Astrit Lulushi
Diaspora - koloni në mërgim e vendit. Fuqia e saj është pjesë e fuqisë së vendit ku bën pjesë. Të parët që krijuan diasporën e tyre ishin hebrenjët e Babilonisë dhe Egjiptit, të cilët u kthyen në tokën e premtuar dhe hodhën themelet e shtetit të tyre.
Diaspora shqiptare në botë luajti rol kyç në krijimin e shtetit të parë shqiptar, edhe pse idea e shtetit të pavarur mes vendasve u konkretizua e fundit në Ballkan. Aq të përgjumur ishin shqiptarët në atdhe sa ende jetonin me ëndrrën e perandorisë osmane; makthi vazhdon herë pas here.
Në shenjë mirënjohje, Diaspora ka pasur vendet e saj në çdo Kuvend, edhe Kryeministër, me përjashtim të Kuvendit Popullor komunist socialist që filloi punimet më 1946 dhe vazhdon me sesione edhe sot. Është meritë e Perëndimit që Shqipëria nuk ka burgje politike dhe gëzon liri humanitare. Por të mos harrohet se kjo është meritë edhe e diasporës në Perëndimin ku ajo bën pjesë. Dhe kaq. Sepse vendi u hap përjashtë, por kurrë nuk doli nga izolimi përbrenda dhe vazhdon të vërtitet në një vorbull që s’ka fund; hijet dhe gjurmët e diktaturës sundojnë.
Zgjedhjet po afrojnë, partitë caktojnë kandidatët e tyre. Askush nuk flet për Diasporën e jo pastaj për të votuar dhe patur kandidatët e saj. Për 75 vjet, Shqipëria është treguar armiqsore, mohuese, përçarëse, përçmuese, plangprishëse ndaj Diasporës për të cilën me mburrje thotë se e ka shtënë në dorë. Gjithnjë mendon se sa më i vogël të jetë vendi, sa më pak njerëz të ketë, aq më lehtë është për ta kontrolluar e qeverisur - si një biznes a sipërmarrje që refuzon të rritet e të begatojë. Narcisizëm pa kufij udhëheqësish të mbyllur, pa asnjë ndjenjë kombtarizmi, me parti që veprojnë si banda gangsterësh, po shkatërron veten, gjithë popullin dhe vendin.
Comments