top of page

DHËMBIN GURËT …


Odise Kote

DHËMBIN GURËT … Dhembin gozhdët e ngulura në mure, po ti dhemb më shumë, trishtimi që trishton, strukur në dhe të përhitur myshku e bari. Suva e rrëzuar, kolonat, këpurdhat e shiut që flenë gjumë, lëngesë e gurit të rëndë, fryma e frymës që s’pushon së qari… Dhembin trarët e rënkojnë ngase krimbat i brejnë papushim, kanatet që mer era, pa qelqe, tek qoshku në tavan pikë e shiut. Kolla që shqep kraharorë, uj' i mbledhur në të shkretën brinjë, dhemb e s’pushon së dhemburi kjo plagë e njeriut. Dhemb prag i shkulur, guva e lojës, skutinë e errët e habive, cingërimë e menteshës, zë i mëmëzonjës tek pusi në skaj. Spreth’ i thyer nën çati, fantazmat, qilar i mrekullive, shkrimet biblike, vizatimet e braktisura, qortimet e pafaj. Dhemb vagulli e kujtimeve që nderen - avull i ngjeshur e vragë, rrangullina, gabime të gjora që fati e desh të rriteshim bashkë. Iu merren mendtë aventurave, rrëfenjave të kaltra në parzm. magjive këndellur në diell që ngjajnë me zhapinj të tharë. Dhembin gurët e shtëpive në Gjirokastër, po ti dhemb më shumë, palcë fëmijërie, shpirti përvëlak, që kurrë s’do të të humbë ... !


KËNDEZI, KIKIRIKU ... Mbret i kurorëzuar, Këndez i mëhallës, Kikiriku...! Zgjon botën në diell e pluhur. Detyrë prej Zotit, t'i përmbahet fjalës, ngase vdekja vjen në kohën e duhur. Kikiriku - kushtrimzjarr' në ag të përflakur, mbyll ditaret e natës, ëndrrat që dhëmbin. Sendet marrin ngjyrat e dheut të lagur, butësinë e ujit që thyen dhe shkëmbin. Kikiriku - kohën vetëkurdis pak nga pak, melodia marruke a britma që trëmb. Shkrepëtimë drite që të hyn në gjak, të nguc dëshirën të brofësh në këmbë. Kikiriku... - triumfi zemërak, i sertë gjer në plotëri, lajmëtar i qiejve dhe i botës mbarë. Sigurisht që profecinë e të mençurit s'e di, në luftë e vërteta është viktima e parë... E LODHUR NJË FLUTUR... Kur jemi parë? Fryma pa u prekur. Kur kemi qarë? A mos kemi vdekur? Adresë e humbur a kohë e tretur, në zjarre të shuar, rrishtas të pandezur. Bredhin në takime gjurmët që lamë, dimër moskuptimesh, në vena trishtim. E lodhur një flutur mban erën në krahë, Harresën që dridhet si gjethja në thëllim... Kambanë e braktisur, shkëmb i heshtur, ti luginë e mbushur dys në mjegull... Nuk na ndajnë qiej, lumenj a dete, Kujtesa, ditari që e mbajmë me vete ...


19 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page