
DASHURIA
Dot më s’do takohemi, sa më mungon ngushëllimi,
Timbri yt i ëmbël mungon s’kam më lot gëzimi.
Ëndrrën, flakën e ndezur, ndjenjat s’i merr dot era,
Do t’më shkrijnë ajsbergun kur të vijë pranvera.
Ah, kjo dashuri që asgjë s’e tret tani sa shndërrohet,
Nëpër pritje të gjata në dhimbje e lëngatë!
E ndjej shpirtin tim të thyet, të griset të pendohet,
Jo, asnjëherë s’gabuam e s’ramë në mëkat!
Dielli kur fshihet reve, rrufeve kur zbret ngatërruar,
Rrufeshëm më ndez shpresën eh, ditën e lënduar!
Mos vallë është shenjti që zbret ylberit ngazëlluar?
Mos vallë je ti, ai yll që po më ndrin vezulluar?
E di, sonte s’do mbyll sy, do bëj me qindra pyetje,
Nxitur nga e papërsëritshmja ndjenja qiellore.
Atij buzagazit tënd të dëlirë do t’i hap çdo dritore.
Që të më josh luhatjen e brishtë shpirtërore.
Thellësisht më mungon e s’do takohemi përjetësisht,
Ky shpirt si duron, më thuaj, kam shumë frikë!
Orët e ftohta, nga dashuria që më përthith tërësisht,
Ngrohen, digjen, pastaj pres agimin t’më ndrit!
Ah, sot
Sot nuk i shkula sytë nga gjelbërimi
I fushave ngazëlluese të vendit tim.
Sa dukej malli, vuajtja dhe pikëllimi,
I viteve ku s’ndihej gëzimi im!
Të gjitha vuajtjet, kujtimet janë shtjellë,
Lëndinave, pranverave të praruara.
Rinia faqendezur ka humbur aty thellë,
Atje, tek vitet tona të dashuruara.
E ndjeva me zemër pasionin përsëri,
Ah, sa hyjnor shpërthimi rinisë!
Kthjellë e shoh qiellin, yjet po ndrinë,
Zot im, dhuroji paqe vendit tim.