top of page

CIKËL POETIK, PËRZGJEDHUR NGA LIBRI I RI: NË MOSHËN E ABELIT




STEFAN MARTIKO


CIKËL POETIK, PËRZGJEDHUR NGA LIBRI I RI:

NË MOSHËN E ABELIT


DËNIMI


Një fëmijë është një

Lojë e bukur për të lozur

Prej lojës do vijnë mësimet

e hidhur. Do thyhen këmbët

e të qarat do pijnë lotët e

vetë të kripur. Fëmija i kap

marrëzitë e lojës me dorë dhe

ne qeshim. Por një fëmijë në të

vërtetë nuk luan përveçse si denim

ngjitet në skenë

për tu rritur

20. 3.16


NJË BURRË


Një burrë del nga shtëpia

Me një dhimbje në shpatull.

Me një re të vogël mbi supe. Pak

më përpara ka pastruar prej

syve mjegullën për të

zbërthyer shenjat që

horizonti i ka fshehur

me mjegull. Ky burrë

E di sa e rëndë do të jetë

Pesha në të kthyer. Dhe mban

Një makinë llogaritëse me

Vete. Ca do t’i lerë si

gjurmë udhës ca do

t’i sjellë në shtëpi

dhe ca të tjera do t’i ruaj

te kujtesa mbyllur me çelës

12.2.17


AFËR MESDITËS


Gjer në mesditë

as gjysmën e mungesës nuk

e ushqeva dot me frymën

time. Duke vrapuar më

shumë kisha nxjerrë djersë

të pista. Aty nga ora

11:00 zbulova shkakun e

Vonesës dhe korigjoja një

nga një gabimet duke i

shkulur si gjëmba. Por

nuk po matja dot

perspektivën dhe nuk

pash asnjë që të

mbërrinte. Atëherë njoha

natyrën e gabimit dhe më

duhet të korigjoj mendjemadhësinë

e Çezarit. Afër mesditës

mbi krye mu bë një re

e madhe. Atëherë u tremba

se mos çdo gjurmë timen

do ta lante shiu


1.6.16


KUJTESË E VDEKUR


Ky vend si

i vizatuar për

tu fshirë më vonë

nga kujtesa. Kaq

përrallor sa unë

habitem që po

shoh tërë rrëkerat

që gurgullojnë poshtë

pa parë ende lumin

Ky vend ndoshta

s’ka ekzistuar asgjëkundi

por unë e pash

në një ëndërr si të

kish qënë vendlindja

ime për të cilën

unë shkrova diçka

vetëm kur ajo

kish vdekur në

kujtesën time

21.3.15


HESHTJA NË PARK

Të heshtur dhe secili na përgjigjet

Me shënja. E ruajnë përvojën

nga zhurmat. I bëjnë

shumë pyetje vetes për t’i

dhënë leje kohës të

hyjëbrenda. Është çasti kur

përpunohen përvojat në parqe

në shetitje të gjejnë ekuilibrin

mes flladit dhe mërmërimave

të lutjes. Sa të gjejnë një pikë

ku të mbështeten. Vetëm ata dëgjojnë

si përplasen përrenjtë

ku Herakliti zbuloi orët

e kohës së humbur. E lash

kopshtin në gjumëdhe nëpër

shkallë u ngjita të bëj llogarinë

me kohën ku përtej gardhit

të kopshtit nis një

jetë tjetër. Do pastroj

regjistrrin e rendë për të

qënë i kthjelltë për

Lutjen e Mëngjesit. Kopshti

Ishte parajsa por porta

pas meje u mbyll dhe

unë u ngjita lart

të gdhihem i pastër

për Lutjen e Mëngjesit

14.6.18


MËRZI ISHULLORE


Kam zënë radhë te këto radhë

Të pafundme që çojnë

Gjuetarë të vrasin

Mërzinë nëpër ishuj. Ah

Sikur të ringjalleshin sapo

në një nga ishujt të kishin

mbërritur dhe të shpalleshim

Kolombër. Oh unë e kam mërzi

Radhën që më le pas të tjerëve

Të avionëve që prishen në

qiell të anijeve që iu tremben

aisbergve të makinave që

përgjithësisht kanë mendjen time

dhe çmenduria nuk e pret

më arsyen që pasi e ka shtypur

në hiçin e madh

për vete ka fluturuar

20.12.07


NË MOSHËN E ABELIT


E di që jam i vjetër

Në moshën time në xhepat

e kujtesës. Një lloj dragoi më

ka kapur dhe fëmja nuk

nxjerrë dot këmbët nga

pelenat. Po të kisha mendje

Abeli as që do ta kujtoja

Më as nënën që më kish lindur.

Aty rreth vitit 800 të lindjes kisha

Bërë dyqind martesa të tjera. Prej

flokëve të paprerë të Abelit

Ararati i tërë qe fshehur nën

Mjegull. Por unë qethem e

grisem sepse luftoj Brenda

vetes. Fantazzinë e përdor

si krehër për mjegullat e

Abelit. Dhe sa më tepër rri

Me shpirtin tim zgjuar

Mosha ime po kap atë

të Abelit.

