e tij ia jap ndonjë gjë nën dorë, udhëtarit që kalon dhe nuk blen asgjë ia nxij jetën duke e shtyrë në rrugën nga kalojnë makinat se trotuarin e kam për vete dhe për klientët e mi besnikë, e kështu të gjithë jemi në rregull.

Tani që e gjeta vendin e lirë, më duhet të vazhdoj punën se jam shumë vonë. Dhe mbi të gjitha nuk mund ta ndërpres për asnjë çast se ma zë ndonjë tjetër i cili i ka bredhur trotuaret prej muajsh ashtu si unë deri sot në kërkim të katër a pesë pllakave bosh. Tani që i ngula dy hunjtë, do t’i lidh me një litar dhe nga pas do të vë dy gurë për të mbajtur plastmasën. Të paktën shiu nuk ma lag mallin. Pastaj ku i dihet?!. Me lekët që do të fitoj mund t’i heq hunjtë dhe të ndërtoj nja tre mure, vë edhe një derë, porosis edhe një mbishkrim për dyqanin, mund t’i bëj edhe legalizimin pronës dhe kushedi, mbase Zoti i ka dëgjuar lutjet e mia dhe kështu e ndërtoj edhe supermarketin për të cilin ju fola në fillim.


Sefulla KATA

71 views4 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page