top of page

Dekorata e 101-të për Gëzim Hajdinagën




Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

Hapja e pikave kufitare në Sukobinë-Muriqan dhe Vermosh, panairi i pervitshëm i librit në Ulqin, turneu ndërkombëtar i gazetarëve sportiv, Mis Shqipēria dhe Mis Universi, por dhe dhjetra e qindra veprimtari të nivelit mbarëkombëtar, mbajnë firmen e Gëzim Hajdinagës. Ai është dekoruar me tituj, mirënjohje e dekorime të pafund nga organizata, bashki, komuna, istitucione e shoqata e deri dhe nga Presidenti i Republikës për të tilla cilësi dhe merita të veçanta





Kontributi i shquar i personalitetit të madh shqiptar Gezim Hajdinaga – ish Kryetar i Komunës Ulqin dhe Ministër i Pakicave në Mal të Zi, është vlerësuar me një Medalje Mirënjohjeje nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dhe Unioni i gazetarëve Sportivë. Në një takim mbresëlënës me prezencën e gazetarëve nga Shqipëria, Ulqini e Prishtina, Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Z.Aleksandër Çipa i ka akorduar Medaljen e Mirënjohjes Z.Hajdinaga, me motivacionin sinjifikativ: “Për kontributin e tij të shquar në promovimin e vlerave kulturore, historike, artistike, sportive. Organizator i shumë ngjarjeve kulturoro – sportive mes shqiptarëve në trevat shqipfolëse. Personalitet i dalluar për kontribut të veçantë në përparimin e pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi, si dhe forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Malit të Zi”.

Momenti i marrjes së kësaj Mirënjohjeje qe vërtet prekës, jo vetëm për Hajdinagën, por edhe për bashkëshorten e vajzën e tij që e shoqronin, si dhe për dhjetra pjesëmarrësit në këtë ceremoni festive. Por ajo që na impresionoi qe modestia me të cilën ai e përcolli këtë event. “Kam marrë gjatë karriesës sime rreth 100 dekorata, Medalje e Mirënjohje, nga institucione Shtetërore Qëndrore e lokale e nga Shoqata të ndryshme, por vlerësimi që më bëhet nga dy Unionet e Gazetarëve Shqiptarë është më sinifikativi dhe më bën më obligues ndaj çeshtjes sonë kombëtare”, u shpreh Z.Gëzim Hajdinaga. Ndërsa Z.Çipa, përmes një fjale të ngohtë e miqësore përshëndetëse, nisur dhe nga kontributi i Hajdinagës, ndër të tjera përcolli mesazhin se “Në skajet e Atdheut, atdhedashuria është më e maturuar”.

Vlerësimin për personalitetin e madh shqiptar në Ulqin dhe Mal të Zi e shprehën edhe Z. Leonard Tase-Këshilltar i Presidentit të Republikës Ilir Meta, Presidentët e Unioneve të Gazetarëve Sportivë të Shqipërisë dhe Kosovës, Defrim Methasani e Edmond Thaçi, Presidenti i Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu”-Nderi i Kombit, Z.Muharrem Gjoka-Mjeshtër i Madh, Artistja e Merituar Liri Rasha, që si ikonë e këngës popullore e qytetare shqiptare është dekoruar nga Presidenti i Republikës me titujt “Mjeshtër i Madh” dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, Drejtori i Sportit në RT e Kosovës Artan Muhaxhiri, Znj.Hena Alia-Drejtore e Shkollës 9-vjeçare “Hasan Koçi” Durrës, avokati Edi Bici, Drejtori i Klubit Sportiv të Gramshit Z.Lulzim Hasa etj.

Por këtu gjeti mishërim më së miri edhe shprehja proverbiale “Bëm baba të të ngjaj”. Kështu, nëse Defrim Methasani njihet në hapësirën mbarëshqiptare si një nga gazetarët më të mirë sportivë dhe mjeshtër i dokumentarëve televizivë, në këtë event shkëlqeu edhe e bija e tij, Luna D.Methasani. Kjo mrekulli shqiptare që sapo ka përfunduar me sukses Kursin Europian të Administrimit Sportiv, me fokus kryesor Strategjinë e Suksesshme, Lidershipin Efektiv dhe Marketingun Sportiv (me përvojë si gazetare në Ora News dhe Marketing, Media and Internatinal Relations në Komitetin Olimik), në këtë event solli për të pranishmit një minidokumentar mjaft profesional, kushtuar Gëzim Hajdinagës dhe veprimtares e humanistes Rabushe Koçi, mbështetëse e veprimtarive mbarëkombëtarë të gazetarëve sportivë.

