Cesare Pavezes: VERË …E NJË DASHURIE TË MUNGUAR
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 23 minutes ago
- 1 min read

VERË …E NJË DASHURIE TË MUNGUAR
Ka një kopsht që bie në sy midis mureve të ulëta
me bar të thatë, dritë përvëluese
dhe me erëmim që vjen nga deti.
Ti e thith aromën,
shkund flokët, i kreh me gishta
dhe kërkon të largosh prej tyre gjithë kujtimet.
Kam parë shumë fruta të ëmbla,
të cilave ende ua dëgjoj zhurmën e rënies mbi bar.
Ndonjëherë e kujton dhe ti atë zhurmë
dhe vazhdon të trandesh nga fërgëllimi i gjakut,
po tani, jo.
Kthen kokën gjoja për të parë një mrekulli ajri
aty pranë, ndonëse mrekulli tjetër veç teje, nuk ka.
Vetëm në sytë e tu dhe në kujtesën time të ngratë
gjej diçka të njëjtë me mrekullinë.
Medet, duket se po flas kot.
Ndërsa më dëgjon vë re që fjalët e mia
pak të prekin
se je mes mendimesh të tjera që në fytyrën e qetë
të shfaqen me qartësinë e dritës së detit
që e ke pas shpine.
Kudo rëndon heshtja e shtypjes së zemrës,
distiluar me dhimbjen e kohës së lëngut të frutave kur
dikur
binin në tokë me gulmin tronditës, që s’do të më ndahet
dhe vazhdon të më më godasë akoma.

Shqiperoi: Harallamb Fandi









Comments