Daman Sinani: Nga vizita e Ansamblit “Krahu i Shqiponjës” të Shoqërisë “Çamëria” në Turqi
- 3 days ago
- 4 min read

Nostalgjia e kujtimeve mahnitëse të një udhëtimi gati një muaj e gjysmë në Turqi, e veçanërisht në Kurdistan, ku këto ditë ndodhi tragjedia e tmerrshme e tërmetit, ku ende nën gërmadha rënkojnë shpirtrat e njerëzve dhe foshnjave, më detyron të ekspozoj këtë ditar kujtimesh pas gati 27 vitesh… Kush të ketë durimin ta lexojë, do të mbetet i mahnitur…
SHËNIME UDHËTIMI…
Pjesë nga ditari personal
Ishte pranvera e vitit 1995, një vit tepër i mbarë për mua dhe familjen time, për punën dhe karrierën profesionale, si dhe në fushën politike… (aktualisht nënkryetar i përgjithshëm i Shoqërisë “Çamëria” dhe kryetar i po kësaj shoqërie për degën e Elbasanit). Atë kohë kisha gati një vit që isha emëruar Drejtor Rajonal i Entit Kombëtar të Banesave për Qarkun e Elbasanit. Për fatin e mirë, shorti për të konkurruar në Festivalin Europian të Këngës Popullore, që zhvillohej në Turqi, i ra Ansamblit “Krahu i Shqiponjës” të Shoqërisë “Çamëria” dhe, për mbarësinë e Zotit, unë do të isha administratori dhe përfaqësuesi shtetëror i këtij aktiviteti artistik, i cili zgjati 35 ditë në Turqi.
Shteti na akordoi vetëm 3000 dollarë, ndërsa pjesa tjetër do të përballohej me forcat tona dhe me kursimet e mundshme nga bonuset e organizatorëve. Përveç dashamirësve të këngëve dhe valleve popullore nga Çamëria, kontingjentit artistik çam iu bashkua edhe një grup i Shkollës Artistike “Jordan Misja” të Tiranës, me urdhër shtetëror. Unë pata fatin që në këtë turne të më shoqëronte edhe bashkëshortja ime, Elsa, gjë që ma shtoi edhe më shumë kënaqësinë e këtij udhëtimi historik e të papërsëritshëm në asnjë stad tjetër të jetës.
Turneu filloi në pjesën europiane të Turqisë, konkretisht në qytetin e vogël turistik Bodrum-Reiz, në brigjet e bukura të Egjeut. Një qytet me rreth 8000 banorë autoktonë, por që gjatë sezonit turistik arrinte të priste deri në një milion turistë në vit. U sistemuam në hotelin me pesë yje “Grand”. Gjithçka ishte mrekulli dhe e papërshkrueshme, sidomos pas suksesit të jashtëzakonshëm të këngës dhe valles popullore shqiptare. Këtu qëndruam plot 13 ditë dhe, pas nderimeve e respektit të veçantë që morëm nga populli turk, si vëllezër shqiptarë, por edhe nga autoritetet vendore, veçanërisht nga kryetari i bashkisë, z. Sulejman Dincerek, i cili kishte një nostalgji të veçantë për shqiptarët dhe sidomos për Çamërinë, vazhduam itinerarin tonë.

