top of page

Bustet


Thani Naqo

tregim

Me që isha në krizë financiare, Lenini i Vogël më qerasi me dopio konjak. Piva gllënjkën e parë dhe ia bëra qejfin se ime më, edhe pas çerek shekulli, e kujtonte me nostalgji dhe respekt. Mirëpo, Leninin e Vogël nuk e mikloi aq shumë lëvdata e time mëje dhe e kaloi përshpejtazi me buzëqeshje të vakur, aq sa zbuloi dhëmbin e florinjtë.

“Neve, shqiptarëve, të këqijat na vijnë nga vesi i mburrjes dhe i lëvdatave, – tha. Unë pandeha se atë shprehje ironike e sajoi enkas për mua, sepse të gjithëve u thosha se erdha në Amerikë të bëhesha aktor i Hollivudit dhe emri im do të shkruhej në një pllake në Trotuarin eEmrave të Famshëm. Por ja që ironia e Leninit të Vogël e shkrepi xixën hakmarrëse dhe mua filloi të më zjente gjaku inatçor. Por se ajo gjëndje nuk vazhdoi gjatë, mbasi, ato që shtoi më pas, nuk i kishte për mua por për veten e tij dhe bënë të më dhimbset profesori i mamasë.

“Thonë, se ajo, zuska portorikane, - tha Lenini i Vogël e nuk e përmendi emrin e Suzit, - luajti me ty si macja me miun; llogarinë bankare ta la trokë. Kjo pabesi edhe kapërdihet në kapitalizëm, ama, të të grabitsin një vepër filozofike, është katastrofë ndërkombëtare.”

“Nuk të kuptoj, profesor,” – thirra e brofa në këmbë.

Lenini i Vogël më bëri shenjë me dorë të ulem dhe të qetoj nervat.

“Ja si ndodhi, - tha dhe mbeta i habitur kur psherëtiu thellë e mërmëriti duke i ndarë fjalët në rrokje"bëj du-rim, dja-lo, bëj du-rim," dhe nga sytë e mjegulluara pikuan lotë mbi xhamin e tavolinës. Ndërkohë që ai rrafshonte mbi xham pikat e lotëve me mollëzën e gishtit tregues, dallova se qeskat diabetike, nën sy, i qenë fryrë më shumë se herët e tjera. – Ti e di që unë kam një mikeshë ruse, striptiste, - vazhdoi Lenini i Vogël. – Në Rusi kish qenë balerinë, kurse këtu, në Amerikë, preferoi striptizmin dhe jo balerizmin. Asaj iu mburra se kisha shkruar, në gjuhën ruse, një vepër filozofike. Ruska lexoi disa faqe e tha se kishte gabime gjuhësore. Ruska më premtoi të bënte redaktimin e librit. Vepër, me katërqind faqe, djalo, tridhjetë rreshta për faqe e numër gërme dymbëdhjetëshe. Punë dhjetë vjeçare, dkjalo! Shtjelloja idenë universale se ardhmëria e njerëzimit është shartimi i komunizmit rus me praktiçizmin amerikan. Mbase, nga që atë ditë e kisha tepruar me vodkë, iu mburra ruskës:

“Nëse kjo vepër përkthehet edhe në gjuhë të tjera, suksesi është i sigurt. Ime bijë, nipër e mbesa do pasurohen së shpejti. Edhe ti gjithashtu.”

"Këtë libër me vlera të mëdha filozofike dhe ekonomike, për ardhmërinë e botës, do ta redaktoj unë,” – më premtoi ruska.

Mirëpo unë, që kur mbeta vejan, u bëra shumë i ndjeshëm ndaj femrave. Ato më bëjnë magji dhe i besoj për çdo gjë. Ruska ma mbushi gotën dhe ia sëllova një dopio vodkë. Kaq mbaj mend. Kur u kthye ime bijë nga puna, më shkundi e atëherë u përmenda. Ruska kishte ikur. Hodha sytë në ekranin e kompjuterit dhe dallova se edhe të shkruarat ishin zhdukur, djalo. Më ra të fikët. Dëgjova klithmën e time bije, “babi, mos më ler jetime” dhe pastaj ulërimën e sirenës të makinës së ndihmës së shpejtë. Ashtu, në gjendje kome, e kuptova se po më çonin në spital.”