1. 10. 16

NJERËZ DHE MITE


Me të sapo u ndava. U ndamë të dy përgjysmë. Gjysmën

time e lash tek gjysma e asaj që iku dhe unë në gjysmën

e asaj po shndërrohem në një lloj centauri. Zemra ime në

një trup tjetër çfarë i thotë asaj duke ecur. Unë në lumë të

gjakut të saj nis për lundrim gjysmën tjetër. Mite të lashtë

Ju jini njerëz të gjallë të montuar prej pjesëve – dashuri dhe

Urrejtje. Unë minotauri njeriu dhe demi dhe ti sirenë e

bukur me bishtin e një peshku që kur të vdesësh do të jetosh

te një tjetër.

27. 1. 09


GJUHË EZOPIKE


Ata ishin Varu Bidonët

Me Mos e Çaj Kokën kaluan

tutje. Te rrruga që ia Hëngri

Kokën u pa i vdekuri i parë

që Mos o Zot s’e hanin as

Qentë. Dhe rruga mbeti ë

shkretë t’i Fusje Gishtat në

Sy si një pafundësi që po

çlirohej prej detyrimit

për ta përshkuar. Ata e patën

shkruar emrin në Trimi

Që s’ia Ha QENI Shkopin por

Siç ndodh me aventurën

e Rasputinit shkoi për

Dhjamë Qeni

11.11.06


PUSHTUES TË RINJ


Atje ku je mbijnë pemë dhe një

lumë të ndan me bregun tjetër. Nuk e

mat largësinë e çdo gjëje nga

vetja. Je i rrrethuar me diçka të pamatshme

dhe të panjohur. Kë ke më afër

i çon kujtim një tjetri se një

pelegrin këtu po bëhet banor

i përhershëm. Zogjtë mbi pemë

dhe një ujk që ulërin natën. Andej

nga vjen frika ti vë një pushkë

te gardhi që qëllon natën frikën

Je i rrethuar në një perimeter pa

u bërë ende qendër dhe të zbulosh

shtegun e erërave. Me farërat e mbetura

nëpër plepa jeshillëkun e shijes tënde

do të mbjellin. Sa të miqësohesh me

dhelprat pleksin ulërimat e

tyre me fërshëllimën tënde të një

kënge të vjetër. Ti nuk je ende

banor me leje për të ndërtuar

këtu të ardhmen. Kur të vijnë

drerët te gardhi si banor i pyllit

kërkoju leje ndërtimi duke mbajtur mbi

supe një ketër. Merrë me vete

dëshmi njohjeje dhe tregoju

gjer përtej bregut

perspektivën

të qytetit të nesërm

29. 9, 19


ĆUNAMI ME EMRIN IRENË


Sa zgjat koha e një kënaqësie dhe

Pse të dënuarit tanë po e vjellin.Asaj

që nuk iu dëgjua lutja dhe

koha iku pa e pritur

Hedonistët e gjorë vdiqën prej

Ngopjes dhe nuk kish tjetër

Zgjidhje receta e Epikurit. Të devotshmit

u dehën dhe nuk e panë botën

si u mbyt në gotën e zbrazur

nëpër reflekset e qelqit. Deti

na dehu me valë të buta

dhe qiell i pafund të kaltër

mbi vete. Para se të vijë

cunami me emrin e bukur

Irena kanë mbetur

aq pak të gjallë për të varrosur

atë shumë të vdekurish.

7.9.19


AJO QË PËRHERË

ËSHTË DUKE ARDHUR


Fëmijëria është kohë e

shkurtër.Përherë është duke

ardhur prej një pafundësie

si të jetë e jetuar në

një planet tjetër. Gjer

më tani asnjë plumb i

marrë s’ë ka vrarë ende edhe

pse ka qënë përherë në

shënjestër. Ajo që ka frymën e

luleve dhe të qumështit të

gjirit i jep jetë ende

një trupi të plakur. Ajo

që kurrë nuk e njohu frikën

dhe u pa me guxim

si te pasqyra po rritej

20.9.18





NË KOQINO MILO


Ç’mendje e çmendur

e bëri qytetin varrezë

të bukur për të gjallët

hapi shtigje nga të

katër anët të hynin

pa paguar më parë as

taksën e qytetërimit. Tani

jetojnë të gjithë në trupin

e një përbindshi ku mes

shumë luleve e bletëve

merr frymë njeriu. Në Koqino

Milo një ditë prilli pashë

Si u zgjuan të vdekurit të

Sapovdekurin e ri me

lule në duar ta prisnin

1/Varrezë publike në një nga

Lagjet e Athinës

6.7.18


Labirinti Stefan Martiko

NËPËR DRITËHIJET E NJË KRIJIMTARIE

Fragmente nga libri i poetes Armela Hysi për Stefan Martikon

* * *

Mendimi te Stefani s’ka strukturën e lidhjes së drejtpërdrejtë shkak pasojë. Ai e zgjeron