Kështu, ajo u bëri të ditur pjësëmarrësve në këtë takim festiv se vitet e Gëzim Hajdiganës në politikë, por veçmas në drejtim si kryetar i komunës Ulqin, ministër i pakicave në Mal të Zi , dhe tani si kryetar i organizatës turistike të Ulqinit, kanë qënë vite të realizimit të shumë eventeve dhe projekteve në asocimin e shqiptarëve në Mal të Zi, si edhe të forcimit të mardhënieve mes dy vendeve, Shqipëri dhe Mali i Zi. Te ky njeri janë bashkuar shumë elementë të qytetarisë, patriotizmit dhe intelektit. Aktivitetet e realizuara prej tij janë të panunurta në Ulqin dhe qytete e treva të tjera shqipfolëse. Hapja e pikave kufitare në Sukobinë-Muriqan dhe Vermosh, panairi i pervitshëm i librit në Ulqin, turneu ndërkombëtar i gazetarëve sportiv, mis Shqipēria dhe Mis Universi, por dhe dhjetra e qindra veprimtari të nivelit mbarëkombëtar, mbajnë firmen e tij. Ai është dekoruar me tituj, mirënjohje e dekorime të pafund nga organizata, bashki, komuna, istitucione e shoqata e deri dhe nga Presidenti i Republikës për të tilla cilësi dhe merita të veçanta. Por një arsye më shumë në këtë dekorim të dy Unioneve të Gazetarëve, janë marrdhëniet e krijuara me gazetarët shqiptarë por veçmas ato sportiv në Ulqin, Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut, duke realizuar projekte të bukura dhe me shumë vlerë. Ndaj ky çmim imirënjohjes i shkon shumë për shtat një njeriu të përkushtuar dhe vital që nuk resht së realizuari promovimin e vlerave më të mira kombëtare.

Në këtë takim mjaftë festiv, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dhe Unioni i gazetarëve Sportivë vlerësun me Medalje Mirënjohjeje edhe Znj. Rabushe Koçi, me motivacionin “Si veprimtare dhe humaniste në mjaft aktivitete kulturore, sportive, sociale. Kontribuese ndaj personave në nevojë. Përmes ndjenjës së thellë njerëzore, ajo ka ndihmuar sportistët e Klubit të Gramshit, të pastrehët, është mbështetëse e ditës olimpike Durrës dhe veprimtarive mbarëkombëtarëe të gazetarëve sportivë”.

Rabushe Koçi është një femër që mirësinë dhe humanizmin duket se i ka bashkëudhëtare të jetës së saj. Veçmas vitet e fundit ajo është bërë faktor me shembullin dhe shpirtin e saj human e fisnik në realizimin e mjaft veprimtarive kulturore, sportive dhe në ndihmë të njerëzve në nevojë. Falë vlerave humane, një vit më parë ajo mundësoi donacionin për klubin e futbollit të Gramshit duke paisur me bazë materiale djemtê e të gjitha ekipeve në qytetin e saj të lindjes, qytet ku stadiumi mban emrin e babait të saj Myslim Koçi. Por angazhimi i Bushit vijoi edhe me ndihmën e disa familjeve në nevojë duke i paisur me shtëpi dhe bazë ushqimore e veshmbathje. Njëra nga shkollat e qytetit të Durrësit, ajo “Hasan Koçi”, në ditën Olimpike ndjeu nga afër dorēn e saj të ngrohtë duke ndihmuar me bazë materiale këtë aktivitet kaq mbreslënës. Rabushe Koçi ka ndërtuar prej më shumë se dy vitesh një mardhënie frytdhënëse, duke ndihmuar në realizimin e disa eventeve por edhe duke kontribuar në promovimin e disa figurave të sportit me gazetarēt sportiv në Tiranë dhe Prishtinë, madje delegacionit të shoqatës së gazetarëve sportiv kosovar ju rezervoi një pritje të veçantë në Athinë. Ndaj dhe kjo Mirënjohje që ajo mori, është një mundësi për t’i shprehur detyrimin tonë shpirtëror, duke respektuar një grua humane dhe patriote e cila edhe pse jeton në Itali nuk e harron vendin dhe njerëzit e saj.



42 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page