DHJETË MOTIVE POETIKE
- Dec 27, 2020
- 1 min read

Nga Kozma Gjergji
(Janë të botuara vite më parë në antologji të ndryshme në Itali.)
NDARJE
Bie shi
Herë i butë
E herë me rrebesh.
Bie mbi rrugët
Ku shëtisnim bashkë
Si melodi fërgëllonjëse
Nëpër tela.
Bie mbi detin e blertë të fushës
Ku të dy zhyteshim ethshëm
Në kërkim të perlave.
Bie mbi urën e drunjtë
Ku ndaleshim shpesh
Të admironim lumin
Duke lëshuar petale në rrjedhë
Që iknin shpejt
Si çastet tona të papërsëritshme.
Bie shi…
Mbi binarët e lagur
Treni çon larg
Nëpër mjegull dhe natë
Dhimbjen e ndarjes.
NË VENDLINDJE
Këtu gjithçka
Më buzëqesh
Dhe shikon
Tërë pritje.
NJË PYETJE
Një pyetje Perëndisë:
Përse rruga e Shënjtit
Çon në shkretëtirë?!
AJO…
Ajo i beson filxhanit të kafesë,
Unë veç syve të saj të mëdhenj.
Ajo i beson ëngjëllit mbrojtës,
Unë veç çastit tonë hyjnor…
KA LULE
Ka lule që vyshken
Pa e njohur shkëlqimin e tyre
Dhe pa e ditur se
Ç'dhurata iu bënë syve…
VIGJILENCA
Veshët vigjilonin buzët,
Dritaret vigjilonin rrugët,
Muret vigjilonin fqinjtë,
Gostia vigjilonte miqtë,
Krevati vigjilonte dashurinë,
Varri vigjilonte vdekjen,
Vigjilenca vigjilonte vigjilencën.
VITI I RI
Çdo tridhjetë e një dhjetor
Mblidheshim rreth tavolinës së varfër
Dhe sobës së ftohtë,
Mblidheshim rreth shpresës së re
Dhe uronim: "Qoftë vit i mbarë! "
URAGANI
Me ç'tërbim theu degë,
Shkuli pemë me rrënjë
Dhe e shkretoi pyllin madhështor!
Por farat, farat
Nuk i zhduku dot.
SHËNJTORËT
Djajtë
I kam takuar gjithandej,
Shënjtorët
Duket kanë shkuar në qiej.
MIQTË
U mblodhën
Miqtë e vjetër, kujtimet…
Ylberi i sinqertë i miqësisë
Ngrihet e shkëlqen
Nëpër qiejt e viteve
Dhe zbret
Gjer në gotat me verë.
Kozma Gjergji.








Ndjehem tepër i përkëdhelur e i prekur nga vlerësimet e larta që më bëhen prej një krijuesi të shquar e miku të veçant si MYSLIMI. Dhe i nderuar se e kam patur model. Më përgjasohej me majëmalet e bardha që kurrë s'i arrin dot ndotja.
I dashur Myslim, përcilli dhe Valit e më të dashurve urimet më të përzemërta të mia e Natashës për Vitin e Ri 2021.
E shumërespektuara znj.Anabel! Të falenderoj me mirënjohje për mendimet mjaft interesante, që shpesh e kanë zgjeruar gjeografinë e kuptimeve e ndjesive të krijimeve. 2021
qoftë viti i legalizimit të të gjitha dëshirave dhe gëzimeve tuaja. Me konsideratë, Kozmai.
Tungjatjeta i dashuri z.Athanasi! E thua shumë bukur që krijimet d…
Xingografia:
Në pemën e vitit të ri, 2021 rrethuar me brengat jo ndjellamirë
të këtij Coronovidi-19, vijnë natyrshëm e zënë vënd dhjetë
poezitë e tua si aforizma, miku ynë-Kozma, të cilat i japin dritë
stolisjes monotone si e vetmja kartolinë voltaike për të çuar
buzën në gaz dhe si motiv për të ngrijtur gotat me verë.
Uroj t'a kalosh familjarisht GËZUAR VITIN E RI 2021 dhe . . .
krijimtari të bollshme!
Xing./Athinë!
Pas tregimeve, z. Gjergji me befasoi me ciklin e mrekullueshem antologjik, ku nje poezi eshte me e bukur se tjetra, jo vetem per mjeshterine e te shkruarit, per vibracionet muzikore, por edhe per mesazhet universale qe na percjellin... Keshtu ka qene gjithmone Kozmai, edhe ne rinine e hershme. Fjalepake dhe bukurishume. Faleminderit per kenaqesine estetike qe me dhate me kete cikel poetik. Qofte dhe per te tjere...Suksese te tjera. Gezuar e per shume vjet FESTAT. Te perqafoj me mall, Myslimi.