Ansambli ynë u nderua me vendin e parë për këngët polifonike të Çelo Mezanit dhe vallen e Osman Takës. Ishte një krenari e veçantë për këtë vlerësim që na bëri juria e festivalit. Është e papërshkrueshme bukuria e një udhëtimi me një grup artistik të ri, me artistë të vërtetë, me regjisorin dinjitoz Bashkim Braho dhe muzikologun Qani Biraci, me grupin legjendar të Rrogozhinës dhe me një itinerar të gjatë e të larmishëm. Pas furnizimit me ushqime dhe ujë të pijshëm për 24 orë nga organizatorët, veç pagesave ditore, u nisëm drejt zonës aziatike të Turqisë, konkretisht në Kahta-Adiyaman, një qytet i madh, me njerëz të gjallë, punëtorë dhe tepër korrektë. Kahta-Adiyaman ishte një qendër turistike malore me histori të lashtë, por që prej pesë vitesh kishte mbetur pothuajse pa turizëm për shkak të luftës.
Nga rreth 45 grupe që kishin marrë pjesë në Bodrum-Reiz, vetëm Shqipëria dhe Rumania morën guximin të shkonin në festivalin e Kurdistanit. Të tjerët u trembën nga aksionet luftarake dhe pasiguria e jetës në atë zonë.
…
Kur u nisëm nga Bodrumi, shoqëruesi ynë, një eksponent i sigurimit turk, djalë fisnik dhe i edukuar, na porositi: “Dëgjo, vëllai im, në Kurdistan ndikim të madh ka Partia Komuniste Kurde. Ata janë shumë striktë në bindjet e tyre dhe udhëheqësi juaj, Enver Hoxha, ka pasur shumë influencë tek ata. Nuk ka familje kurde apo librari pa veprat e tij. Prandaj porosit anëtarët e ekipit të mos bien pre e provokimeve politike.”
Dhe kështu vepruam. Pas fitimit të vendit të parë në festival, Valiu i Kahta-Adiyamanit na ftoi në rezidencën qeveritare. Në takim mora pjesë unë si kryetar i grupit, Bashkim Braho si regjisor dhe një përkthyese poliglote me origjinë çame. Takimi mori një kthesë të papritur kur mbërriti kryetari i Partisë Komuniste Kurde. Pasi u prezantuam dhe folëm për bashkëpunimin shqiptaro-turk, ai m’u drejtua me ton sfidues: “Kemi respekt për popullin shqiptar, por dua përgjigje për dy pyetje.
Së pari: Pse e nxorët nga varri udhëheqësin e madh Enver Hoxha?
Së dyti: Pse e quani diktator Enver Hoxhën?”
Në sallë ra heshtja.
Iu përgjigja: “Bashkan Bej, Shqipëria ka shtetin dhe parlamentin e saj, të cilët vendosin për gjithçka që lidhet me historinë dhe figurat e saj. Vetëm shteti shqiptar ka autoritetin për të dhënë përgjigje për këto çështje.
Së dyti, ju në Turqi keni një thesar të madh kulturor, Sami Frashërin, autorin e fjalorit turk. Nëse në atë fjalor gjendet ndonjë fjalë më e saktë se ‘diktator’ për Enver Hoxhën, atëherë do të ishim të gatshëm ta shqyrtonim.”
Kaq mjaftoi. Kryetari i PKK-së u ngrit, përplasi karrigen dhe u largua pa thënë asnjë fjalë. Në sallë mbretëroi heshtja. Valiu m’u drejtua me dashamirësi: “Nuk i pëlqeu përgjigjja juaj. Këtu Enver Hoxha ka ende shumë nostalgjikë. Sonte, para orës 17:00, duhet të largoheni nga Kahta-Adiyaman. Siguria juaj është në rrezik.”
Menjëherë urdhëroi likuidimin e dietave tona dhe shoqërimin me polici deri në Adana. Më pas, në një bisedë miqësore, Valiu foli gjatë për figurat historike shqiptare, për Skënderbeun, Ali Pashë Tepelenën dhe Ismail Qemalin, duke shprehur respektin e tij për kombin shqiptar dhe duke theksuar se historia nuk duhet gjykuar nga emocionet politike të çastit. Pas dy netësh e tri ditësh udhëtim, mbërritëm në Ankara, ku u likuiduam nga banka dhe shpërndamë menjëherë pagesat për të gjithë pjesëmarrësit e ansamblit. Kjo ishte vetëm një pjesë e kësaj historie, si shumë histori të shqiptarëve në udhëtim, shpesh larg mbështetjes së duhur shtetërore. Ditari vazhdon me kujtime të tjera personale nga ky udhëtim i paharruar me Ansamblin “Çamëria”.








Comments