Dhuratë për Shën Valentin
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Feb 13, 2021
- 1 min read

Nga Petrit Malushi
Dhuratë për Shën Valentin
Për ty, më të shtrenjtin suvenir
Të kërkoja, nuk renda shitoreve.
Vargjet me rimën më të mirë,
Nuk u lodha t’i gjeja fletoreve.
Nuk prenotova luksozët lokale
Ku shërbehet me përulësi,
E në krahun tënd me lumenj fjale,
Të t’përbetohesha për dashuri.
Për lulen me më të ndezurën ngjyrë,
Aromëpërhapëse pa mbarim,
Livadheve vrapova, në natyrë.
Dhuratë ta bëra për Shën Valentin.
Mëkatari
Dy lule porosite për dhurata,
Dhurata, dy në një ditë.
Njëra, perde e zezë si nata,
Tjetra, mbulesë për djallëzitë.
Dy lulet, të shkretat s’e dinë
Ç’fsheh ti në shpirtin e zi,
Kurorëshkelës, që në Shën Valentinë
Dhuron lule për tradhëti.
Comentários