top of page

DISA MENDIME


Mentor Serjani

DISA MENDIME

PËR POLITIKEN E SOTME AKTUALE DHE GJËNDJEN NË SHQIPËRI.


Jam nga krahina e Bregdetit te Poshtëm të rrethit të Sarandës,nga një fshat i vogël Rivierës,që quhet Sasaj. Në disa fshatra të Njësisë Administrative te Lukovës,që aktualisht varet, nga Bashkia e Himarës, si në Nivicë-Bubar,Sasaj,Çorraj,Fterrë,etj., nuk ështe zbatuar ligji famëkeq 7501, por edhe atje ku pretendohet se ështe zbatuar, burrat e mënçur e fisnikë te Bregdetit Sarandë-Vlorë, e kanë injoruar. Presim zgjidhjen e problemit të tokës,e cila, ështe përgjegjësi direkte e Qeverisë, e te dy krahëve të pushtetit. Kërkojmë kthimin e pronës me ligj të veçantë,sepse përbën rast specifik dhe ka bazë juridike.Ndryshe,si do te stimulohet Turizmi dhe tokat të mos mbeten madem i mbushjes së xhepave, të pushtetarëve, të cilët marrin nga një GJOBE te majme, vetëm me një firmë pa pasur pronë, pra me anë te KARRIGES?!

ATP-ja me paturpësinë më të madhe,nuk i shqyrton dosjet e ish-pronarëve,duke i mbajtur për një kohë te gjatë në FURRËN E SAJ TË PJEKJES, duke na kthyer persëri nëpër gjykata dhe duke vazhduar odisenë e gjyqeve. Por edhe Odisea një ditë të bukur u kthye nga Troja në Itakë,kurse pronat tona që janë aq afër te zotëve,nuk po lëvizin,nuk po kthehen! Vallë kur?! Tridhjete vjet kaluan. Jeta e një brezi u shkatërrua. Si ju zë gjumi rehat-rehat,more pushtetarë idiote, që po vazhdoni ende te talleni me këte popull?! Po si,ky shtet,atje ku ka probleme nuk ngre komisjone me specialiste përkates, por mjaftohet me komitete fshatarësh, si më 1945-en?! Dhe shihni sa probleme ka: mbivendosje,vjedhje,fallsifikime e mjaft fenomene te kësaj natyre! Mjaft më me diletantizëm, me mendësi partiake dhe me zvarritje pafund për në kalendat greke! A do t'i zgjidhë ndonjeherë keto probleme, e djathta,demokracia, apo do të vazhdohet duke hedhur <<andër mbi andër>> apo prevaz mbi prevaz,mbi pronat e shqiptarëve,te trashëguar nga të parët e tyre shekull pas shekulli, duke i katandisur në poture dhe opinga të vjetra me mballoma të shëmtuara?! Nëqoftëse palët nuk japin dot zgjidhje, ata do të shkrihen vete nga elektorati i tyre, ose duhet të ndryshojmë sistemin, se gjithmonë i kemi djegur etapat. Mos duhet vallë të kemi një demokraci të kufizuar, apo Monarki? Se me demokracinë liberale dhe sistemin e tanishëm,kemi dështuar. Ende nuk jemi, as lindje, as perëndim. Ndoshta duhet vënë në jete teoria e Sejfulla Malëshovës, ku ekonomia duhet te ecë mbi të dy shinat. Kur, në krye të këtij vendi,në qeverisjen e tij, do të ketë njerëz te shkolluar me djersë dhe jo me para? Kur do të respektohen institucionet dhe intelektualët? Pa mundin e tyre,politika nuk është asgjë. Kur,universitetet,institucionet shtetërore e shkencore,por edhe vetë Akademia e Shkencave, do të hartojnë një strategji,kombëtare, që te jetë e detyrueshme me ligj nga të gjitha qeveritë që vijnë, për arsimin, shëndetësinë,politikën e jashtme e të brendshme, që shteti te jete shtet me të vërtete, në shërbim te qytetarëve dhe jo vrastar i tyre, që njerëzit të mos marrin arratinë, përndryshe kemi nënëshkruar asimilimin dhe disimilimin, zhdukjen, vetëdorëzimin tek të tjerët, që presin t'i bejnë te tyre, edhe ato pak kilometra katrore që na kanë mbetur.

