top of page

Dita Botërore e Pilotëve


Dita Botërore e Pilotëve: nderohet piloti matjan Shefqet Lata


E festuar çdo vit më 26 prill për gati një dekadë, Dita Botërore e Pilotëve nderon burrat dhe gratë që mbajnë pasagjerët të fluturojnë të sigurt nëpër qiell. Sot kjo ditë nderoi dhe pilotin Shefqet Lata. “Shqiponja matjane e ajrit” u shpall “Qytetar Nderi” nga Këshilli Bashkiak në këtë ditë të shënuar për pilotët.

Ishte një kërkesë e Shoqatës së Aviatorëve Shqiptarë dhe shumë intelektualëve e ish ushtarakëve të Matit u konsiderua e drejtë nga Komisioni i Vlerësimit të Figurave të Matit dhe më pastaj nga Këshilli Bashkiak. Të zgjedhurit lokal votuan me konsensus që Shefqet Lata të vlerësohet me titull nderi.

70-vjeçari ka një karrierë brilante. Në vitet ’70-të kryen shkollën ushtarake “Skënderbej” dhe pastaj Shkollën e Lartë të Aviacionit në Vlorë. Në vitin 1973 emërohet pilot luftarak në regjimentin e Kuçovës. Dy herë gjatë viteve 1973-1976 specializohet në Kinë për avionin MIG-19. Kolonel Shefqet Lata emërohet në vitin 1977 pilot luftarak në regjimentin Gjadër, Lezhë, ku punon për 25 vite.

Në pranverën e vitit 1997, me 3 mars, urdhërohet të niset me “shërbim” në Jug të vendit, për të “qetësuar” protestuesit. Koloneli matjan e refuzon urdhërin e paligjshëm dhe brenda gjysmë ore shkarkohet nga detyra. Pas një muaji rikthehet në punë dhe emërohet Kryeinspektor i Aviacionit. Në vitin 1998 Shefqet Lata emërohet komandant i Regjimentit të Aviacionit në Rinas.

Kryetari i Shoqatës së Aviatorëve të Shqipërisë, Gjeneral Brigade Astrit Jaupaj shprehet në propozimin e tij se: “Shefqet Lata në tërë karrierën e tij ushtarake 33 vjeçare ka fluturuar me 5 tipa avionësh ku ka shkëlqyer për përgatitjen e tij profesionale, marrëdhënie të veçanta me kolegët e vartësit, guxim dhe vendosmëri në realizimin e detyrave luftarake me rëndësi të veçantë”.

Këshilli Bashkiak Mat, me vota unanime e shpalli Shefqet Islam Latën “Qytetar Nderi të Matit” me motivacionin: “Për merita të veçanta si pilot ushtarak dhe komandant njësie në Aviacionin Shqiptar për rreth 30 vjet duke u bërë Shqiponja Matjane e Ajrit”.



22 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page