top of page

Diaspora letrare shqiptare në studimin e Mimoza Rexhvelajt


Diaspora letrare shqiptare në studimin e Mimoza Rexhvelajt


Nga Prof. NASHO JORGAQI - shkrimtar

 

“S’ka dyshim se me librin “Vështrim mbi poezinë e diasporës”, Mimoza Rexhvelaj përuron një fushë të re në veprimtarinë e saj letrare, manifeston cilësi të çmuara si studiuese e kritike dhe premton për studime të tjera në këtë lami të rëndësishme të shkencës sonë letrare”

Një zë i bukur poetik ka kohë që këndon në viset e Malësisë së Madhe përmes vargjeve lirike-erotike, me nota interesante meditative. Kjo është poetesha e talentuar Mimoza Rexhvelaj, autore e tre vëllimeve me vjersha: “Dashuri, ti je mëkati im”, “Fshima lotin” dhe “Jepi fjalës kohë”. Emri i saj tanimë është i njohur e i çmuar nga lexuesit poezisë dhe rrethet letrare, sidomos të trevave të Veriut.


Një poezi shumë e ndjerë, e vetvetishme, delikate dhe e çiltër që të emocionon e të bën për vete. Këtë e dëshmon dhe formimi i saj letrar që veç reflektimit në vargjet e veta, është pasqyruar denjësisht dhe në librin studimor “Vështrim mbi poezinë e diasporës”, që përbën një kontribut të çmuar në gjykimin tonë letrar për poezinë shqipe bashkëkohore. Studimi saj mbi këtë temë trajton një fushë pak ose aspak të lëvruar në këto përmasa.

Diaspora shqiptare në botë është tashmë një realitet me peshë në historinë dhe bashkëkohësinë tonë. Ajo sot, duke vijuar një traditë të hershme të letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare, po shkruan faqe të reja në nivele të lavdërueshme. Diaspora e shekullit XXI ka letërsinë e saj, autorët e saj, poetët dhe prozatorët e vet që, në veprat e tyre më të mira, kanë ngjitur stade jo pak novatore në kuadrin e letërsisë bashkëkohore të atdheut të tyre të dytë. Poetesha Mimoza Rexhvelaj, e vënë në rolin e studiueses, ka marrë përsipër të na paraqesë në radhë të parë poezinë e diasporës shqiptaro-amerikane përmes tre përfaqësuesve të saj, siç janë poetët Kolec Traboini, Gjekë Marinaj dhe Fatmir Terziu. Ajo u qaset poezisë së tyre jo vetëm me respekt, po ç’është më e rëndësishmja me një njohje serioze e të thelluar të jetës dhe të krijimtarisë së tyre, siç paraqitet e përgatitur nga pikëpamja historiko-teorike letrare.



Autorja i trajton dhe studion autorët si një fenomen i përbashkët, por i analizon dhe si individual itete më vete. I vendos në kohë e në hapësirë, na njeh me rrugën e tyre jetësore, me formimin letraro-kulturor, me veprimtarinë gjithanshme krijuese, duke u përqendruar kryesisht te poezia. Kështu poeti Kolec Traboini përfaqësohet në radhë të parë me përmbledhjet poetike “Mos vdis, dashuri”, “Requiem për një gjethe”, “Koha e prostitutave”, “Itaka grua” etj. Për studiuesen, K. Traboini “i këndon figurës së gruas me gjuhën e shpirtit, duke prekur ndjeshmërinë dhe bukurinë” (“Lotët e grave”). Për to, poeti shkruan një cikël nga më të realizuarit, ku arrin të zbulojë me mjeshtri botën e tyre të gjerë e të thellë. Në poezinë e Traboinit, ajo gjen dy tipare të së vërtetës, së pari, të vërtetën e pastër e të hapur, që kthehet, siç e cilëson autorja, në pasaportë të shpirtit, ndërsa e vërteta e dytë është virgjëria e figurave letrare.

Çdo fjalë e tij ka hijen e saj. Poeti e filozofon spontanisht, larg librave filozofikë. Sipas studiueses te poezia e Traboinit ka shumë mall e nostalgji për vendlindjen, për kohën që iku plot kujtime, të cilën e rikthen në kujtesë përmes vargjesh plot ndjeshmëri, natyrshëm, pa sforcime. Vlerësimin e saj për poetin, autorja e mbështet dhe e pasuron edhe me mendimin kritik të autorëve të tjerë bashkëkohorë për të dalë te konkluzioni se K. Traboini është një vokacion krejt i ndryshëm në poezinë e viteve të fundit. Autori i dytë që Mimoza Rexhvelaj vë në fokusin e saj studimor është poeti Gjekë Marinaj, i cili për të karakterizohet nga protonizmi, një frymë kjo e re letrare.