Vetveten duke u nisur nga qendra dhe drejtimet janë të lojës poetike, janë masa ritmike në të cilat lëviz mendimi. Në lojën poetike ai përdor formula më pak të njohura për kohën

dhe për njeriun në kohë. Kohën, herë e beson se është, herë e shpik në një askund dhe, përsëri e zhbën dhe, njeriun e shumëfishon nga vetevetja, drejt cilësive të tjera shpirtërore. Stefani flet me siguri për pasiguritë habitore dhe pafajësore. Pasiguritë i bën mjete shprehëse. Flet me habitore dhe kjo është shenjë e dukshme e stilit të tij. Në përsiatje, dukja asnjëherë s’i mjafton se ka pezëm për dukjen, madje e shpërfill, se është i lidhur me thelbin e dukurive. Shpërfillja do t’ja ngrinte zërin dhe do t’ia shtonte pasthirrmat, por ai ka tonin e ultë të zërit poetik, ka tonin e duhur për natyrën e tij eufemike, për eklektizmin, që ka për përvojën e kohëve dhe zërave. Ka tonin e ultë, pa ekstazë po me pezëm dhe trisht për humbjen e fitoreve të njeriut. Është një folës…që bashkon tonin logjik me atë ngashënjyes. Zëri i poezisë së Stefanit e ka timbrin si të dalë në sekondat e para të krijimit të fjalëve, pa diktaturën e kohës me moral, që i rrudhi fjalët.


* * *

PËRSE KEMI NEVOJË PËR LEXUES TË KUALIFIKUAR


Letërsia e Martikos, poezia e akorduar në proçeset e evoluimit të poezisë bashkëkohore, proza e tij, një pikëpamje e ngjyrimeve Borges – janë në fasadat shqiptare të një relievi tepër të thyer e të larmishëm; si edhe ese të ndryshme të tij, dëshmojnë puqjen e lexuesit me një përvojë të veçantë dhe interesante. Është e qartë se kemi të bëjmë me estetikë dhe njohuri që shkulmojnë pareshtur me ndikimet ë veta personale dhe nuk ruajnë ndonjë klishe shkallaresh përforcuese. Në këtë udhëtim breg – thyer, që pas çdo thepimi shpërblehesh me ndonjë pamje panoramike, apo ndonjë zhytje të papritur dhe të bënë të mbetesh me gojën hapur. Pra siç kuptohet duhet të jesh i vëmendshëm, i qetë dhe i mësuar me një poezi të tillë që të lë aq shumë hapsirë në mendimet personale, saqë të bënë bashkautor, ku vet mund të thurësh vazhdimin mendësor të çdo vargu, si duke e lexuar, ashtu dhe duke e veshur me ndjesitë e çasteve individuale. Dhe që të bashkautorësosh në një vepër me mendimet e tua personale, duhet të kesh ndoshta një prirje të tillë leximi. Duhet që mendimi, kulti i të cilës filosofikisht dhe totalisht, që në lashtësi është njehsuar akoma dhe praktikisht me vetë ekzistencën e vetë njeriut, të qëndrojë në lartësinë dhe urtësinë e qenies.Duhet të bëjë art, siç dhe sipër përmendëm, me apo pa shkruar poezi, veçse në radhë të parë në mënyrë të ndërgjegjshme. Dija e mirëfilltë e një poeti filosofndoshta nuk do të përçohet menjëherë, por dija është e brendshme, sipas meje, njohuritë janë ato që do të shfrytëzohen dhe përdoren për të nxjerrë dijen dhe kjo vjen edhe duke lexuar poezi, e veçanërisht poezi të tillë si e Stefan Martikos. Walter Lippman shkruan se” Duhet dije për të kuptuar dijen; muzika s’vlen gjë nëse publiku është shurdh”. Për sa i përket të tjerave, mbetet veç dëshira për të ndjellë ndjenja dhe pikësynime jetike. Nuk do të them atë të thjeshtën dhe të shumëpërmëndurën në kësi rastesh, të babait të Dorian Greit, Oskar Uaildit kur thotë se “po qe art, s’është për të gjithë, dhe po qe për të gjithë, atëherë s’është art”, sepse letërsia e Stefanit nuk ka rreziqe të tilla njehsimi sidoqoftë. As ai vetë, si çdo artist i të njëjtit koncept e nivel nuk ngulmon për një gjë të tillë. Jam sidoqoftë e sigurt se poezia dhe pikërisht ajo për të cilën flasim këtu, rrëfen kaq qetë në mendjet e njerëzve, me thjeshtësi në minimalizmin e saj, me dashuri intime në dhënien e saj pa qëndresë pompoze, por me një personalitet të vetin të ngrohtë, të qëndrueshëm dhe anagnostik që të bënë të vësh interes dhe të shkalafit dyshimet pak e nga pak. …..

Përgatiti për Revistën Fjala e Lirë, Myslim Maska.

120 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page