Daman Sinani: NDAHET NGA JETA SHOKU DHE MIKU IM I NGUSHTË, ZYBER TEME DEBROVA
- 8 minutes ago
- 2 min read

Ndahet nga jeta shoku dhe miku im i ngushtë, i viteve të punës, i familjes, i një miqësie mbi 60-vjeçare, Zyber Teme Debrova. E përjetova shumë keq lajmin kur më njoftoi në telefon vëllai i Zyberit, Ramizi. Më theri shpirti dhe lotët, me ngashërim e dhimbje zemre, nuk i përmbajta dot. Aq sa hapa krahun dhe ndalova makinën.
Kush nuk e njeh Zyber Debrovën në territorin e Qarkut të Elbasanit e më tej? Një agronom model, me përgatitje administrative, shkencore e bashkëkohore; një njeri i dashur dhe me autoritet në marrëdhëniet me punonjësit dhe eprorët.
Për mua dhe për të gjithë ata që e kanë njohur dhe e kanë ndjekur ndër vite, Zyberi do të mbetet gjatë e thellë në kujtesë, me gjithçka që la pas dhe me gjurmët që la në këtë botë.
Zyber, o miku im!

Ti mbylle sytë njëherë e përgjithmonë, pas një lufte titanike me sëmundjen e diabetit për plot 35 vite. E këto katër-pesë vitet e fundit, dhimbjet e tmerrshme të gjymtyrëve dhe të kockave të kanë munduar pa pushim, 24 orë në ditë.
Ah, sa herë që na përcillje, vetëm apo me familjen, sa herë të vizitoja, përdorje atë shprehjen tënde të dashur:
“Mos paçi dhimbje!”
Do të ruaj në kujtesën time të gjitha atributet dhe virtytet e tua.
Një shok fisnik, bujar, dashamirës, i kudogjendur dhe i gatshëm për të gjithë. Ti u uroje njerëzve shëndet, harmoni financiare dhe familjare.
Një bashkëshort model. Edhe mes gjithë dhimbjeve që përjetoje, në bisedat familjare dije të vlerësoje rolin e bashkëshortes tënde, Rejës, e cila të qëndroi aq pranë dhe të shërbeu pa u mërzitur kurrë. E në fund më thoje:
“Daman, mos paçi kurrë dhimbje! Dhe kujdes Elsen. Kurrë mos ia prish qejfin, sot e kurrë. Bashkëshortet janë kapitali i vetëm i yni.”
Si prind ke qenë i pakrahasueshëm për dy djemtë dhe vajzën tënde, për bashkëshortet dhe fëmijët e tyre. Ti i njihje aq mirë, i doje aq shumë, sa kur i puthje në ballë dhe u merrje erë, thoshe me dashuri:
“Gjaku dhe geni!”
Me vëllezërit e tu ishe i lidhur fort. I doje dhe u jepje vendin që u takonte. Gjithmonë thoje:
“I dua shumë. Janë amaneti i patretur i babait dhe i nënës time.”
Sulejmanin e veçoje gjithnjë. Për Sulin thoje:
“Me Sulin nuk jam ngopur kurrë.”
Edhe me fqinjët nuk kishe të dytë. Për ta thoshe:
“M’i ka dhënë Zoti. Vëllezërit m’i ka pjellë nëna.”
Ike, Zyberi im i dashur, dhe më ke lënë një boshllëk të madh si shok, si mik, si vëlla. Sa herë mërzitesha, vija tek ti, me Elsen, vetëm, apo me djalin e vogël. Dhe ato biseda, ato çaste, ato kujtime, nuk do të harrohen kurrë.
Zot, o Zot i Madh!
Ty të drejtohem sot, herë me fjalë e herë me lot:
Bëje, Zyberin, njeriun e mirë, banor të tëndin në Xhenet.
Amin. Amin. Amin.








Comments