Valbona Ahmeti: ROMANI “BLIRËT E PEJËS”
- 2 hours ago
- 2 min read

Valbona Ahmeti: ROMANI “BLIRËT E PEJËS”
Autor: FATMIR TERZIU
Jo krejt rastësisht më ra në dorë romani “Blirët e Pejës”. Vetë titulli, që në pamje të parë mbart një simbolikë të veçantë, më zgjoi kureshtjen për ta lexuar. E nisa gjatë pushimeve verore, pranë bregdetit, por për shkak të vapës së madhe u detyrova ta ndërpres. Pas kthimit në Kanada, iu riktheva përsëri dhe, për dy ditë me radhë, nuk e lëshova nga dora, derisa e përfundova.
Romani më tërhoqi që në faqet e para me mënyrën e veçantë të rrëfimit, me ndjeshmërinë e gjuhës dhe me botën që autori ndërton përmes fjalës. Ngjarjet nisin në vitet ’30, në periudhën e sistemit jugosllav, dhe shtrihen përgjatë disa dekadave, duke sjellë përpara lexuesit një histori të dhimbshme, të mbështetur mbi ngjarje, dëshmi dhe fakte që lidhen me fatin e shqiptarëve.
Përmes rrëfimit letrar dhe fakteve historike, autori sjell në vëmendje shpërnguljet e shqiptarëve përmes Reformës Agrare, vrasjet, presionet dhe format e ndryshme të manipulimit e të shtypjes. Në rrjedhën e romanit ndërthuren dokumente, dëshmi dhe ngjarje që lidhen me periudha të ndryshme historike, duke krijuar një tablo të gjerë e tronditëse të fatit të popullit shqiptar.

Ajo që më bëri të thellohesha edhe më shumë në ngjarjet e romanit është fakti se rrëfimi nuk mbetet i mbyllur vetëm në të kaluarën. Ai vijon deri në vitet e pasluftës së Kosovës, duke krijuar një ndjesi të fortë se hijet e historisë nuk zhduken lehtë dhe se gjurmët e së kaluarës vazhdojnë të ndikojnë mbi të tashmen. Në këtë rrjedhë shfaqet edhe ideja e një “dore të fshehtë”, e cila, në forma të ndryshme, duket se vazhdon të ndikojë në zhvillimet e vendit.
“Blirët e Pejës” është një roman që nuk lexohet vetëm për të ndjekur një histori. Ai të shtyn të ndalesh, të mendosh dhe të rikthehesh te e kaluara për ta parë atë me një tjetër këndvështrim. Pas çdo ngjarjeje mbetet një pyetje, pas çdo dëshmie një kujtesë dhe pas çdo faqeje një ndjesi se historia e shqiptarëve ka ende shumë për të treguar.
Ky roman do të më mbetet gjatë në kujtesë, jo vetëm për temën që trajton, por edhe për mënyrën se si e sjell atë te lexuesi. Është një vepër që të fton të reflektosh mbi historinë, mbi fatin e njerëzve dhe mbi pasojat që lënë mbi brezat ngjarjet e mëdha të së kaluarës.
E përgëzoj dhe e falënderoj autorin, Fatmir Terziun, për këtë vepër që na ka sjellë. “Blirët e Pejës” është një roman që ia vlen të lexohet, jo vetëm për historinë që rrëfen, por edhe për pyetjet që ngre, për kujtesën që përcjell dhe për reflektimin që lë pas.
Valbona Ahmeti
24 gusht 2026, Montreal








Një falënderim i përzemërt për Valbonën Ahmeti për këtë shkrim kaq të ndjerë dhe vlerësues për romanin tim “Blirët e Pejës”.
Fjalët e saj, të ardhura pas një leximi të kujdesshëm dhe të menduar, janë për mua një vlerësim i veçantë. Si autor, nuk ka kënaqësi më të madhe sesa kur një vepër arrin të komunikojë me lexuesin, ta prekë atë dhe, mbi të gjitha, ta nxisë të mendojë e të reflektojë.
E falënderoj sinqerisht për kohën, vëmendjen dhe ndjeshmërinë me të cilën e ka lexuar dhe përcjellë romanin. Vlerësime të tilla janë një nxitje e bukur për të vazhduar rrugën e shkrimit dhe për t'iu kthyer gjithmonë historisë, kujtesës dhe njerëzores përmes letërsisë.
Mirënjohje nga zemra, Valbona!