SHPENDI TOPOLLAJ
In memoriam
DISIDENTIN BILAL XHAFERRI NUK E TRET DHEU PËR FATIN E ATDHEUT
Ndoshta askush më shumë se Bilal Xhaferri, nuk do ta meritonte, që mbi mermerin e pllakës se varrit, t’i shkruheshin ato fjalët e mençura të Ugo Foskolos se “Poetët fillojnë të jetojnë kur vdesin “. Rrallë herë fati i njeriut ka qenë kaq i zemëruar me talentin sesa te ky bir i shquar i Çamërisë, në shpirtin e plagosur të të cilit nuk kish gjë më të madhe se urrejtja për diktaturën dhe dashuria për atdheun. Asnjëherë nuk qeshë takuar me të, pasi gati në të njëjtën kohë që shkova në Durrës, ai u largua prej tij për të mos u kthyer kurrë më. Por çuditërisht, ai përmendej me një respekt, herë të fshehur e herë të dukshëm, në qarqet intelektuale të qytetit, si për fuqinë dhe bukurinë e penës, ashtu dhe të karakterit.
Ja pse e përshëndeta poeten zemërmadhe dhe mjaft energjike, Fatime Kulli, kur më tregoi se do të shkruante një libër për Bilalin dhe e njoha me miqtë e mi të cilët i kishin hedhur në letër kujtimet e përshtypjet e tyre për të. “Uragani i meteorëve” është shitur në të gjitha libraritë e qytetit, çka flet qartë si për dashurinë që ruajnë njerëzit për atë djalë që në radhë të parë i qëndroi jetës ballë për ballë, ashtu dhe për cilësinë e lartë të të shkruarit të kësaj monografie. I ndërgjegjshëm se autorja, libri, dhe veçanërisht protagonisti që duke u ndarë fare i ri nga jeta, nuk arriti t’i japë përgjigje, pyetjes se “Nuk e di se në ç’moshë mund të them “jetova!” meritojnë nga kushdo fjalët më të ngrohta dhe mirënjohjen më të thellë, do të preferoja të ndalesha dhe të jepja mendimet e mia, për atë që në libër është quajtur përballja e Bilal Xhaferrit me Ismail Kadarenë . E bëj këtë, pasi përherë kam konstatuar me keqardhje një spekulim, si para, ashtu dhe pas botimit të këtij libri, një spekulim jo vetëm të pandershëm, por dhe të dëmshëm për kulturën tonë letrare. Dhe si në ç’do pandershmëri qëllimliqtë gjyhëhidhur kanë pasur për moto atë sentencën e vjetër “Obscurum per Obcurus”, pra kanë synuar të shpjegojnë diçka të errët me diçka më të errët. Ta trajtosh fatkeqësinë e pamerituar të Bilalit, si pasojë e hakmarrjes të bërë ndaj tij, pasi ai pati thënë sinqerisht, atë që ndiente për romanin “Dasma” , e për më tepër ta cilësosh Kadarenë rrufehedhësin e anatemuesin e tij, shkaktarin e gjithë tragjedisë qe s’ju nda tërë jeten, jo vetëm që lë të kuptosh se asokohe paske jetuar mes alienëve, por
dhe fyen idealet e pastra, talentin e rrallë dhe veprën e pavdekshme të Bilal Xhaferrit në shërbim të çështjes tonë kombëtare.
As me shumë e as më pak, por kjo është llogjika e akademikut të vetëshpallur e delirantit Kapllan Resulbegoviç, njeriut pikëpyetje që i ka etiketuar shqiptarët me albanezëritë e tyre, më mosmirënjohësit, më shovenët, e më racistët ndër popujt e Ballkanit. Aspak koherent në atë pafundësi vreri që derdh në librat e tij për Nderin e Kombit tonë, tek “Autopsia e një morali”, ai shkruan: “mbas meje do të marrim guxim edhe të tjerët me e kritikue Kadarenë haptas, f.v. Bilal Xhaferri që e pagoi me kokë guximin e tij. E ka kritikue përmes shtypit edhe Abdurrahim Myftiu, koleg i tiji. Bile, kundra Kadaresë do të çohen në masë punëtoret e Shqipnisë (mendoni sikur të çoheshin dhe fshatarët - shënimi im), dhe u detyrue me dalë në skenë e në mbrojtje të tij personalisht Enver Hoxha, mecena dhe udhëheqsi i tij shpirtnor, ai që e instruktonte për çdo gja”.
Pa çka se “Kundër faktit nuk vlen argumenti”, gjithmonë pa u shkëputur nga konteksti i këtij libri të autores Fatime Kulli, me të cilën besoj se pajtohemi plotësisht, le të arsyetojmë pak.