Ajo e cilëson poetin si avokat të lirisë së fjalës që shkel përtej caqeve të vëna nga ish regjimi komunist në Shqipëri, por dhe si poet disident që përshkon disa kufij gjeografikë midis kombeve. Sipas saj, ai ka sjellë vlera të padiskutueshme në letërsi, duke ngritur një urë lidhëse mes botës letrare amerikane dhe asaj shqiptare. Veç kësaj, poeti ka meritën se ka përkthyer një varg veprash letrare amerikane në gjuhën shqipe dhe nga ana tjetër bëri që zërat më të mirë shqiptarë të njihen nga lexuesit amerikanë.

Studiuesja nuk lë pa evokuar në studimin e saj hyrjen triumfale të Gj. Marinajt në poezinë shqipe me vjershën e tij të parë “Kuajt”, që u kthye në një ngjarje në prag të përmbysjes së sistemit monist. Pas këtij akti të guximshëm, poeti i ri kaloi në Botën e lirë, ku bëri karrierë letrare dhe afirmoi individualitetin e tij krijues. Ai, sipas studiueses, përfaqëson një nga zërat më të fuqishëm e më origjinalë të poezisë së diasporës, duke u çmuar e nderuar brenda një kohe relativisht të shkurtër nga rrethet akademike e letrare me çmime dhe konsiderata të larta. Ndërkaq ai bëri emër dhe në fushën e shkencës letrare me shpikjen nga ana e tij, siç pohon studiuesja, të Protonizmit, një teori e re letrare dhe filozofike.

Por për autoren kryesore është poezia e tij që “shënon një moment të ri për poezinë shqipe, duke i sjellë asaj elemente të reja , origjinale, bashkëkohore dhe specifike brenda korpusit të letërsisë shqipe dy dekadat e fundit”. Për autoren, Marinaj “është një poet elegant, me shprehje të përpunuara filozofike meditative”. Të gjitha këto vlera pasqyrohen në një varg vëllimesh poetike të suksesshme si “Mos më ik larg”, “Infinit” etj., pa harruar poezitë e tij të përfshira në disa antologji amerikane në mes emrave të dalluar. Ai gjithashtu është bërë objekt studimesh nga kritika akademike dhe letrare, siç ka tërhequr edhe një rreth të gjerë lexuesish.


Autori i tretë që përfshihet në mikro-monografinë e Rexhvelajt është Fatmir Terziu i cili i takon diasporës si përfaqësues i botës anglo-saksone, me një gamë të gjerë profilesh si poet, prozator, eseist, skenarist, regjisor etj. Kështu, emrin e tij e mbajnë dhjetëra vepra poetike, në prozë, dramatike, studimore, eseistike etj… Autorja na përmend disa prej tyre si përmbledhjet poetike “Mos hesht”, “Ecja në qelq”, “Kohëbota”, “Lumenjtë e ëndrrave” apo vëllimet me tregime “Misteriozja”, “Dielli i Argadasit” etj., pa harruar vepra me studime letrare në anglisht. Vlerësimi i poezisë së Fatmir Terziut në studimin e Rexhvelajt është dhënë përmes shqyrtimeve dhe analizave letrare të thukta dhe kompetente, me vështrim pozitiv. Këtë ajo e bën në fushën e poezisë e të prozës së tij, duke e gërshetuar me kontekstet e tij filozofike për të treguar shqiptarin e vërtetë, si njeri i virtytshëm, i talentuar, i pasur shpirtërisht, që jeton punon në botën e diasporës, pa u shkëputur nga identiteti i tij etnik.




Mimoza Rexhvelaj, pasi ke lexuar studimin e saj “Vështrim mbi poezinë e diasporës”, dëshmon bindshëm se ajo nuk është vetëm një poeteshë e talentuar, por me këtë vepër zbulon profilin e një studiueseje serioze të letërsisë. Ajo ka sensin kritik, aftësinë e vlerësimit profesional të fjalës letrare, njohjen e laboratorit të punës krijuese, zotërimin e teorisë dhe praktikës letrare, raporte objektive mes saj dhe veprës e autorit që shqyrton, procedimin e drejtë shkencor të analizës dhe sintezës, konceptet e qarta letrare dhe terminologjinë e saktë që përdor etj. Studimi është pajisur me një bibliografi të pasur e të zgjedhur nga dhjetëra burime letrare e shkencore. S’ka dyshim se me librin “Vështrim mbi poezinë e diasporës”, Mimoza Rexhvelaj përuron një fushë të re në veprimtarinë e saj letrare, manifeston cilësi të çmuara si studiuese e kritike dhe premton për studime të tjera në këtë lami të rëndësishme të shkencës sonë letrare.

35 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page