DILEMA E NJOHJES
- Prof Dr Fatmir Terziu
- May 28, 2020
- 1 min read

Vullnet Mato
DILEMA E NJOHJES
Ti hyn e del natyrshëm.
Me lehtësinë e ajrit,
me lirinë e tingullit,
me të drejtën të dritës.
E bukur dhe njomishte,
me impulse pranverore,
delikate si qelqurishte,
me plot mistere femërore.
Kam një pyll me pikëpyetje,
me të panjohura sfilitëse
dhe xhungla e kureshtjes
më jep drithërime nxitëse;
Më shtyn të eksploroj,
me dëshirën të depërtoj
nëpër thellësi të befta,
me mistere të fshehta.
Ndjehem tigër ato raste,
me gojën tepër të madhe,
kur tek dhëmbët vjen taze,
duke lodruar si kunadhe.
Por ti gazmon, si lodërtare,
dhe më beson çuditërisht.
Prej meje s’ke frike fare,
më bën afrime miqësisht.
Aq sa nuk guxoj kurrsesi
dhe i them vetes “mos !”
se lëndohet lulëzimi yt,
natyra jote aq flurore.
Ndjej frikën tronditëse,
se dhe puthja sipërfaqësore,
mund t’u bëjë çngjyrosje,
nuancave të tua ylberore...
Dua të ruhet brishtësia jote,
pastërtia e njohjes së bardhë,
të lulëzojë sa më gjatë tek unë,
zambaku i buzëqeshjes së parë.
Comments