Prona duhet t'i takojë dhe t'i kthehet pronarit te vërtetë dhe jo oligarkëve te fëlliqur që s'kanë asnjë pikë gjaku te përbashkët me shqiptarët e vërtetë, pa le me pronarët e ligjshëm e te vërtetë. Si ka mundësi që sot, një grusht politikanësh,zhvatin Shqipërinë, për të bërë veten,kurse dje Rilindasit tanë të vërtetë që i njeh historia jonë kombëtare, shkrinë pasurinë e tyre, për te bërë Shqipërinë e vërtetë? Nesër, për këta të pasur të sotëm,kush do të mendojë e punojë? Kush do të paguajë taksa,kur goditet pronari i mesëm dhe i varfër,madje që nuk u njihet prona? Atëherë njerëzit do te ikin edhe më shumë dhe këta do te mbeten si cifuti në shkretetirë? Si ka mundësi që, të gjitha qeveritë,(marr si shëmbëll qytetin tim,Sarandë), prishin dhe ndreqin të njëjtin shesh,për të vjedhur lekët, për të zhdukur edhe atë pak identitet historik e kulturor që trashëgojmë nga e kaluara? Ndërkohë,autostrada Gjirokastër-Kakavijë, i lidhi të gjitha fshatrat me rrugë të asfaltuara,kurse rruga e Bregdetit Sarandë-Vlorë, nuk i lidhi ato pak fshatra me rrugë të asfaltuara, që ishin jo më large se, nga një deri në katër kilometra larg kësaj rruge dhe, akoma më keq, as plazhet e këtyre fshatrave si Kakomeja në Nivicë ,Buneci në Sasaj,Kubova në Piqeras,Krorëza në Shën Vasil, etj? Ndërsa për te Kepi i Stillos,nuk ka as rrugë këmbësore. Përse të prishim dhe të ndreqim atë që është e bërë, kur kemi kaq shumë zona të banuara,pa rrugë,pa ujë,(akoma edhe më keq qytetet), me sistem elektrik të shpërndarjes, të amortizuar krejt, dhe tela e kabllo nga të gjitha anët,në një rrëmujë të paparë,kur bota mbarë, për bukuri, i ka gjërat në kuadrat, në simetri të plotë e te saktë.Çfare të them më? Për ujin...mbyteni në të e uje s'kemi për të pirë, pa le për të vaditur! Po kabinat elektrike të fshatrave, pse nuk bëhen ajrore,siç i ka bota, por janë kthyer në kasolle gomarësh dhe rrezikohet jeta e njerëzve?

Kur do të kërkohet reciprocitet me Greqinë e Italinë për cështjen e arsimimit në gjuhën shqipe? Nuk e kam fjalën për arvanitët e çamerit, këta ta kërkojnë vetë, por me sa duket këta janë asimiluar, e kanë humbur ndërgjegjen e vetëdijen kombëtare dhe, për shumë faktorë e arsye të shumta nuk janë objekt i këtij shkrimi. Pra, e kam fjalën për emigrantët e pas vitit 1990.Në Shqipëri bëmë bashki minoritare.Atehere edhe në shtetet fqinjë e më gjerë, ku komuniteti shqiptar është i madh duhet të bëhen njësi vendore te tilla. Të dy vendet, Shqipëri-Greqi le të caktojnë një fond që të mbulojë shpenzimet, të paktën e të paktave, për të zhvilluar një ditë mësimi në jave në gjuhën shqipe, ku në të gjitha shkollat e arsimit fillor, në Athinë, në të gjashtë klasat ka mbi 30-nxënës shqiptarë. Kur do të realizohet çështja e sigurimeve shoqërore, që të njihen në menyrë respektive vitet e punës nga të dy vëndet, pasi shumë njerëz mbetën pa pension, se nuk plotësojnë minimumin e viteve të punës as andej, as këtej? Kur do të bëhet realitet e drejta themelore e çdo emigranti, ajo e ushtrimit të të drejtës së votës për të zgjedhur dhe per t'u zgjedhur. Emigrantët që janë pjesa më vitale e shoqërisë, janë të përjashtuar nga kjo e drejtë.Janë këta emigrante që me paratë e tyre, qeveritë mburren me rritje ekonomike! Janë këta emigrantë, që mbajtën më këmbë shtetin, më 1997,me taksën e solidaritetit! Ktheni pronën dhe bëni pronarë njerëzit në pronën e tyre dhe inkurajoni biznesin e vogël dhe te mesëm, sepse taksat e shumta mblidhen nga këta, kurse peshqit e mëdhenj nuk paguajnë. Kur do të respektohen të drejtat e shqiptarëve,në të gjitha shtetet ku ata janë?

