Disa grimca poetike
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Sep 26, 2021
- 1 min read

Disa grimca poetike:
Fatmir Terziu
Shqiponja
Trupi i një zogu të tillë, të lirë
përcjell këngë frymëmarrjeje.
Drita e bardhë derdhet në sytë e tij,
krejtësisht pas hapjes së krahëve.
Vegimet
Duhet të thyesh horizontin, një herë,
në mënyrë që të zgjohesh si të Tjerët.
Në tisin e zbutur të dritares
thyhen muret e një nate të errët.
Gjuhët
I lashë alfabetet që të më kapin
ndërsa ngjitem në fillin e gjuhëve.
Miliona zanore shuk brenda kokës
zhurmojnë midis meje dhe botës.
Atdheu
E lashë tokën, dëgjoj ritmin,
në të gjitha anët ka fije malli.
Asgjëkundi s'e gjej dot fillin
u bërtas erërave nga maja e një mali.
Dashuria
Pse gjuha ime më thotë të ngjitem kaq larg?
Cila është distanca midis zërit tim dhe dëshirës sime?
Zemra kërcen më del nga vendi në fakt,
kur bota shuhet me një botë të tillë intime?
Muza
Kuis rrezet e mëngjesit londinez,
vetë Minerva hutohet me harpën time,
kafen e mëngjesit, kërkoj ndjesë,
që e trazova tek këto shkrime...
Ndrojtja
Kolonat e Uestminster Aby pendëla në erë,
zogjtë pelikorë të dashuruar me ikjen.
Poshtë në këmbët e Kishës së dremitur të vjeshtës,
Ti gjethja e ndrojtur e stinës, ngatërron pritjen...
Shkopi asklepian
Penëz e ngulur në pengashkën e Big Benit,
majëz e çuditshme e shkopit asklepian
shqep pandjeshëm në astarin e kohës,
helmin e mjegullës në skutën matanë...
Sqarime:
1. Asklepian: Simboli i një shufre të ndërthurur me një gjarpër, i cili përfaqëson shërimin dhe ilaçin.
2. Uestminster Abbey, e titulluar zyrtarisht Kisha Kolegjiale e Shën Pjetrit në Uestminster, është një kishë e madhe, kryesisht abatike gotike në Qytetin e Uestminster, Londër, Angli, vetëm në perëndim të Pallatit të Uestminster.
3. Minerva ishte perëndeshë e mençurisë, luftës, artit, shkollave, drejtësisë dhe tregtisë. Ajo ishte homologu etrusk i Athinës greke.
Comentários