Ruzhdi Gole: CINGËL, CINGËLTHI
- 4 hours ago
- 2 min read

Ruzhdi Gole: CINGËL, CINGËLTHI
1.
Ditë vjeshte gjej k'tij qershori pa prit.
mënjanë lë lundrimin dhe sektet
vrapoj në një hap me perënditë.
Oooo, ç'thënkam kështu?
Perënditë më zgjojnë
nga gjumi laik
t'u besoj laikëve në tjetër gjuhë...
2.
Qënkam, i gjithi, plot thumba bletësh,
Mjalti i tyre më rrjedh nga gishti
gishti më rr'fen
të përpjetën.
Gjer në majë dot nuk ngjitem...
Po u thashë se u ngjita atje
do të jem
i gjithi rrenacak helm,
shpresë mbuluar
me dhe,
gungë në gen.
3.
Përposh hepoj droje mërzie....
i panjohur nga mizat
çdo ag mburoje
përtej rrezesh
afër qirinjve.
Dikush më desh
për të më gënjyer,
dikush për të më dehur,
shkrij kokulur mes qirinjve
jetoj milingonë në kryqin Atdheu.
4.
I hirtë ky mot, trallisjeve fishkur,
Mendja çka sjell...ngrica plot
e kam mendjen tek ndritja
e rrokullisur.
Asnjë hopthi-gropthi nuk më afrohet...
Ndoshta ky mot gjithçka ma mënd
më qëllon me brirë të kapronjve
po gjakun s'ma shterr
kockat s'm'i
shëmb.
Mot fishkur ... Parrokullisur...
5.
S'të arrij dot...Të ëndërroj...
Më tutje,
ndoshta hijen hare e kam rojë
haren e hijshme ... qelq të buzëve.
Si ndizen plot xixa qelqet dhe drojet...
Për të të ëndërruar këtu,....Më tutje
s'më lënë trazimet, pra, rojet...
6.
Po e lë mënjanë çastin e mbramë...
I mbramë njeriu, më pak
i lëvdueshëm,
këpucët e mia i lyejnë retë
me bojë që më ngroh
e më mardh
jo vetëm gishtrinjtë
por
edhe shpatin, rrokopujën.
Një Hanë ma mbërthen bluzën njitash,
zbres e ngjitem, më grabisin, grabis,
më pak i lexueshëm njeriu
veç bllamë,
me kamë
në shpirt...
7.
Dita lëron ara dhe ... ujëra ...
Ujëra lëroka dita ?
Lajthitja luan
me milingona jetëshkurtra
jo krahë grabitura.
Gjithçka më rrëmben
tërthorazi, lumnueshëm
ngathtive vrullshëm pa të keq,
O Zot, mos m'u afroftë vdekja
me kurora të gjora
me sorra që ma
nxijnë rrugën
... se çmendem ... Nuk vdes....
8.
Po ngjethem,
ngjethëse kjo degë gjuhë prerë,
nata ledhatohet prej yjeve
yjet janë bejte
të poetëve
terri pi ujë por etjen s'e shterr.
Veç Pikëllimi më gazmon me të qeshur,
me luspat e peshkut mbuloj një kamë,
e cila përgjaku buzët e bregut
jo prej frymorit homo sapiens
por prej tigrit ... luan.
9.
Mjegulla, e çarë gjithandej, duket
si një rrjetë e stërmadhe peshku
mbi kryet e frymorëve
dhe jetëngrehinës,
Jeta përhedhur, hedhur këputje
ndër besime, betime plehu
rrënoja të reja pikëllimesh.
Të tjera brinjë përtërin Jeta,
ne duke ikur shtrirë
kokë statuje,
Mjegulla shkund rrjetën
jo me peshq as me filiza plehu
por me bisqe
dhe frymëmarrje të ujërave...
10.
Cingël, cingëlthi...
Shkopi më sheh, fluturon tinëz,
tinëzarëve, përhera, u shtroj gosti.
U shtroj gosti heshtjen time...
Në heshtjen time mbjellë bimë,
Brinjët e mia do rrihen ende
nga lojëra të rrezikshme
sa të bëhen thërrime
cingelthi
jo cingël...








Comments