Mos heshtni, mos u nënështroni për padrejtësitë, vrasjet, burgosjet, torturat që u bëhen shqiptarëve. Për siguri kemi NATO-n, por ekonominë duhet ta zhvillojmë vetë, të jemi në një hap me të tjerët, pse jo edhe më perpara. Për çështjen e sigurisë, kur shohim që gjitonët armatosen, edhe ne nuk duhet te rrimë duarkryq. Kur do të mbrohet fermeri dhe prodhuesi shqiptar që prodhimi të mos kalbet e derdhet, dhe të shitet nën koston e prodhimit? Kur do të arrihet që politika të mos ketë kontroll dhe monopol dhe të vendosë akciza të larta derisa të konsumohet prodhimi vendas? Si mund të ketë një deputet kaq e aq favore e privilegje si dhe pension të veçantë, kur nuk flasin asnjeherë në parlament, por janë shndërruar në statuja bronzi? Kur në zonat e tyre elektorale nuk kanë vajtur asnjëherë dhe ku nuk ka asnjë progres, por vetem regres? Uleni numrin e deputetëve në 100 vetë, kufizoni lukset e tepërta ne këtë vend kaq të vogël, kaq te varfër! Ky vend, këto dy vjetet e fundit, nuk po qeveriset, por vidhet. Pasuritë dhe resurset shpërdorohen dhe përvetësohen nga mosshpërndarja e drejtë e tyre dhe nga babëzia e drejtuesve. Nuk jam kundër varrezave monumentale, por ato nuk duhet të bëheshin në fshatra etnikisht të pastra, të cilat nga ura bashkimi, kthehen në mollë sherri e mina me sahat, pra të ndërtoheshin në qytete ose në kryeqytet. Shteti shqiptar i ka nenëshkruar dhe i zbaton ligjet dhe konventat ndërkombëtare dhe duhet të kërkojë të njëten gjë edhe nga të tjerët, pra reciprocitet. Të zgjidhet në mënyrë përfundimtare çështja e kufirit me Greqinë, te atij detar, pa e shkëputur nga ai tokësor, si dhe problemet e mbetura qysh nga lufta e dytë botërore, por edhe më të herëshme.

Të ashpërsohet ligji për ndertimet, sidomos në drejtimin të cilësisë, pa anashkaluar, përgjegjesitë në kohë për lejet e ndërtimit, hipotekimet, hartimit të planeve urbanistike, shpronësimet për veprat publike, t'i shërbehet më parë qytetarit, t'i sigurojë një herë strehimin dhe më pas të bëjë prishjen. Pra, shkurtimisht problemet që kërkojnë zgjidhje, në mënyrë urgjente, dhe pa humbur kohë e për të mos sorollatur njerëzit janë:

1.- Zgjidhjen e pronësisë së tokës. Kthimin sipas kadastrës së 1946-ës, ose kohës së Zogut.

2.- Hartimi i një strategjie kombëtare të brendshme e të jashtme nga institucionet akademike.

3.- Të barabartë para ligjit si në taksim ashtu edhe në përfitim, nga shpërndarja e pasurisë kombëtare.

4.- Sanksionimi me ligj i të drejtës së votes, në rrugë elektronike, për të gjithë, në veçanti për emigrantët.

5.- Arritja e marrëveshjes me vendet e tjera për sigurimet shoqërore të emigrantëve, sidomos me Greqinë dhe Italinë.

6.-Marrëveshje midis shteteve për arsimimin e fëmijëve te emigrantëve në gjuhën amtare

7.- Kufizimi i privilegjeve të deputetëve dhe kufizimi i numrit të tyre në 100.

8.- Mbrojtja e prodhimit vendas dhe stimulimi i fermerëve.

9.- Të behet studimi urbanistik i çdo fshati, njësie e bashkie, në respekt të plotë ndaj mjedisit dhe hapësirave publike të gjelbra.

10.- Të rriten pagat minimale, pensionet dhe investimet publike.

11.- Shteti të përshtatë godina shtetërore për zyra dhe jo të marrë qira nga privatët.

12.- T'u sekuestrohet pasuria , të gjithë atyre që nuk e justifikojnë. Në 30-vjet një emigrant mezi ka siguruar një shtepi, me sakrifica te mëdha, kurse deputeti më dy legjislatura ka tri vila,tri makina e të shet mënd e shkeucë me diplomë te blerë.

FUND


46 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page