Kalvari i Bilalit ka filluar qysh kur ai qe fëmijë dhe as që mendonte që do të bëhej shkrimtar. Në vitin 1945 atij i pushkatojnë babanë, gjë që e detyroi të merrte rrugët dhe të jetonte ashtu siç e përshkruan motra e tij Bejkua: “Dhomën e Bilalit e kam ende parasysh: ku rrinte ai kishte një minder prej dërrase. Në vend të dyshekut, vinte një batanije leshi të vjetër dhe, për jastek, vinte xhaketën e tij të dokut nën kokë. Hallë Emineja i fali një jorgan me kambrik të kuq të qepur vetë me dorë.” Ky fëmijë i armikut të komunizmit, për të mbijetuar, ndryshon edhe mbiemrin. Për t’u shkolluar as që bëhej fjalë. Ai vetë e di ku është e keqja. Në shkrimin e tij “Pasi kalova kufirin”, shkrim të cilin autorja Fatime Kulli e quan me të drejtë, akt - akuzë ndaj sistemit të qeverisjes komuniste, ai thotë: “Enveri me partinë… vret dhe pret dhe rron me gjakun e njerëzve të pafajshëm. E bëri popullin shqiptar rob …që e torturon, e mundon, e shtyp, e shkreton. I kalli tmerrin në zemër edhe fëmijës së djepit! I prishi virtytet shqiptare dhe kombëtare. E ka bërë vendin një varr me kufoma të gjalla. E bëri spiunllëkun si punë të ndershme. Ka varrosur dhe vazhdon të varrosë sot e kësaj dite, burra, gra dhe fëmijë në kampet e përqendrimeve, në moçalet dhe kënetat e Myzeqesë… Shkatërroi traditat shekullore të bukurisë, prishi fenë, familjet, besën dhe nderin “…
S’ka njeri me gjykim të shëndoshë, që të besojë se këto bindje të shkrimtarit Bilal, erdhën si rrjedhojë e mospajtimit me mangësitë e romanit “Dasma”. Një proverb thotë se akulli një metër i trashë nuk krijohet me acarin e një nate dimri. Bilali kishte sy të mprehtë vëzhgues e sens të
jashtëzakonshëm analitik - çka e tregon më së miri dhe publicistika e botuar në librin e Fatimes. Atij s’mund t’i shpëtonte asgjë nga poshtërsitë e atij
sistemi. Atë nuk mund ta gënjente asnjë hipokrizi a demagogji në qëndrimin e vërtetë ndaj çamëve e Çamërisë, kosovarëve e Kosovës. Ne nuk e kemi në dorë kritikën që ai i bëri Kadaresë. Por llogjikish, dhe me sa dëshmojnë ata që kanë qenë të pranishëm, ato janë përqëndruar tek ulja dhe fyerja e femrës shqiptare, për të cilën partia thosh se qe emancipuar, paçka se qe kthyer në një kafshë pune.
Pra, çështja shtrohet jo se Bilali bëri gabime ideologjike në atë mbledhje, por kritika ndaj Ismailit u shfrytëzua si casus belli ndaj tij, gjë që s’ishte fare e vështirë të rezervohej nga mjeshtrat e këtyre punëve, edhe për një herë tjetër. Vetë Ismaili nuk ka folur atë ditë. Te ndonjë gojëlig lihet përshtypja që qe ai që u hakmorr. Ose të paktën sigurimi dhe Partia nuk mund të duronin që të prekej ai - perëndia. Këtu qëndron gënjeshtra. Shqipëria ishte vend që besonte vetëm në një perëndi. Dhe ky quhej Enver Hoxha. Ismailin, për devijime në letërsi nga vija e partisë e kanë kritikuar herë pas here. Kujtoni furtunën që ngriti Fredi Shalësi me shokë kur ai botoi “Dimrin e madh” në mos gaboj. Por asnjërit prej tyre nuk i hyri gjemb në këmbë. Kritikat asokohe bëheshin në mbrojtje të bushtit ideologjik marksist - leninist prej nga Kadareja me guxim të habitshëm shmangej, çka nuk kish se si të mos binte në sy të Ministrisë së Brendshme që nuk të besonte edhe kur lëvdoje. Këtë çështje e ka sqaruar më se mirë Visar Zhiti, i cili thotë se mezi prisnin ta lexonin në mes rreshtave Kadarenë për t’u mbushur me shpresë, kur ishim në burgjet e tmerrshme të diktaturës, si të burgosur të ndërgjegjes. Thua se këtë njeri që është bërë simboli dhe krenaria e Shqipërisë, nuk do ta kuptonte dhe nuk do ta donte, i zgjuari, i talentuari, i ndershmi, guximtari, i vuajturi e atdhetari Bilal Xhaferri? Mark Tul Ciceroni, dymijë vjet më parë ka thënë se “Të barabartët shumë lehtë bashkohen me njëri - tjetrin”.
