top of page

Deputetja britanike Emma Lewell-Buck i bën thirrje Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të vendosë sanksione ndaj Serbisë



Deputetja britanike Emma Lewell-Buck, në një letër të nënshkruar nga shumë deputet të tjerë, i është drejtuar me një letër të hapur Sekretarit të Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, duke shprehur shqetësimin e thellë për pjesëmarrjen e Presidentit serb Aleksandar Vuçiq në paradën ushtarake në Moskë, më 9 maj, në krah të Presidentit rus Vladimir Putin.

Në letrën e saj, deputetja Lewell-Buck thekson lidhjet e ngushta mes regjimit të Vuçiqit dhe Kremlinit, duke përmendur se Serbia është i vetmi vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nuk ka vendosur asnjë sanksion ndaj Rusisë, pavarësisht agresionit të saj brutal kundër Ukrainës që nga viti 2014. Ajo gjithashtu ngre shqetësime serioze për përpjekjet destabilizuese të Vuçiqit në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Letra nënvizon regresin demokratik në Serbi nën sundimin e Vuçiqit, përfshirë sulmet ndaj mediave të lira, opozitës politike dhe shoqërisë civile, si dhe korrupsionin e përhapur që ka nxitur protesta të mëdha qytetare. Deputetja britanike vëren se përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur rrugën euroatlantike të Serbisë, regjimi aktual ka treguar qartë përkushtimin e tij ndaj aleancës me Rusinë dhe promovimin e ideologjisë destabilizuese të “Serbisë së Madhe”.

Për këtë arsye, ajo i bën thirrje qeverisë britanike që të ndërmarrë masa të menjëhershme, duke përfshirë vendosjen e sanksioneve të synuara ndaj Presidentit Vuçiq, qeverisë së tij dhe bashkëpunëtorëve të afërt. Ajo nënvizon se një reagim i qartë dhe i vendosur është i domosdoshëm për të mbrojtur sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan dhe për të ruajtur vlerat demokratike në rajon.



Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page