top of page

"Dallëndyshe në kafaz"


Irsa Ruçi

Po mungon shpirti, ky vend po jep shpirt si një qiri tek tretet ngadalë në agoni. Një humnerë aq e thellë dëshpërimi, saqë nëpër rrugë vërehet lehtësisht zymtësia e fytyrave që shkojnë pa motiv, pa të nesërme, me barrën e pengjeve mbi kurriz, si të ishin kalimtarë të rastit në këtë botë. Të pafatët e humbur që s'gjejnë dot veten, nuk lindin mes dhembjes ëndrrat dhe ata duket sikur i janë dorëzuar të panjohurës.

Shqipëria dhe shqiptarët kanë duruar shumë mbi supe, por kurrë nuk u është varfëruar buzëqeshja si sot, në kulmin e rënies morale dhe depresionit social. Ku po shkojmë kaq qorrazi, si të na ishin prerë krahët, pa mundur të gjejmë një fragment shprese diku mes zemre?

Asgjë nuk pipëtin, nuk ka reagim për kurrfarë të keqeje; dhe kjo pafuqi është lëngim i dikujt që nuk beson se e ardhmja ka dritë, por e shquan çdo herë e më zi. Jemi këtu, por s'jemi askund. Nuk i përkasim vetes, duket sikur i lutemi zotit të na mbrojë, pa mundur dot t'i dalim zot kokës sonë.

Kjo tokë fisnikësh sot ka ulur krye; dhe ne njerëzit e saj mbetëm me valixhe në dorë. Paketojmë realitetin, paketojmë ëndrrat, paketojmë të ardhmen dhe zhdukemi nga sytë këmbët. Po ku vemi, përveçse në burgun e ndërgjegjes? Megjithëse, a trashëgohet burgu nëpër breza...?

39 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page