Më shumë se gjithçka, jam i bindur se këto dy figura do t`i bashkonte dëshira për lirinë dhe neveria që ndienin për çdo lloj diktature dhe sidomos për atë më të egrën - diktaturën e Enver Hoxhës. Kadareja - dhe i besoni nderit tim - qysh kur e kam njohur para mëse tridhjetë vjetësh, nuk e donte komunizmin, gjë që e dëshmon e gjithë vepra e shkruar prej tij. Vetë ai, për hir të së vërtetës, romanin “Dasma” e ka quajtur të dobët. Por Horaci, patjetër që nuk bënte humor ku thosh se “Edhe Homeri i mirë, nganjëherë fle”. Gjithashtu, kundërshtari i tij Kapllan që pandeh se edhe në jetë pati forcën që përfaqeson emri qe mban, ka thënë: “Asht interesante se Kadareja, që në plenumin e shkurtit të vitit 1967 e pranoi kritikën që i kisha ba unë si të drejtë, ashtu siç do ta pranojë më vonë si të drejtë edhe kritikën që i ka ba Bilal Xhaferri romanit të tij “Dasma”…
Por në qoftësë ndonjë meskin nuk e zë gjumi gjersa të zgjidhë rebusin se përse Bilali bëri një poezi ku i thosh Kadaresë se:
Ti u këndon serenata rrugëve të Moskës
dhe pse Kadareja për Bilalin ka thënë se talentin e ka më të paktë se ambicjen, mendoj se para veprës së tyre këto s’kanë fare rëndësi. Mos të harrojmë se erdhëm nga një sistem që ngatërronte edhe zorrët e barkut.
Me pëlqimin e profesor Arshi Pipës, i dhashë për botim profesor Gjergj Zhejit librin “Subversion drejt konformizmit - fenomeni Kadare”. Miku im Ismail, jo vetëm që s’m`u zemërua, por përkundrazi, gjatë një darke te “Rogneri” më pohoi “se kam gabuar me Arshi Pipen”. Po ashtu edhe Bilali ishte i kthjellët në domosdoshmërinë e bashkimit. Lexojeni artikullin e tij “A mund ta festojmë Ditën e Flamurit së bashku” te revista që drejtonte “Krahu i Shqiponjës” dhe shihni si gjykon ai: “varet shumë nga urtësia dhe kurajua… që ne të mos zvarritemi drejt së ardhmes e drejt atdheut duke kafshuar njëri - tjetrin te brinjët, po që të ecim krahperkrah, të ecim me kohën, dhe të gjejmë forma dhe mjete të kohës për të arritur qëllimet dhe idealet tona”. Po ashtu, Fatime Kulli në këtë libër ka sjellë dhe kujtimet e ish studentit Gjon Podja i cili diskutoi dhe kritikoi i pari në atë promovim “Dasma” - n e Kadaresë. Ai shkruan sinqerisht, por ka një moment që duhet theksuar në interes të bindjes sime se Bilalit, ai diskutim ju shfrytëzua vetëm si pretekst për atë që qe përgatitur për të. Gjoni thotë në faqen 131 se “Falë zotit shpëtova, se isha i mbrojtur nga tesera e partisë, kurse Bilali e pësoi ashtu siç e morëm vesh më vonë …” Po të qe se mëria e ndëshkimi ndaj Bilal Xhaferrit do të ishte pasojë e kritikës që i bëri një romani të Ismailit, kush do ta kursente të gjorin student Gjon, kur ajo lloj partie s’donte t’ja dinte as për teserat e atyre që e krijuan vetë atë. Ajo parti fërkonte duart kur shkrimtari ynë i madh kritikohej, duke dashur kështu ta nënshtronte. Vete ai, Bilali e shumë e shumë intelektualë dhe shkrimtarë, ishin nën vëmendjen e rreptë të policisë sekrete, po njëlloj. Faktorë rastësor, bënë që ata të kenë fate të ndryshme. Sidoqoftë, diskutimi im mbetet i hapur. Rëndësi ka shkruarja dhe botimi i një libri për të. Puna për ringjalljen e Bilalit sapo ka nisur. Mundet që shërbimet e fshehta shqiptare, ish jugosllave ose të dyja së bashku, ashtu siç bënë me Jusuf Gërvallën me shokë, ta kenë vrarë atje larg në SHBA edhe Bilal Xhaferrin. Por të paktën, me urtësinë, gjaftohtësinë, paanësinë dhe gjykimin e shëndoshë të mos lejojmë të na vrasin dhe kujtimin e të vërtetën për të dhe idealet e tij.
Mua më shumë më bren dyshimi për një tjetër gjë, ndofta edhe më e rëndësishme se kjo që trajtova: heshtja ndaj tij sot, çka le të kuptosh se Bilal Xhaferrit ende nuk i është fshirë njolla e armikut. Se nuk mjafton një monografi si kjo e Fatime Kullit, as shtatorja e tij e punuar mjeshtërisht nga Idriz Balani dhe e vendosur në qytetin e Sarandës dhe as poezia prekëse e poetit të shquar Agim Bajrami me titull “Elegji pa lamtumirë”. Por duhet vazhduar me futjen e pjesëve nga krijmtaria e tij në programet mësimore, me botimin e plotë të veprës së tij, me vendosjen e një pllake përkujtimore tek ajo shtëpia ku ai jetoi në mjerim, mbi një minder dërrase, ku shtronte një batanije të vjetër dhe për jastëk vinte xhaketën e tij të dokut dhe me shpalljen “Qytetar Nderi” i Durrësit, qytet të cilin e deshi dhe ku e kanë kujtuar në çdo kohë me respekt e dashuri të veçantë.
Comments