Këtë bisedë ia tregova time mëje, por ajo më nuk më besoi kur i thashë se edhe Lenini i Vogël ishte viktimë e striptizmit.

“Të lutem, biro, - tha mamaja, - hiqe mendjen nga Suzi dhe mos e ngarko me thashetheme profesorin e nderuar.”

“Mama, është e vërtetë. Suzi më përlau tridhjetë mijë dollarë, ama ruska ia përlau profesorit veprën filozofike prej katërqind faqesh, me tridhjetë rreshta për faqe e numër dymbëdhjetë të gërmeve.”

“Nuk më besohet, - tha ime më. - Lenini i Vogël është burrë i moralshëm dhe i përgjegjshëm për figurën e tij intelektuale."

“Është e vërtetë mama. I iku vepra nga dora. Ia përlanë rusët. Për shkak të stresit filozofik, Pprofesori është shëndoshur aq shumë sa duket si burrë katror, mama.”

“Sido të jetë, i shëndoshë apo i dobët, njeriu i formuar me idealin marksist ka karakter të admirueshëm e të pa lëkundur,” – tha ime më seriozisht dhe me bindje të plotë.

Atëherë unë e ngrita zërin, afrova fytyrën para kameras dhe imitova Leninin e Vogël:

“Trupi i marksist-leninistit mund të ndryshojë sipas rrethanave ekonomike, kurse, në superstrukturë, mbetet i pa ndryshueshëm. Mua, Leninin e Vogël, natyra më ka paisur me nerva të forta. Nuk më shkon mendja të vras veten për shkak të shembjes së komunizmit e as të grabitjes të veprës time filozofike. E di se sistemi kominist do përsëritet sërish, ama kur të jenë pjekur kushtet ekomike dhe pikërisht kur njerëzimi të mos ketë urrejtje për striptistet. I thuaj mamasë tënde të mos i djegë poezitë dhe poemat që ka shkruar kur ishte gjimnaziste. I kishte me frymë të thekur proletare! Kam parandjenjën se komunizmi do të rikthehet nga mesi i këtij shekulli. Në Shqipëri mumd të rivendoset edhe më parë se në vendet e tjera të Lindjes. Ama bustet dhe statujat e uideologëve dhe shkrimtarëve të realizmit socilaist do ngrihen një e nga një, padyshim edhe busti im në oborrin e gjimnazit ku më ra leshtë e kokës.... Veprën filozofike, që ma grabiti zuska ruse, jam gati ta rishkruaj nga e para. Kjo vepër do trondisë botën më shumë se shembja e Murit të Berlinit.”

“Biro, të lutem, mos imito profesorin e nderuar,” – klithi ime më.

“Lenini i Vogël është gangster, mama, por mua më dhimbset se ai më fanit xha Beqon, mullisin. Xha Bequa më gostiste me petulla të pjekura në plloçë dhe me pufka kallamoqi, kurse Lenini i Vogël më qeras me konjak kanades.”

“Sa i hidhur je o, bir, - u përgjigj ime më e ia shkrepi të qeshurës. -Sa e lumtur do jem sikur t'i dalë parashikimi profesorit. - tha dhe psherëtiu. - Që kur më dolën thinjat e rudhat e para të njëjtën gjë ëndërroj edhe unë, biro. Do të ta le amanet, se ku të ma ngrenë bustin..."

"Mendohu, mama, mendohu...", - thashë, vura pëllëmbën para gojës dhe largova fytyrën nga kamera e kompjuterit. Nuk dëshirova që mamaja të ma shikonte lumturinë që më shkaktohej sa herë përfytyroja pllakën me emrin tim në Trotuarin e Famshëm të Hollivudit

"Aman, biro, mbaje sekret dhe mos i trego kujt..." - dëgjova të thotë, por edhe pas pesë viteve nuk mundem ta vërtetoj se atë përgjigje ime më e kishte për veten e saj apo për mua.

 
 
 

1 Comment


Faruk Myrtaj
Faruk Myrtaj
Jul 25, 2020

Qe te rivendoset nje ideologji, me pare duhet te rrezohet, Lenin I Vogel! Pa ia selluar me vodke!

Bustet e rrezuar, raketat me Cmimet, edhe ato,?;

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page